Connect with us

DOSSIER

11 maj 1994/ Mandela shpallet President, i pari me ngjyrë që drejtoi Afrikën e Jugut

Published

on

Më 11 maj të vitit 1994, Nelson Mandela bëri betimin si president i parë me ngjyrë i Afrikës së Jugut. Gjatë fjalimit të tij, mes të tjerash ai tha: “Kam ecur në këtë rrugë të gjatë të lirisë. Kam provuar të ndalem; Kam bërë edhe hapa të gabuar. Por kam zbuluar sekretin se pas ngjitjes së një kodre, ka kodra të tjera. Jam ulur një minutë për parë nga kam ardhur. Por mund ta bëj këtë vetëm për një moment sepse me lirinë vijnë përgjegjësitë, dhe nuk guxoj të pushoj gjatë, pasi udhëtimi nuk ka mbaruar…Nuk jam shenjtor, nëse nuk mendoni se shenjtori është mëkatar i cili vetëm përpiqet.”

Nelson Mandela u lind më 18 korrik 1918. Ishte luftëtar i lirisë, i cili luftonte kundër shtypjes racore që u bëhej zezakëve në Afrikë, posaçërisht në Afrikën Jugore. Ai studioi juridikun. Shumë vite të jetës së tij ai i kaloi nepër burgje.Filimisht Mandela zgjodhi rrugën paqësore për qëllimet e tij dhe të shokëve të tij. Në vitin 1956 ai u akuzua për “tradhti të lartë” nga regjimi i atëhershëm, bashkë me 155 shokë të tjerë. Procesi zgjati deri me 1961 dhe të gjithë u liruan. Në vitin 1962 ai u burgos dhe u dënua me 5 vjet heqje lirie. Në vitin 1964 ai u denua me burg të përjetëshëm, sepse kishte planifikuar luftë të armatosur. Në vitin 1985 atij iu afrua mundësia e lirimit, në qoftë se do të pranonte ndalimin e aktivitetit të armatosur, por ai refuzoi. Në vitin 1990 mbas një kampanje të ANC dhe presion ndërkombëtar ai u lirua pa kushte. Në vitin 1993 ai fitoi çmimin Nobel. Kurse në vitin 1994 ai u zgjodh në zgjedhje demokratike, President i Afrikës Jugore dhe me 9 maj ai u zgjodh si presidenti i parë i zi në këtë vend. Në vitin 1999 ai dha dorëheqje dhe ishtë aktiv për organizatat për të drejtat e njeriut.Në vitin 2003 ai kritikoi shumë Toni Blair dhe Georg W. Bush për intervenimin në Irak.Në vitin 2013 më 5 dhjetor, ai ndërron jetë.

DOSSIER

30 vite nga ekzekutimi mafioz i Giovanni Falcones

Published

on

By

ITALI– Dita e sotme shënon 30-vjetorin e vrasjes së magjistratit italian, Giovanni Falcone. Më 23 maj 1992, në moshën 53-vjeçare Falcone u vra bashkë me gruan dhe tre truproja nga klani i Cosa Nostra-s Korleonesi me një bombë prej gjysmë ton lëndë shpërthyese. As dy muaj më vonë, më 19 korrik, i takonte një tjetër hetuesi (bashkëpunëtor i ngushtë me Falconen) që të binte nën goditjet e mafies. Paolo Borsellino vritej nga një autobombë në Palermo në rrugën D’Amelio.

Vrasja e Falcones  u organizua nga mafiozi famëkeq Salvatore Riina si hakmarrje për dënimet e qindra gangsterëve që kishte firmosur Falcone gjatë operacionit “Gjurmëve të Mëdha”. Ndër masat më të rrepta të antimafias pasuese për vrasjen e Falcone dhe Borsellino, ishte edhe arrestimi i Riinas, i cili ndërroi jetë në vitin 2017.

Një mafioz tjetër i dënuar për vrasjen e Falcones është Giovanni Brusca, një nga shoqëruesit e Riinas, i cili dëshmoi se ishte personi i cili kishte shpërthyer eksplozivin. Në nder të prokurorit Falcone dhe bashkëpunëtorit të tij, Paolo Borsellino, ka marrë emrin “Falcone-Borsellino” edhe aeroporti i Palermos.

Kush ishte Giovanni Falcone, gjykatësi hero

Giovanni Falcone lindi në Palermo më 18 maj 1939. Pasi kreu Liceun (gjimnazin) klasik “Umberto” pati një përvojë të shkurtër pranë Akademisë Detare të Livornos. Vendosi të kthehet në qytetin e lindjes për të vazhduar Fakultetin Juridik, ku u diplomua më 1961.

Pas praktikës së kryer në gjykatë, më 1964 u bë gjykatës i shkallës së parë në Lentini. Më vonë transferohet si nënprokuror në Trapani, ku qëndron rreth dymbëdhjetë vjet. Në këtë post thellohet vazhdimisht prirja e tij drejt fushës penale: siç e thoshte ai vetë, “ishte vlerësimi objektiv i fakteve ai që më magjepste”, në kundërvënie me mekanizma të tillë “të ngatërruar e bizantinë” veçanërisht të theksuar në fushën e krimeve civile.

Të nesërmen e atentatit tragjik ndaj gjykatësit Cesare Terranova, ndodhur më 25 shtator 1979, Falcone nis të punojë në Palermo pranë Zyrës së Instruksionit. Kryeinstruktori Rocco Chinnici ia beson në maj 1980 hetimet kundër Rosario Spatola-s, një proces që hetonte edhe kriminalitetin amerikan, dhe që kishte prokuror prokuror Gaetano Costa-n, vrarë në qershorin e mëvonshëm, i penguar nga disa zëvendës të tij, në momentin kur po firmoste një numër të madh urdhërash për arrestime.

Pikërisht në këtë përvojë të parë Giovanni Falcone mëson se po të hetojë krimet dhe veprimtaritë e strukturave mafioze, duhet të kryejë hetime edhe në pasuritë e mirëfillta dhe në ato të depozituara në banka (edhe përtej oqeanit), dhe se – sidomos – duhet krijuar një kuadër tërësor, një vizion organik lidhjesh, mungesa e të cilave në të shkuarën kishte sjellë një “varg pafajësish”.

Më 29 korrik 1983 kryeinstruktori Chinnici, në krye të një ekipi hetuesish ku bëjnë pjesë Falcone, Barrile e Paolo Borsellinor, vritet bashkë me eskortën e tij në rrugën Pipitone; e zëvendëson Antonino Caponnetto, i cili synon të krijojë siguri më të plotë për hetuesit gjatë hetimeve të krimeve të mafias.

Ndërtohet kështu ai që quhet “pool antimafia”, mbi modelin e ekipeve aktive të viteve 1970 kundër dukurisë së terrorizmit politik. Përveç Falcone-s në grup bënin pjesë gjykatësit Di Lello, Guarnotta, e Paolo Borsellino, i cili kishte prirë hetimin mbi vrasjen e kapitenit të karabinierëve Emanuele Basile, më 1980.

Hetimi i filluar në Roma në korrik 1984 në praninë e nënprokurorët Vincenzo Geraci e Gianni De Gennaro, të Bërthamës Operative të Criminalpol, dhe të “penduarit” Tommaso Buscetta, është konsideruar një kthesë e vërtetë dhe e mirëfilltë për njohjen e fakteve përcaktuese të mafies dhe veçanërisht të strukturës së organizatës “Cosa nostra”.

Funksionarët e Policisë, Giuseppe Montana e Ninni Cassarà, bashkëpunëtorë të ngushtë të Falcone-s dhe të Borsellino-s, u vranë në verën e vitit 1985. Lind droja se të njëjtin fat do të kishin edhe dy hetuesit në fjalë, të cilët, për arsye sigurie, do të transferoheshin me familjet pranë burgut të Asinara-s.

Nëpërmjet këtij vargu ngjarjesh dramatike arrihet në dhënien e dënimit ndaj Cosa nostra-s në të parin maksiproces (16 dhjetor 1987) vendosur nga Gjykata e Assise-s të Palermos, nga kryetari Alfonso Giordano, pas njëzet e dy muajsh seanca pas seancash dhe tridhjetë gjashtë ditësh të mbledhjeve të zyrën e instruktimit. Urdhëri për shtyrjen e gjykimit ndaj 475 të pandehurve ishte depozituar në Zyrën e Instruksionit nga fillimi i nëntorit të dy viteve më parë.

Zhvillimet e mëvonshme ndikojnë negativisht kundër këtij suksesi. Në janar Këshilli Epror i Hetimeve parapëlqen Antonino Meli-n e jo Falcone-n, në krye të Zyrës së Instruksionit, i cili zëvendësonte Caponnetto-n që kishte dëshiruar ta linte detyrën. Ndërkohë në vijim të rrëfimit nga ana e “të penduarit” katanez Antonino Calderone, që kishte çuar në një varg të gjatë arrestimesh (të njohura si “blitz delle Madonie”), hetuesi i Termini-t, konsiderohet i paaftë dhe ia kalon dosjet Zyrës palermitan. Meli, në kundërvënie ndaj hetuesve të pool, i rikthen dosjet në Termini, përderisa veprat e kryera ishin nën juridiksionin e atjeshëm. Kasacioni, në mbarim të 1988, i jep të drejtë kryeinstruktorit, duke mohuar strukturën e centralizuar dhe vertikale të organizatave kriminale dhe duke i konsderuar ato të pavarura nga njëra tjetra në veprimet dhe në vendimet. Ky vendim do të godiste rëndë hetimet e kryera në Palermo kundër mafies, transmetron Tirana Observer.

Më 30 korrik Giovanni Falcone kërkon përsëri të transferohet në një tjetër zyrë. Në vjeshtë Meli e akuzon se ka favorizuar në njëfarë mënyre Carmelo Costanzo-n, Catania, dhe prandaj e shpërbën strukturën e pool, siç e kishte parandjerë Paolo Borsellino në një deklaratë publike, e cila iu censurua. Hetuesit Di Lello e Conte dorëhiqen në shenjë proteste.

Lidhur me tërë këtë zhvillim, në qershor 1992, gjatë një debati në Palermo, organizuar nga revista “Micromega”, Borsellinor kishte paralajmëruar: “Masat që janë marrë nga Meli, miratuar nga Kasacioni, filluar atëherë dhe vazhduar deri tani, nuk do ta pengojnë Falcone-n ta vazhdojë punën me përkushtim.” Pavarësisht zhvillimeve të tilla, gjithnjë në rrjedhën e vitit 1988, Falcone kishte realizuar një operacion të rëndësishëm në bashkëpunim me Rudolph Giuliani, prokuror rajonal i Neë York-ut, emërtuar “Iron Toëer”, falë të cilit u goditën familjet Gambino e Inzerillo, përfshirë në trafikun e heroinës.

Më 20 qershor 1989 ndodhi atentati i dështuar dhe i errët i Addaura-s, pranë Mondello, për të cilin Falcone pohoi: “Gjendemi përballë mendjesh tejet të regjura që orvaten të orientojnë aksione të tilla të mafies. Ekzistojnë ndoshta pika lidhjeje midis krerëve të Cosa Nostra-s dhe qendrave të errëta të pushtetit të cilat kanë të tjera interesa. Kam përshtypjen se ky është skenari më i pranueshëm nëse duhen kuptuar vërtetë arsyet që e kanë shtyrë dikë për të më vrarë.” Periudha e mëvonshme vijoi menjëherë me episodin tronditës të të ashtuquajturit “korbi”: disa letra anonime të cilat akuzojnë tërë mllef Falcone- dhe të tjerë.

Një javë më vonë instanca eprore vendos ta emërojë Giovanni Falconen ndihmësprokuror në Prokurorinë e Republikës në Palermo. Në janarin e vitit 1990 bashkërendon një hetim që çon në arrestimin e katërmbëdhjetë trafikantëve kolombianë e sicilianë, hetim që kishte zënë fill nga rrëfimet e “të penduarit” Joe Cuffaro’ i cili kishte shpalosur se anija tregtare Big John, me flamur kilian, kishte shkarkuar në janar 1988, 596 kilogramë kokainë në zonën e brigjeve të Castellammare del Golfo.

Atë vit ndodhi “përplasja” me Leoluca Orlando-n, i cili bënte akuza sidomos ndaj europarlamentarit Salvo Lima. Polemika vazhdon me argumentin e mirënjohur të “kartave në kaseta”, të cilat Falcone i konsideron frut të “cinizmit politik” të mirëfilltë të kulluar.

Më 1990 në zgjedhjet e anëtarëve me uniforma të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Falcone është kandidat për listat “Lëvizja për drejtësinë” dhe “Propozimi 88” (në rrethana të lidhura): por rezultati do të ishte negativ. Ndërkohë ashpërsohen moskuptimet me prokurorin e atëhershëm Giammanco, në rrafshin vlerësues dhe etik, në kryerjen e hetimeve.

Falcone merr ftesë nga nënkryeministri Claudio Martelli, përkohësisht ministër i Drejtësisë, për të drejtuar Çështjet Penale të ministrisë, ku të merrte rolin e bashkërendimit të një serie çështjesh, nga propozimet për reforma ligjore tek bashkëpunimi ndërkombëtar. Do të hapej kështu në mars 1991 një periudhë e karakterizuar nga një veprimtari e ngjeshur, që do t’i bënte më të frutshme aksionet e drejtësisë në luftën kundër krimit.

Falcone përkushtohet të realizojë atë që e quan kusht të pazëvendësueshëm të rinovimit: racionalizimin e raporteve midis prokurorisë dhe policisë gjyqësore, dhe bashkërendimin midis prokurorive të ndryshme. Kërkonte ta bënte këtë në rrafsh kombëtar.

Në nëntor 1991 u krijua Drejtoria Kombëtare Antimafia, për funksionet e së cilës Falcone kishte folur në Palazzo dei Marescialli më 22 mars 1992.

“Unë besoj se prokurori antimafia i Italisë duhet të ketë detyrë kryesore ta bëjë të frutshëm bashkërendimin e hetimeve, të garantojë funksionalitetin e policisë gjyqësore dhe të sigurojë plotshmërinë e shpejtësinë e hetimeve. Ritheksoj se ky duhet të jetë një organizëm përkrahjeje dhe mbështetje për veprimtarinë hetimore që duhet kryer ekskluzivisht nga prokuroritë rajonale antimafia”, kishte thënë Falcone.

Kandidatura e Falcones për një detyrë të tillë u pengua nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, plenumi i të cilit nuk kishte marrë ende një vendim përfundimtar para se të ndodhte vdekja tragjike e Falcone-s.

Është 23 maji 1992 kur në orën 17 e 56 minuta, në shpatet e fshatit sicilian Capaci, pesëdhjetë kilogramë tritol e bëjnë të fluturojë në ajër veturën me të cilën udhëtonte Giovanni Falcone, e shoqja Francesca Morvillo e tre burrat e grupit të shoqërimit, Antonio Montinaro, Rocco Di Cillo e Vito Schifani.

Pas vrasjes së mallkuar, më 4 qershor u mblodh Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili doli me një rezolutë ku kërkonte forcimin e përkushtimit të grupit të punës italiano-amerikan, pjesëtar i të cilit ishte Falcone.

As dy muaj më vonë, më 19 korrik, i takonte një tjetër hetuesi të binte nën goditjet e mafies. Paolo Borsellino vritej nga një autobombë në Palermo në rrugën D’Amelio. Ishte një nga periudhat më të errëta në historinë e Republikës Italiane.

Falcone ishte personazh i përfolur, nga disa shumë i urryer gjatë jetës dhe shumë i dashur pas vdekjes, një personazh dyshues e i mbyllur, i vendosur e ngulmues. Për sa mund të bënte një njeri, ai ka luftuar sy për sy e ballë për ballë, me të gjitha forcat për të arritur autonominë e tij si hetues në vijën e luftës kundër mafies, dhe sot konsiderohet me plot kuptimin e fjalës  simboli i luftëtarit pa kompromis, një histori që nuk duhet harruar.

Continue Reading

DOSSIER

Enigma Taho Sejko, tragjedia e një familjeje me katër burra të …

Published

on

By

Pjesa e parë

I lindur më 14 shkurt 1912 në Çamëri dhe ardhur në Shqipëri në moshën 8-vjeçare. Pjesëmarrës në luftë, si zëvendëskomandant i çetës “Çamëria”. Arrestohet më 28 korrik 1960, me akuzën si agjent i zbulimit të huaj për një kohë të gjatë. Në maj 1961 i përmendet emri në gjyqin e Teme Sejkos dhe të 38 personave të tjerë, por nuk u shfaq si person në gjyq. Nga ky moment, nuk dihet më asgjë për fatin e tij

U përhapën fjalë sikur ishte gjallë, sikur ishte çmendur, që e kishin pushkatuar, që kishte përplasur kokën në murin e qelisë dhe kishte vdekur. Organet zyrtare të shtetit as e pohonin, as e mohonin vdekjen e tij, duke e lënë çështjen pezull të mbuluar me mister dhe duke krijuar idenë e rreme te familjarët se Taho Sejkoja ishte gjallë. Vetëm në vitet e demokracisë familja u njoh me një vendim të Gjykatës së Lartë, të asaj kohe për dënimin me pushkatim të Taho Sejkos, por s’kishte asnjë proces-verbal pushkatimi.
Njoftimi më i fundit rreth fatit të tij, ka qenë nga një ish-punonjës i Hetuesisë, i cili pohoi se: Taho Sejko, është torturuar për një kohë të gjatë e në fund i kanë nxjerrë edhe sytë. Midis këtyre të dhënave kaq kontradiktore e të tmerrshme, familja ende nuk e di si është e vërteta e fatit të Taho Sejkos. Dëshmon i biri, Hektor Sejko As i gjallë, as i vdekur – një jetë e mbetur në terr! Çfarë ka ndodhur me këtë burrë, me këtë njeri? Cili është faji i këtij? Gjyshja ime 80 e ca vjeçe, nga tre djem që pati, mbeti pa asnjërin. Dy i arrestuan në të njëjtën datë dhe i eliminuan. Tjetrin e bënë të mbytej në pus…!

Zoti Hektor Sejko, ju falënderojmë që keni ardhur për intervistë.

Do ta filloj me pak histori. Gjyshi im, Mehmet Sejko, ka qenë ndër patriotët e mëdhenj të asaj kohe. Në vitet 1908 e 1909, ka krijuar Klubin Shqiptar dhe ka qenë kryetari i Klubit Shqiptar për ‘Vëllazërimin për Gjuhën Shqipe’, si dhe ka hapur shkollën e parë shqipe në Filat, në shtëpinë e tij. Në vitin 1919, firmosi memorandumin e Çamërisë, drejtuar Fuqive të Mëdha, për bashkimin e trojeve të Çamërisë me trojet shqiptare. Në 1920-n, grekët e detyruan të largohet dhe kështu erdhën në Konispol.

Im atë, Taho Sejko, ka lindur më 14 shkurt 1912 dhe kur erdhën në Shqipëri, ishte 8 vjeç. Kreu shkollën e Konispolit, pastaj shkollën e mesme në Liceun francez të Korçës, e më pas shkoi në universitetin francez të Athinës, për Shkenca Ekonomike e Politike. Njihte shkëlqyeshëm frëngjishten, italishten dhe greqishten. Në vitin 1939 kthehet, i detyruar nga pushtimi i Shqipërisë. I ati i kishte vdekur, nëna me të dy vëllezërit, ishin në situatë të vështirë ekonomike.

U bashkua me Lëvizjen, si zëvendëskomandant i çetës së parë “Çamëria” dhe u plagos në betejën e Konispolit, ku një predhë ‘Shrapneli’ gjerman, i mbeti në trup dhe i’u ngjit në kockë.

Me çlirimin e Shqipërisë, ishte me detyra në Konispol, Gjirokastër, më tej në Komisionin e Planit të Shtetit, në “Zërin e popullit” si shef i redaksisë ekonomike, deri në momentin që erdhi Konferenca e Tiranës. Në Konferencën e Tiranës, atë e dënojnë. Konferenca e Tiranës u zhvillua mbas vdekjes së Stalinit dhe mbas Kongresit XX-të, të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, ku Hrushovi ndryshoi linjat. Në “Zërin e popullit”, vijnë dy persona nga Komiteti Qendror, Nexhmije Hoxha dhe Fiqrete Shehu, për të bërë analizën e problemeve të Konferencës së Tiranës. Këtu ndodhi një përplasje e Taho Sejkos me Nexhmije Hoxhën.

Kjo përplasje e vuri në rreth përfundimisht. Por ka një dokument, që dëshmon se që më 21 gusht 1948, Taho Sejkoja ishte pushuar nga puna nga Komisioni i Planit të Shtetit, ku kishte marrë edhe një vërejtje në atë kartën e famshme, të regjistrimit të asaj kohe…! Fiqrete Shehu e pyeti: “Ti, Taho, ke dy vërejtje në kartë të regjistrimit?”, “Po”, – i thotë ky. “S’ke bërë kërkesë për t’i hequr”? “Pse duhet të bëj kërkesë unë? Ti e di shumë mirë përse i kam marrë vërejtjet.

Kur në Komisionin e Planit të Shtetit, ty nuk të fliste kurrkush me gojë dhe Mehmetin, e kishin çuar në Vlorë për shkakun tënd, sepse ti ishe shkarkuar, ishe hequr nga partia, i vetmi person në Komisionin e Shtetit, që të fliste, ishte Taho Sejkoja”. “Po, – thotë ajo – e di”. “Por, kur more teserën tënde, pse nuk hoqe edhe vërejtjet që kisha marrë unë”? – ia ktheu Tahoja. Për të gjitha këto probleme të njohura të asaj kohe, Taho Sejkoja, u fut në rreth.

Këtu kam një shkresë që Haxhi Kroi, sekretari i Enver Hoxhës, ua çonte anëtarëve të Byrosë. Në të shkruhet: “Me porosi të shokut Rita, po ju drejtojmë listën e elementëve anti-parti për të cilët propozohet të merren masa e të transferohen nga përgjegjësitë, që kanë dhe të vendosen në vende të tjera. Ju lutemi që të jepet mendimi juaj për këtë çështje!” Në listën me 19 ose 20 emra, është edhe emri i Taho Sejkos, si anëtar i kolegjiumit të “Zërit të popullit”. Kryeministria vendoste që Taho Sejkoja, të fillonte si drejtor i Parkut Automobilistik në Shkodër.

Taho Sejkoja kërkoi që mundësisht, familjen, meqë ishin të stabilizuar në Tiranë, të mos e lëviznin. Megjithatë, erdhi një makinë e madhe, hamejtë ngarkuan teshat dhe shkuam në Shkodër. Ne nuk kishim shtëpi në Shkodër dhe u strehuam te xhaxhai. Prej vitit 1956 e deri në vitin 1960, babai ka punuar si drejtor i Parkut dhe nga një ndërmarrje jo rentabël, e vuri në efiçencë të plotë.

Çfarë ndodhi që Taho Sejkoja u bë person i rrezikshëm, saqë u kurdis rrëmbimi dhe zhdukja e tij?

Thuhet se në atë takimin kur ishte prezent edhe Nexhmije Hoxha, Taho Sejkoja i paska thënë: “Njerëzit janë duke vuajtur për bukën e gojës, ndërsa ju me veturë edhe burri juaj me veturë. Pra, duhet ndryshuar diçka në këtë mes, sepse jeni duke i bërë të zezën këtij vendi. “Ia ka thënë troç, saqë të tjerët menduan se do t’i vinin hekurat që aty”.

A ka qenë babai juaj i survejuar? Dini gjë nëse ka pasur ndonjë informator?

Po! Sipas dokumenteve, ka pasur informatorë nga të gjitha kategoritë e njerëzve: në “Zërin e popullit”, në Komisionin e Planit të Shtetit, në drejtorinë e Parkut në Shkodër. Janë një sërë deponimesh, kuptohet, jo me emrin e tyre të vërtetë.

Me pseudonime?

Po, me pseudonime. Këta raportonin edhe sa herë hante mish Taho Sejkoja.

Jeni njohur me dosjen e babës suaj?

Po, i kam marrë. Babain e kanë arrestuar në Parkun e Shkodrës. Ka shkuar makina e Sigurimit të Shtetit me tre oficerë, i kanë hedhur batanijen mbi krye, e kanë arrestuar dhe e kanë çuar në Tiranë.

Babai do të shkonte në Fushë Arrëz, të çonte disa makina në dispozicion të Ministrisë së Mbrojtjes, për punë të saj. Atje e priste vetë Beqir Balluku. Mirëpo kjo ishte komplet lojë. Në momentin që e arrestuan, një grup me dy oficerë të Sigurimit të Shtetit dhe kryetari i lagjes, Mark Shllaku, erdhën në shtëpi për kontroll. Mark Shllaku erdhi me biçikletë. Unë, si fëmijë që isha, nga qejfi i madh që kishte biçikletë, i’a mora biçikletën e shkova fill te puna e babait.

Aty shoh një grumbull njerëzish. I çuditshëm ky grumbullim, se s’kishte ndonjë festë. M’u afrua njëri e më tha: “Hektor, mos rri këtu, ik në shtëpi!” Nuk më tha se çfarë kishte ndodhur. Kur shkova në shtëpi, pashë që po kontrollonin dhe regjistronin gjithçka. Aty ishte axha im, Suloja, ishte e shoqja, Nazi, ishte nëna dhe daja im. Morën letra e morën fotografi e njëkohësisht, morën edhe një pistoletë ‘Nagant’, trofe lufte, pa fishekë, pa kurrgjë. U kishte thënë vetë: E keni në filan vend, në filan raft.

Dhe kuptohet, në shtëpi kishte rënë bomba, se ishte e paimagjinueshme, që mund të arrestohej Taho Sejko, e të çohej fill e në Tiranë. Këtu filloi drama e madhe e Taho Sejkos. Nga fillimi në mbarim, në mënyrë absolute, ai nuk pranoi asgjë. Absolutisht asgjë! Ky është proces-verbali…!

Po, mund ta lexoni.

Ja si shkruhet: Unë, hetuesi i Drejtorisë së Shtetit, nënkolonel Stavri Madhi, mora në pyetje të pandehurin Taho Mehmet Sejko, për të bërë njoftimin e akuzës, data 10 i teti.

Pra, më 28 korrik u arrestua, më 10 gusht, është ky proces-verbal i Hetuesisë. Marrja në pyetje filloi në orën 8 e 15 dhe mbaroi në orën 13 e 45. Tashti, kjo pyetja që filloi në 8 e 15 dhe mbaroi në 13 e 45, ka të shënuara vetëm kaq: “Ti akuzohesh si agjent i zbulimit të huaj, për një kohë të gjatë, së bashku me persona të tjerë, në formë të organizuar, ke zhvilluar veprimtari armiqësore, që ka synuar rrëzimin e pushtetit popullor me forcë, duke zbatuar detyrat e zbulimeve të huaja, ke dhënë informata me karakter sekret dhe ke rekrutuar persona të tjerë”. – A e dëgjuat dhe a e kuptoni aktakuzën?

– E dëgjova dhe e kuptova aktakuzën.

– A e pranoni aktakuzën që ju bëhet?

– Nuk e pranoj aktakuzën, sepse nuk kam qenë kurrë agjent i asnjë shërbimi të zbulimit të huaj, nuk i kam dhënë asnjëherë kurrkujt informata, me karakter sekret dhe nuk kam punuar kurrë për rrëzimin e pushtetit popullor në Shqipëri.

Akuza që i kanë formuluar e çonte direkt në pushkatim?

Nuk diskutohet ajo, është e padiskutueshme. Tashti, çfarë ndodhi?

Më 14.11.1960, në Hetuesi, drejtori i Sigurimit të Shtetit, nënkolonel Stavri Madhi, shkruan: “Mora në pyetje të pandehurin Taho Sejko. Pyetja filloi në orën 9.00 dhe mbaroi në orën 10.00.”

Kjo seancë pyetjesh, ka qenë më e shkurtër… Aty do të ketë ngrënë dru ai, se s’ka kuptim tjetër!

Ja dhe ky dokument ku shkruhet: “Na fol për aktivitetin tënd armiqësor”.

Përgjigjja: “Organet e Sigurimit, ashtu siç mbështeteshin në vitin 1946 në gënjeshtra, janë mbështetur sot në gënjeshtra kundër meje, për akuzën time si spiun. Mbasi janë lexuar thëniet e mia, janë shkruar drejt, i firmos.”

Lexo edhe :  Talo Çelën e kanë vrarë? Artan Hoxha: S’do kemi mundësi të shohim më imazhin e tij

A jeni njoftuar nga autoritetet shtetërore për gjithë këtë procedurë, për gjyqin, për eliminimin? Çfarë dini rreth kësaj?

Jo vetëm që s’jemi njoftuar, por ka ndodhur një ngjarje e pazakontë. Më 15 ose 16 maj të vitit 1961, filloi gjyqi në Tiranë për ‘Grupin çam’. Në këtë gjyq përmendet emri i babës, por babai nuk ishte aty. Emri përmendet sikur ky ishte personi, që e kishte ngritur këtë grup, sikur ky ishte i pari.

Atëherë, nëna ime na merr ne, tre fëmijëve, dy motrat dhe mua, e vijmë në Tiranë. Vijmë në Tiranë me qëllimin e vetëm, që të merrte vesh si ta ndihmonte burrin. Te gjyshja ime, një kat më sipër, jetonte një familje, që e kishte dhëndrin avokat, njëfarë Sasha, avokat i njohur, por ishte paksa qen – bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.

Zbret poshtë ai dhe bëhet kjo bisedë. Na thotë ai: “Kam ardhur për një arsye të veçantë. Se çfarë ka bërë Teme Sejko, e di ai vetë, jep llogari vetë, s’e di unë, nuk mund të flas për të. Por çfarë flet në adresën e të vëllait, s’ka asgjë, absolutisht asgjë të vërtetë!”

Ai na thotë se Teme Sejko, kishte folur për të tërë. Më pas, ne morëm vesh se ky gjyq është bërë me provë gjenerale, siç bëhen prova për shfaqjet teatrale. Është bërë provë gjenerale për gjyqin!

Pse e pranoi Teme Sejkoja këtë farsë?

Ku ta dimë? Hajde gjeje pse e ka pranuar Temja. O e ka bërë druri, ose mashtrimi! Po se çfarë e ka detyruar, është shumë e vështirë ta gjejmë. Në radhë të parë, ka pranuar faje, që s’i ka bërë vetë.

Gjysmë ore pas kësaj bisede, vjen policia na merr e na çon te Selvia, ku ishte Drejtoria e Policisë së Tiranës. Dy orë e kanë mbajtur nënën time në zyrë, duke bërë hetuesi. Si përfundim, më ka mbetur në kujtesë diçka e veçantë. Në momentin që ka dalë prej zyrës së atij shefit të madh, ky, nën zë i thotë: “Shoqe, bën mirë t’i marrësh fëmijët e të ikësh, se këta fëmijë kanë mbetur pa baba, mos mbeten edhe pa nënë”!

Na kanë shoqëruar me policë deri te Ministria e Brendshme, na kanë hipur me policë në makinë e ka ndenjur polici me ne, duke na shoqëruar deri në Vorë, që të mos zbrisnim askund.

Ishte problemi që po të mos largoheshim në çast prej Tiranës, nënën do ta futnin brenda, në burg.

Dy fjalë donte të thoshte nëna ime në Gjykatë të Lartë dhe në Kuvendin Popullor: Çfarë flet Teme Sejkoja për veten, e di ai vetë, por çfarë flet për të tjerë, s’ka absolutisht asgjë të vërtetë!

Prej këtij momenti, për një periudhë të gjatë kohe, flasim për majin e vitit 1961, për një periudhë të gjatë kohe, 5-6 mujore, nuk kemi lëvizur prej Shkodrës. Normalisht, nuk kemi lëvizur prej frikës, se i thanë: “Po erdhe, e ke vendin në burg!”

Kërcënim i hapur…?

Pra, Taho Sejkoja u përmend, por Taho Sejkoja s’ishte në gjyq, s’ishte personalisht aty. Në këtë kohë filluan të qarkullonin fjalë, për tri versione: Taho Sejkon e kanë pushkatuar; Taho Sejkoja i ka rënë murit me krye e ka vdekur; Taho Sejkoja është çmendur. Tashti…!

Për këto tri versione, nëna ime i bëri tri telegrame Kadri Hazbiut për takim, të merrte vesh të vërtetën çfarë po ndodhte me të. Gjyqi u bë, aty u përmend, por s’ishte askund.

Gjyqi ishte i babait apo i Teme Sejkos?

Gjyqi i axhës, i Temes.

Babai juaj, a pati ndonjë proces gjyqësor?

Prit, tashti po të kallëzoj, punën e procesit gjyqësor. Historia e gjyqit ka të veçantën e saj. Meqë nëna i bëri tri telegrame Kadri Hazbiut dhe ky s’e priti, nënën e thërritën në Degën e Brendshme dhe e pyetën: “Cila ishte arsyeja që ti, shoqe, i kërkon Kadri Hazbiut, takim në tri telegrame”?! Edhe nëna i shpjegon arsyet një, dy, tre…! “Janë shumë fjalë, që qarkullojnë. Duam të dimë të vërtetën se çfarë ka ndodhur me të”.

Dhe Feçor Shehu iu përgjigj: “Po ta kishim pushkatuar, frikë s’kemi të të themi, që e kemi pushkatuar. Po të kishte vdekur, njerëzit vdesin edhe jashtë edhe brenda. Po të ishte çmendur, nuk do të ishte as për ty, as për ne. Do të të thoshim: Shko në Elbasan, atje e ke”!

Dhe fjala e fundit e tij: “Shko rrite atë fëmijë, se këto punë i di Partia!”

Këtë punë e di Partia. Kaq! Pra, jemi para kësaj dileme: një person i arrestuar, një person që përmendet në një gjyq e i del emri, po nuk del personi, një thashethemnajë e pazakontë muhabetesh, poshtë e përpjetë dhe në fund, një përgjigje e kësaj natyre. Tashti, a na pëlqeu kjo përgjigje? Realisht na pëlqeu, se ishte shpresa brenda: Është gjallë!

Nëna i tha: “Mua më kanë bllokuar. S’mund të shkoj në Tiranë, s’mund të lëviz”. Ai ia ktheu: “Je qytetare e Republikës. Qysh sot e mbrapa, ke të drejtë të shkosh ku të duash, për problemet që mund të kesh”.

Kjo hapje e rrugës e bëri nënën të vinte me vrap në Tiranë, në Prokurori të Përgjithshme, ku kërkoi takim me Prokurorin e Përgjithshëm, ta pyeste për problemin e të shoqit.

I thotë: “Kam ardhur, shoku prokuror, për një arsye krejt të thjeshtë. Do të marr një vendim për fëmijët e mi, por dua ta dëgjoj me veshët e mi, se çfarë thotë Taho Sejkoja për veprimtarinë e tij armiqësore. Kam jetuar 16 vjet me të, e kam njohur në luftë, e kam pasur edhe burrë, edhe shok e s’kam as pikën më të vogël të dyshimit për këtë punë.”

Prokurori i’a kthen: “Taho Sejkoja qysh në Luftë ka pasur mendime jo të mira, andej-këtej…! E këto mendime që ka pasur, normalisht, në atë rrugë të çojnë. Por ti nuk mund të marrësh pjesë në gjyqin e Taho Sejkos, për arsyen se gjyqin e Taho Sejkos do ta bëjmë me dyer të mbyllura”.

Nëna ime i thotë: “Shoku prokuror, e beson këtë që po thua? Keni bërë me dyer të hapura gjyqin e Teme Sejkos, Drejtor i Zbulimit të Ushtrisë dhe komandant i Flotës Luftarake Detare. Doni të bëni me dyer të mbyllura gjyqin e Taho Sejkos, shefi i redaksisë Ekonomike të ‘Zërit të popullit’ dhe drejtor i Parkut Automobilistik të Shkodrës? Ku janë sekretet e Taho Sejkos? Ku? Te ‘Zëri i popullit’ që e merr dhe e lexon tërë bota”?

Përgjigja ishte nul: “Gjyqi do të bëhet me dyer të mbyllura”! Gjatë gjithë kësaj kohe që vazhdon kjo histori e që qarkullonin këto fjalë, një ditë të bukur na vjen halla prej Durrësit. Halla ime jetonte në Tiranë, por ka ardhur direkt prej Durrësit. Pse? Në spitalin e burgut në Tiranë, një infermiere çame e thërret hallën time e i thotë: “A ke dëshirë ta shohësh Tahon”? “Po si s’kam dëshirë ta shoh vëllain?!” I thotë infermierja: “Po të jap një copë letër për doktor Vokopolën, por dëgjo, do të shkosh, do t’i japësh letrën dhe aty ku të të ulin, do të rrish. Mos bën gabim as të çohesh në këmbë, as të flasësh ndonjë gjë, të komunikosh me të”. Kështu e udhëzoi dhe i dha letrën.

Unë them se kjo e tëra është e sajuar prej Sigurimit të Shtetit, se s’ka burrë e jo më infermiere në botë që mund të bënte veprime të asaj natyre. Sidomos në atë kohë!

Niset halla, shkon në Durrës e i dorëzon letrën doktor Vokopolës e ky i thotë infermieres atje: “Jepi një përparëse e të ulet aty”. S’kaloi shumë kohë, kur u ndie një zhurmë makine, thotë halla, dhe vjen Tahoja, bashkë me Ali Xhelo Harapin. Ky ishte person i dënuar, ishte prej atyre personave të dënuar në gjyq, se ai kishte dalë në gjyq. Të dy të lidhur dorë për dore, me dy oficerë Sigurimi anash. Të veshur me kostume me stof anglez, thotë ajo. Ky tjetri e kishte bërë copë-copë kostumin, e kishte shqyer. Tahoja ishte në rregull. I vizitoi doktor Vokopola dhe u thotë oficerëve që, për të parin s’kishte çfarë të bënte, sepse ai kishte kaluar…. ishte çmendur, kurse Tahoja ishte më mirë se më parë, por aty nuk kishte dhomë të veçantë që ta mbante.

Vjen halla e na e thotë këtë muhabet. Jo gëzim, por gëzim i jashtëzakonshëm!

Që babai qenkësh gjallë…?

Po. Mbas kësaj, ndodh një fenomen tjetër. Zef Bala, shofer i Parkut të Shkodrës, aksidentohet. I këputet kavoja e trupave dhe i dëmtohet shtylla kurrizore. E çojnë në Tiranë. Në atë kohë kishte ardhur një mjek nga Rumania dhe miqtë e Zef Balës, krijuan mundësinë që edhe ky të vizitohej atje. Tani, na thotë Zefi vetë, me gojën e tij: “U futa te paradhoma ku ishte mjeku dhe pashë të ulur në krahun e djathtë, Taho Sejkon mes dy burrave, dy civilë, oficerë të Sigurimit. Po, e pashë! Dhe ai më pa e mendova për momentin, po i flas, se i sëmurë jam…! Si je, shoku Taho? M’u përgjigj: Mirë, Zef, mirë”.

Ja, kaq! Tashti, gjithë këto lajme ishin haberet e para të kësaj situate të re, të kësaj gjendjeje.

Mbas kësaj, normalisht, muhabetet nuk shtereshin, vazhdonin në të gjitha format, në të gjitha mënyrat. Jo pak, por shumë. Nga burime nga më të ndryshmet vinin lajme. Është këtu, është atje, ka bashkëpunuar me Sigurimin, punon me Sigurimin, nga më të ndryshmet. Të gjitha këto lloje haberesh janë stërzgjatur deri në vitin 1990. Nëna ime vdiq në dhjetor të vitit 1984. Më mbeti mua detyra të bëja kërkimin për babain tim. Memorie.al

Continue Reading

DOSSIER

‘Kam shkuar me femra, por Partisë i kam qëndruar besnik’

Published

on

By

Një dokument sekret i Byrosë Politike, i vitit 1961, zbulon një ngjarje të pazakontë: njëri prej byroistëve më të vjetër i ka kërkuar udhëheqjes së Partisë ta ndëshkojë rëndë se është i poshtër, borgjez, gënjeshtar dhe imoral.

Më herët, Pilo Peristeri ka biseduar për këto çështje me Mehmet Shehun dhe i ka kërkuar ta ndihmojë për t’ia bërë prezente Enver Hoxhës. I befasuar nga ajo që i dëgjonin veshët, Shehu është munduar ta qetësojë dhe sa është ndarë me të, ka nxituar të takohet me Hoxhën. Në bisedë me këtë të fundit, i ka treguar rrëfimin e jashtëzakonshëm të Peristerit, i cili pohonte se kishte fshehur disa probleme serioze në biografi, se kishte përftuar padrejtësisht disa mijëra franga kur kishte qenë me një delegacion në Paris, se ishte marrë me femra dhe nuk ishte treguar i sinqertë me Partinë.

Enver Hoxha, i çuditur nga kjo sjellje e mikut të vjetër, e ka thirrur Peristerin dhe i ka thënë të mos shqetësohet për këto lloj gabimesh, të cilat përballë kontributeve të tij për Partinë, nuk kanë ndonjë peshë. Pilo ka falënderuar udhëheqësin për “ndihmën e çmuar” dhe në largim e sipër i ka pohuar se tashmë është i qartë dhe mund të flejë rehat.

Mirëpo, pa kaluar as 24 orë, ai është rrëfyer sërish te Hysni Kapo, asokohe sekretar i KQ-së: Unë jam i poshtër, i padenjë, borgjez, Partia duhet të më dënojë. Ashtu si dhe Mehmeti, Kapo i ka transmetuar Hoxhës fill e për pe atë që ka dëgjuar nga goja e byroistit më të hershëm.

 

Hoxha e gjykon se diçka s’shkon në këtë histori dhe e thërret në takim në prani të Mehmet Shehut. Sakaq, Pilo vazhdon me avazin e tij: Më dënoni, s’e meritoj të jem në Byronë Politike, kam bërë faje të rënda. Enveri e sqaron me durim, deri sa tjetri pranon se e ka kuptuar dhe ikën i lehtësuar. Por, sa kalon zyrën e shefit të Partisë, pushtohet sërish nga e njëjta gjendje dhe fillon të rrëfehet te çdonjëri nga liderët që takon, tashmë më shkujdesur:

 

Po, po, i kam bërë të gjitha, kam shkuar dhe me femra, kam vjedhur, shikoni me kujdes se për mua ka folur dhe Teme Sejko në gjyq. Më në fund, Pilo bëhet çështje delikate për Partinë dhe kushtëzon një takim urgjent të Byrosë Politike. Gazeta “Panorama” publikon sot procesverbalin e plotë të mbledhjes së panjohur me debatin për sjelljen misterioze të Pilo Peristerit…

Protokolli i mbledhjes së Byrosë Politike të datës 31 maj 1961 mbi çështjen e shokut Pilo Peristeri. Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë, shoku Enver Hoxha, shtroi përpara kësaj mbledhjeje të Byrosë Politike çështjen e shokut Pilo Peristeri. Shoku Enver informoi Byronë sa më poshtë: Përpara ndonjë jave, shoku Pilo kërkoi dhe takoi shokun Mehmet, të cilit i njoftoi se ishte shumë i shqetësuar, sepse një ditë më parë unë e paskam shikuar shtrembër, prandaj vuri pyetjen ç’ka dhe ç’dyshon për mua shoku Enver.

Kur shoku Mehmet iu përgjigj se shoku Enver nuk ka asnjë gjë kundër teje, po ç’të shtyri ty të mendosh një gjë të tillë, shoku Pilo iu përgjigj se kishte disa gjëra që nuk ia kishte thënë Partisë dhe shtoi se unë jam i poshtër, borgjez etj., etj. Sipas atyre që tha Pilo, del se ai nuk ka treguar në biografinë e tij se ka qenë një herë në Itali për ndonjë muaj dhe më vonë një herë në Greqi për nja dhjetë ditë për arsye se kishte sëmurë gruan e tij të parë. Përveç këtyre, ai thotë se kur ka shkuar një herë në Francë si delegat i Bashkimeve Profesionale paska shpenzuar disa mijëra franga franceze mbi dietën dhe këto s’i paska shlyer.

Shoku Mehmet e qetësoi, i tha se shoku Enver nuk ka asgjë me të dhe se këto gjëra që po i tregon janë çështje të vogla, por për çdo eventualitet eja të shkojmë te shoku Enver e të sqarohemi me të. Kështu, të dy shkuan te shoku Enver dhe biseduan mbi këto çështje. Shoku Enver e qetësoi, i tha se asgjë nuk ka me të, se nuk e ka shikuar ndryshe nga herët e tjera atë ditë për të cilin dyshon ai, po kush e di si ka qenë rasti, se shoku Enver nuk mund të ketë maska dhe t’i shikojë njerëzit sipas qejfit të tyre. Edhe për sa u përket çështjeve që shoku Pilo tha se nuk ia kishte bërë të ditur Partisë, shoku Enver i tha të qetësohej se ai tani më së fundi i tha dhe ato.

Prandaj e këshilloi që kjo të konsiderohej e mbyllur. Shoku Pilo tha se tani ishte i qartë, u qetësua, e falënderoi dhe u largua. Mirëpo, pas këtij takimi, shoku Pilo u takua edhe me shokun Hysni Kapo, të cilit i vuri në dukje të njëjtat gjëra. Edhe ai e qetësoi, i tha se ato nuk kanë ndonjë rëndësi të madhe.

Më vonë kërkoi një takim tjetër me shokun Enver dhe shokun Mehmet, para të cilëve shtroi çështjen se vuan shumë përbrenda, se e mundojnë ato gjëra që nuk ia ka thënë Partisë, se është i poshtër, i padenjë dhe borgjez etj. Gjatë fjalëve të tij, ai shfrente me të qara e dënesë, me histerizëm. Bile, shoku Pilo kërkoi që të pyeteshin gjer në fund Teme Sejkua me shokë se mos kanë gjë për të thënë edhe për Pilon.

Shoku Enver dhe Mehmeti e qetësuan dhe i thanë se vuan nga një lodhje e madhe nervore, se i janë shkatërruar nervat gjatë kësaj kohe, prandaj e këshilluan të qetësohet se ato që kish për të thënë, ia kish thënë Partisë dhe se Partia asnjë dyshim nuk ka tek ai, prandaj nuk ka pse të pyetet as Teme Sejkua, as kurrkush tjetër, sepse Partia e njeh si njeri të ndershëm. Shoku Enver, në konsultën me shokët Mehmet dhe Hysni, duke e vlerësuar këtë si diçka jo me karakter politik, vendosën që të mos e shqetësonin Byronë Politike, duke menduar se shoku Pilo do ta mbyllte me kaq.

Mirëpo, po të nesërmen, ai i bisedoi këto edhe me Tasi Mitrushin, të cilit i përsëriti të njëjtat çështje, se ishte i poshtër, borgjez etj. Pastaj këto ia thotë Haki Toskës dhe më në fund, pas referatit që bëri në seminarin me sekretarët e parë të komiteteve të Partisë të rretheve, shoku Ramiz Alia e kapi edhe këtë duke i përsëritur të njëjtat gjëra.

Kjo është mjaft serioze, -tha shoku Enver, -aq më tepër kur shoku Pilo ka arritur në konkluzionin se për të tëra këto ai donte të fliste hapur edhe përpara seminarit ku merrnin pjesë kuadrot kryesore të Partisë. Një gjë e tillë do të ishte një hap mjaft i rrezikshëm për Partinë. Duke menduar këto situata, – përfundoi shoku Enver, -ne thamë që këto t’i shtrojmë për diskutim në Byronë Politike. Tani shoku Pilo ta sqarojë Byronë mbi të gjitha këto çështje.

Pastaj e mori fjalën shoku Pilo, i cili tha se aprovonte plotësisht të gjitha ato që tha shoku Enver dhe shpjegoi se kur ka bërë autobiografinë, nga turpi, paska fshehur faktin që ka qenë në Itali dhe në Greqi me të shoqen dhe ca më vonë kur ka shkuar pas çlirimit në Francë ka shpenzuar disa franga franceze të tepërta, të cilat nuk i ka shlyer. Tha gjithashtu se kishte bërë edhe disa poshtërsira të tjera me femra etj. Të gjitha këto veprime, – vazhdoi shoku Pilo, -nuk janë të përshtatshme për një udhëheqës, sepse unë në fakt e kam gënjyer Partinë, nuk e kam merituar besimin që ajo më ka dhënë.

Unë, – tha shoku Pilo, -bëra një gabim shumë të madh që dyshova në sinqeritetin e shokut Enver, kur i shtrova shokut Mehmet që më është dukur sikur shoku Enver më pa me sy të shtrembër, por mendova se mos vallë shoku Enver kish marrë ndonjë raport nga poshtë kundër meje, sepse nga njëherë kur kam qenë në Dhërmi e gjetkë flisja ndonjë fjalë greqisht, prandaj për të treguar se unë nuk kam asgjë politike kërkova që të pyeten gjer në fund Teme Sejkua me shokë.

Por, unë, -përfundoi shoku Pilo, -e siguroj Byronë që në të gjithë veprimtarinë time nuk ka asgjë politike, por që të qetësohem, them se ajo të ngarkojë shokun Kadri Habiu për t’i verifikuar këto gjëra. Shokët e Byrosë, Mehmet Shehu, Beqir Balluku, Manush Myftiu, Rita Marko, Ramiz Alia, Haki Toska, Spiro Koleka dhe gjithë të tjerët e pyetën shokun Pilo, dhe i kërkuan të shpjegonte përse ai ngre një problem të tillë në këtë moment të vështirë që po kalon lëvizja komuniste ndërkombëtare, në një kohë kur kundër Partisë sonë drejtohen gjithë këto sulme të egra të revizionistëve dhe të Nikita Hrushovit?

Përse nuk u kujtua edhe më parë për një gjë të tillë dhe a mos është lëkundur ai nga kjo situatë, a mos është frikësuar nga situata e krijuar dhe si rrjedhojë, duke nxjerrë këto çështje kërkon të largohet nga Byroja Politike?

Duke iu përgjigjur këtyre pyetjeve, shoku Pilo tha se këto gjëra po e mundonin gjithnjë e më shumë tani, sepse ato po i dilnin edhe në Komitetin e Kontrollit të Partisë, ku shqyrtohen çështjet e sjelljeve jo të mira të komunistëve, ose çështje që kishin të bënin me abuzime nga ana e tyre, apo fshehje të gjërave në autobiografinë e komunistëve.

Shoku Pilo insistoi që Byroja të marrë masa kundër tij. Duke iu përgjigjur pyetjes së shokut Enver nëse ka ndonjë arsye politike në këtë çështje, shoku Pilo u përgjigj kategorikisht se asnjë arsye politike nuk ka. Pas diskutimeve që bënë shokët e Byrosë, shoku Enver bëri konkluzionet e mëposhtme: Ne e njohim shokun Pilo si një shok të vjetër që ka punuar për çështjen e komunizmit, për çështjen e Partisë dhe i themi se asnjë gjë, as një raport, asnjë çështje për të s’na ka ardhur dhe është shtruar në Byronë Politike, as në qeveri; as në Ministrinë e Brendshme ku të vihej në dyshim qëndrimi i tij politik.

Shoku Pilo tani shtron disa çështje që i ka fshehur në biografinë e tij, siç është çështja me frangat franceze, çështja me femrat etj. Natyrisht, këto janë të dënueshme nga Partia, por nuk janë aq të rënda sa të marrim masa ekstreme. Por çështja është përse shoku Pilo i ngre këto çështje pikërisht në këto moment. Ne duhet t’i flasim haptazi që t’i vërë gishtin dhe të vihet mirë në rrugën e drejtë të Partisë. Është e qartë se shoku Pilo së pari është tronditur në këtë situatë. Të gjitha presionet e armiqve, imperialistëve, revizionistëve etj., e kanë tronditur atë.

Shoku Pilo është frikësuar nga situatat, të cilat kanë shkaktuar tek ai një dobësim të theksuar të nervave. Së dyti, në këtë drejtim dhe që kjo rrjedh nga e para, ka influencuar edhe një lodhje e madhe nervore te Pilo. Shoku Pilo theksoi se në këto çështje s’ka asgjë politike. Po ne e besojmë, prandaj edhe e trajtojmë jo si një çështje politike. Po shoku Pilo ka bërë gabime të mëdha që mund të ktheheshin në një çështje të madhe politike.

Fakti është që edhe pas këshillave që iu dhanë për këto gjëra, ai ua shtroi shokëve njërit pas tjetrit dhe aq më keq kur deshi që ato t’i bënte problem edhe të kuadrove kryesorë të Partisë. Për ne fajet e shokut Pilo, poshtërsitë që thotë se ka bërë etj., nuk janë gjëra shumë të mëdha se ato nuk kanë shumë rëndësi. Po të ishin politike ato çështje që thua se të mundojnë, ta kesh të qartë se Byroja s’do të hezitonte aspak, por do të merrte masat përkatëse.

Shokut Pilo i është tronditur thellë besimi ndaj Partisë. Ai pati frikë t’i shkruante në biografinë e tij këto gjëra që thotë tani, të cilat, në fund të fundit, nuk ishin asnjë krim. Shoku Pilo pati frikë t’ia thoshte edhe më vonë këto gjëra Partisë dhe këtë gjë, besimin te Partia, shoku Pilo duhet ta ketë parasysh. Shoku Pilo ka mbeturina mikroborgjeze, madje shumë të theksuara.

Ai vetë ka bërë shumë pak për të luftuar këto mbeturina, ashtu siç ka bërë pak edhe për ngritjen e nivelit kulturor e ideologjik. Por detyra jonë është t’i shërojmë shokët, t’i shpëtojmë ata. Njeriu sëmuret nga gripi dhe doktori e shëron, njeriu sëmuret nga tifoja dhe doktori lufton ta shërojë, njeriu sëmuret nga tuberkulozi dhe doktori përsëri e shëron; njeriu sëmuret nga kanceri dhe mjeku bën gjithnjë përpjekje ta shpëtojë të sëmurin. Kështu bëjmë dhe ne me njerëzit, me komunistët. Ne duhet t’i shërojmë ata nga sëmundjet e ndryshme, t’i bëjmë luftëtarë të vendosur.

Duke marrë parasysh tronditjen nervore të shokut Pilo, të gjithë shokët e Byrosë Politike janë dakord që ai të bëjë një vizitë mjekësore dhe t’i jepet një leje me kohë të pacaktuar për pushim, derisa të shërohet plotësisht nga kriza që e ka kapur. E porosisim edhe një herë shokun Pilo që kësaj çështjeje t’i jepet fund njëherë e mirë nga kjo mbledhje e Byrosë, që ai këtë të mos e diskutojë jashtë me njerëzit. Pas fjalës së shokut Enver, shoku Pilo u shfaq dakord me konkluzionet e shokut Enver dhe premtoi se tashmë ai është i qartë, se do t’i zbatojë rekomandimet e Byrosë Politike.

Continue Reading

DOSSIER

Kush vrau dhe pse vrau më 2 prill 1991

Published

on

By

Aredin Shyti 

Në mesditën e datës 1 prill 1991, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatin zyrtar të zgjedhjeve. Partia Demokratike e Shqipërisë nëpërmjet kryetarit të saj, Sali Berishës, e pranoi rezultatin. E pranuan rezultatin e zgjedhjeve edhe partitë e tjera opozitare dhe askush nga përfaqësuesit e organizmave ndërkombëtarë dhe të përfaqësive diplomatike që mbikëqyrën procesin zgjedhor nuk vuri në dukje të meta që mund të vinin në diskutim rregullsinë e zgjedhjeve. Fitoren më të thellë PD e kishte arritur në Shkodër, ku fitoi 70 % të votave. Vetëm pak nga 19 zonat elektorale ishin në balotazh. Qetësia ditën e votimit kishte qenë e plotë, pa asnjë ngjarje sado të vogël.

Në mbrëmjen e datës 1 prill fola me të gjithë drejtuesit e Degëve të Brendshme në rrethet kryesore të vendit; diku me kryetarin e degës, diku me shefin e policisë. Në Shkodër kryetari i degës, Çapajev Taçi, ishte i shqetësuar se, sipas të dhënave që kishin marrë, të nesërmen, në datën 2 prill, do t’u vihej zjarri objekteve të cilësuara të Rëndësisë së Veçantë, pa fiksuar se cili apo cilët objekte do të digjeshin. Më pas fola edhe me shefin e policisë, Dilaver Papara. Edhe Dilaveri ishte shumë i shqetësuar. Si njëri dhe tjetri, më shpjeguan çfarë ndodhi dhe si kishin vepruar gjatë asaj dite/datës 1 prill. Të dyve u theksova domosdoshmërinë e ruajtjes së rendit.

Ato që më kujtoheshin për çfarë më ishte raportuar për zhvillimet e datës 1 prill i kam shënuar më vonë dhe po i jap të përmbledhura. Pas orëve të para të mëngjesit të datës 1 prill ishin grumbulluar një masë njerëzish rreth selisë së PD. Godina kishte qenë e përshtatur dhe kishte funksionuar për disa vite si Muzeu i Ateizmit. Pas dëmtimeve që kishte pësuar nga demonstrata e bërë në mesin e muajit dhjetor 1990, ishte riparuar dhe përshtatur si seli e PD. Dilaveri kishte shkuar atje bashkë me zëvendës-shefin e policisë, Gjek Celaj, për të biseduar me drejtuesit e PD që të ndihmonin të qetësohej gjendja. Të tubuarit hidhnin parullat e njohura kundër komunizmit dhe PPSH. Kryetari i degës së PD për Shkodrën, Pjetër Arbënori, nuk ishte në seli, por drejtuesit e policisë kishin takuar deputetët e zgjedhur, Ali Spahia dhe Azem Hajdari, si dhe drejtues të tjerë të PD që ishin në të njëjtën zyrë. Dilaveri dhe zëvendësi i tij u kishin kërkuar se ishte mirë që të bënin çfarë ishte e mundur të qetësonin turmën. Ali Spahia kishte përsëritur shprehjen e njohur se “nuk ishin të tyret dhe nuk kishin çfarë t’u bënin”. Dilaveri kishte kaluar në një propozim më konkret; PD të bënte një miting në sheshin e madh të qytetit, pranë shtatores së Isa Boletinit ose në stadium që të sqaronin e qetësonin mbështetësit dhe simpatizantët e partisë së tyre. Të gjithë drejtuesit e PD kishin heshtur disa çaste. Heshtjen e kishte prishur Hajdari. Azemi u kishte thënë kolegëve të tij se: “Shokët e policisë duheshin ndihmuar. Të bëhet siç thotë shefi i policisë”. Dilaveri kishte shfrytëzuar zemërgjerësinë e Azemit dhe në çast i kishte propozuar të dilte në ballkon dhe t’u fliste, duke i dhënë edhe megafonin. Azemi kishte pranuar, por me ato që i kishte thënë turmës ia kishte rritur edhe më shumë “zemëratën”. Duke folur përçart për dëgjuesit, ai qe rrëzuar dhe megafoni i kishte rënë nga dora. Megafoni ishte ndarë në copa. “Shyqyr me kaq!”, më tha Dilaveri. Me kalimin e minutave, turma kishte ardhur duke u zmadhuar, pjesëmarrësit kishin goditur me sende të forta policinë që ruante godinën e Komitetit të Partisë Punës dhe të Radio Shkodrës, ishin thyer disa xhame dhe ishin shkaktuar pak dëme të tjera.

Në pasdite Azem Hajdari, po ai Azem që kishte thënë se duheshin ndihmuar shokët e policisë, u kishte bërtitur atyre që qëndronin rreth selisë së PD se puna nuk ishte aty, por te Komiteti i Partisë së Punës. Policia ishte vënë në vështirësi nga agresiviteti i turmës, aq edhe nga pamjaftueshmëria e forcave të saj. Drejtuesit e PD nuk ishin dukur. Dilaveri kishte shkuar disa herë te zyrat e PD, por dera e selisë ishte mbyllur.

Disa persona nga turma ishin afruar në ndihmë të policisë për të penguar vandalistët. Me kërkesë të drejtuesve të policisë që ishin në terren Çapajevi kishte mundur të kontaktonte me Pjetër Abnorin dhe i ishte lutur të ndihmonin se turma ishte shumë e acaruar. Në mbrëmje Pjetri bashkë me Ali Spahinë dhe disa drejtues të tjerë të degës së PD kishin shkuar në ndihmë të policisë. Pjetri, nëpërmjet megafonit të policisë, u kishte thënë protestuesve vetëm një fjali: “Të ishin të qetë se PD kishte fituar në Shkodër”. Turma ishte shpërndarë pjesërisht. Pjesa tjetër kishte qëndruar deri rreth orës 21:30’. Disa nga të tubuarit flisnin me zë të lartë për t’u marrë vesh mes tyre që të mblidheshin aty të nesërmen në orën 09:00.

Çapajevi dhe Dilaveri ishin të bindur se drejtuesit e PD në Shkodër ishin të pasinqertë me ndihmën që kishin dhënë atë ditë. Çapajevi parashikonte se e nesërmja, data 2 prill, do të sillte rreziqe sepse kishte të dhëna se do t’u vihej zjarri objekteve të rëndësisë së veçantë. Të dhënat nuk përcaktonin drejtpërdrejt se cilat do të ishin objektet që do të digjeshin. Në përgjithësi këto ishin ato që kishin ndodhur në Shkodër në datën 1 prill. Edhe në vlerësim tim ato ishin më se të mjaftueshme që drejtuesit e policisë në Shkodër të shqetësoheshin për rreziqet që mund të kërcënonin qytetin në datën 2 prill.

As unë nga Tirana dhe as Çapajevi e Dilaveri që ishin në Shkodër nuk i jepnim dot përgjigje pyetjes: nga vinte kjo zemëratë? Votuesit e PD dhe të partive të tjera opozitare mund të ishin të mërzitur në rrethet e tjera të vendit, ku nuk kishin fituar shumicën e deputetëve, por në Shkodër kjo ishte krejtësisht e paarsyeshme. Është normale që kur nuk jep dot përgjigje pyetjes së shtruar do hamendësosh, aq sa ke kohë të mendosh përtej asaj që të është shtruar me ngut për zgjidhje. Personalisht nuk e vija në dyshim se kishim të bënim me kinse zemëratë. Kush ishte prapa saj dhe çfarë synonte?

Kam folur disa herë me Çapajevin dhe Dilaverin atë mbrëmje dhe nuk kam qenë në gjendje as disa ditë më pas t’i vija në radhë bisedat e bëra dhe hollësitë nga përmbajtja e tyre, aq më pak kur i shënoja për të mos u harruar. E sigurt është se ne u bëmë në një mendje që, pasi t’i shpjegonin situatën e rrezikshme që na priste, Çapajevi dhe Dilaveri t’i luteshin atë natë në telefon kryetares së Komitetit Ekzekutiv që në orët e para të mëngjesit të datës 2 prill të thërriste në takim drejtuesit e partive politike të rrethit dhe drejtuesit e policisë për t’u kërkuar të parandaloheshin grumbullimet e paligjshme sepse të dhënat flisnin se situata mund të dilte jashtë kontrollit dhe të bëhej shumë e rrezikshme për qytetin; të përgatitej një letër për degën e PD të rrethit me anën e të cilës t’u kërkohej drejtuesve të ndihmonin në parandalimin e grumbullimeve të paligjshme të cilat do të sillnin pasoja të rënda për qytetin.

Më kujtohet se gati e formuluam letrën (shkresën) për degën e PD gjatë bashkëbisedimeve me telefon. Nuk e zotëroj përmbajtjen përfundimtare të shkresës se do ta jepja të plotë tekstin e saj(Në gjyq ajo u lexua pjesërisht nga gjyqtari Qazim Gjonaj dhe kishte për qëllim të akuzonte nënshkruesin e shkresës, Çapajevin, se “ishte treguar arrogant me udhëheqësit e PD”. Meqë mungesa e arrogancës në shkresë u argumentua, Çapajevit po i kërkohej llogari pse e kishte dërguar shkresën. Çapajevi i habitur nga ajo akuzë më hodhi një vështrim që as harrohet dhe as përshkruhet dot).

Në përgjigje të pyetjeve shqetësuese dhe gjendjes që perceptova, në mëngjesin e datës 2 prill 1991 shkrova për të gjitha degët e Punëve Brendshme telegramin me këtë përmbajtje:

“Gjatë ditës së djeshme në qytetet Tiranë, Shkodër dhe Kavajë janë grumbulluar turma njerëzish në mënyrë të paligjshme duke hedhur parulla politike dhe fyese për personalitete të kombit. Forcat e policisë kanë ndërhyrë me agjitacion ose nuk kanë ndërhyrë fare. Qëndrime të tilla mbas datës 31 mars janë shumë të gabuara. Policia të ndërhyjë me ashpërsinë e ligjit dhe kurdoherë ushtrimi i forcës të shoqërohet me ndalimin e fajtorëve. Për të vepruar me forcën e shkopit të gomës nuk ka askush arsye të pyesë përgjegjësit. Godisni ashpër qysh në fillim të grumbullimeve. Për të paralizuar ata që nga turma mund të godasin me armë forcat tona zini lartësitë dominuese me qitës të përgatitur. Forcat tona që përleshen me turmat të mos shkojnë të armatosur”.

Vendosa që telegramin ta nënshkruante ministri. Me sa kujtoj, në datën 1 prill Gramozi nuk ishte në Tiranë, por në mëngjesin e datës 2 ishte në zyrë. Kur unë hyra ai ishte në këmbë, gati për të shkuar në një takim a mbledhje, ndoshta në Presidencë. Nuk kishim kohë të flisnim gjatë. I dhashë telegramin. Pasi e lexoi shfaqi mëdyshjen a ishte i nevojshëm të dërgohej. I thashë se ishte i nevojshëm. Ministri e nënshkroi dhe nuk qe nevoja për t’i thënë se koncepti dhe dorëshkrimi kishin të njëjtin autor.

Në mëngjesin e datës 2 prill 1991 fola me Çapajevin. Prej tij mësova se kryetarja, znj. Terezina Marubi, e kishte vlerësuar situatën dhe kishte njoftuar drejtuesit e partive politike të ishin në zyrën e saj në orën, që tani nuk e kujtoj. Shkresa ishte dorëzuar dhe se Dilaveri ishte ende në selinë e PD për të biseduar me drejtuesit që të ndihmonin në parandalimin e grumbullimit të paligjshëm dhe, rrjedhimisht, të parandalonin së bashku aktet vandaliste. Pak më vonë nga kjo bisedë, mbase jo më shumë se 30 minuta, Çapajevi më mori në telefon dhe më tha se deputetët Pjetër Arbënori dhe Ali Spahia ishin njohur me kërkesën e çuar me shkresë. Dilaveri u ishte lutur edhe me gojë që të ndihmonin për të parandaluar çdo të keqe. Pjetri nuk kishte folur, ndërsa Ali Spahia i kishte thënë prerazi: se nuk ishin të tyret, se as një ditë më parë nuk i kishin dëgjuar dhe se ata nuk do të merreshin me atë punë. Në vazhdim të bisedës Çapajevi më tha se Dilaveri ose Gjeka (njëri nga këta) e kishte njoftuar se një turmë rrugaçësh kishin kërcënuar hapur: “Do ta djegim!”. Me këto fjalë Çapajevi nënkuptonte se objektivi i kërcënuesve do të  ishte godina e Komitetit të Partisë, por nuk përjashtonte që të synonin djegien e godinës së Radio Shkodrës dhe atë të Komitetit Ekzekutiv.

Personat që kishin kërcënuar oficerin apo oficerët e policisë me shprehjen “do ta djegim” kishin thënë se do t’u bashkoheshin edhe studentët. I thashë Çapajevit të lidhej sërish me znj. Marubi dhe t’i shpjegonte se drejtuesve të PD u ishte dorëzuar një kërkesë me shkrim për të ndihmuar në qetësimin e gjendjes, si dhe për qëndrimin që ata kishin mbajtur. Çapajevi, pa vendosmëri, më tha se do ta njoftonte kryetaren. Pastaj shtoi se kryetarja nuk kishte çfarë të bënte më shumë se pas pak minutave do të fillonte mbledhjen me drejtuesit e PD dhe të tjerë.

Që të parandalohej përplasja e të tubuarve me policinë duhej parandaluar tubimi. I jam kthyer me mendje shumë herë asaj kohe dhe nuk kam gjetur mundësi të pashfrytëzuara nga përfaqësuesit e shtetit në Shkodër- drejtuesit e pushtetit vendor- dhe të Degës së Brendshme. Në orët që pasuan herë e merrja në telefon unë Çapajevin dhe herë më merrte ai. Mbledhja në Komitetin Ekzekutiv me përfaqësuesit e partive kishte filluar, por kryetari (Çapajevi) nuk kishte shpresë se drejtuesit e PD do të ndërronin mendje.

Turma ishte shpërndarë një a dy herë me ndërhyrjen e policisë, por nuk kishte shenja se do tërhiqej përfundimisht. Më pas do të mësoja se rreziku ishte i madh,se mbi policinë hidheshin lëndë plasëse dhe djegëse, mbi godinën e Komitetit të Partisë, gjithashtu. Sulmet po përshkallëzoheshin në drejtim të Radio Shkodrës dhe kryetari i Degës mendonte se po rritej rreziku për djegien e Radios, të Bibliotekës, të Komitetit të Partisë dhe të Komitetit Ekzekutiv që tre muaj më parë (në dhjetor) e kishte shpëtuar polica nga shkatërrimi dhe se forcat nuk mjaftonin për t’i mbrojtur të gjitha objektet. Ndoshta, jo saktësisht pas këtyre informacioneve, kryetari më tha se drejtuesit e PD ishin larguar nga mbledhja e thirrur në Komitetin Ekzekutiv, duke refuzuar të jepnin ndihmë për qetësimin e turmave. Mundet që ky ketë qenë çasti që Çapajevi më pyeti a duhet të përdorte një autoblindë për të çuar pak forca në ndihmë të mbrojtësve të godinave, sepse nuk çahej dot përmes turmave për të arritur tek objektet që mbroheshin nga policia. I thashë se nuk duhet të më pyeste mua për këtë, sepse nga larg nuk e çmoja dot gjendjen e sigurisë së vetë autoblindës dhe trupave që ajo do mbartte.

Në vazhdim, po nga kryetari i Degës, mora dijeni se godina e Komitetit të Partisë po digjej, se në shesh kishin çuar trupin e një personi të vrarë, se shefi i policisë, Dilaveri, dhe zëvendësshefi, Gjeka, ishin plagosur. Mbaj mend se informacionin për një person të vrarë e përcolla te ministri, Gramoz Ruçi, që ndodhej në mbledhje në Presidencë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Fadil Canaj, me urdhër të ministrit u nis për në Shkodër me një pjesë të Repartit 326. Mbase më parë se të nisej Fadili për në Shkodër, kryetari i Degës më kishte njoftuar se në spital ishin edhe dy persona të tjerë të vrarë dhe disa policë e qytetarë të plagosur. Çapajevi e vlerësonte shumë të rëndë gjendjen shëndetësore të njërit prej qytetarëve të plagosur dhe kërkoi të dërgohej një helikopter për ta transportuar në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Në çastin që po jepja urdhër që një nga helikopterët e policisë të nisej për në spitalin e Shkodrës ra zilja e telefonit tjetër. Përsëri Çapajevi që kërkonte të dërgohej një helikopter… Ishte e njëjta kërkesë dhe i thashë se helikopteri do të nisej. Më shumë kishte mundësi që Çapajevi të kishte menduar se kërkesën ia kishte bërë ndonjë zyrtari tjetër në ministri sesa të kishte harruar që e kishte përcjell njëherë tek unë. I plagosuri që u mbart me helikopter nga spitali i Shkodrës në Spitalin Ushtarak ishte Nazmi Kryeziu. Kur Fadili mbërriti në Shkodër godina e Komitetit të Partisë ishte djegur plotësisht, ndërsa Radio Shkodra dhe biblioteka ishin shpëtuar. Ndaj godinës së Komitetit Ekzekutiv nuk ishte bërë asnjë tentativë. Tubimet në rrethet e tjera nuk kishin pjesëmarrje të madhe dhe ishin shpërndarë me lehtësi nga policia. Në pasdite pyeta kryetarin e Degës për shëndetin e Dilaverit dhe të Gjekës. Më tha se Dilaveri goditjet i kishte marrë në kokë; plaga që i rridhte gjak ishte qepur e mjekuar, por kishte marrje mendsh, shikim të turbullt dhe për këto arsye ndodhej i shtrirë në zyrë. Gjeka nuk kishte marrë plagë, por kishte shkëputur lidhjen me oficerët dhe trupat për një kohë të shkurtër (Gjek Celaj e përshkruan në librin e tij atë që i kishte ndodhur). Kërkova të dërgohej sa më shpejt informacioni i plotë për ngjarjen. Përgjigjja e Çapajevit ishte se po punohet nga oficerët e ngarkuar.

Pak më vonë isha në zyrën e ministrit. Folëm kryesisht për pasojat dhe gjendjen e krijuar në Shkodër. Menjëherë pasi erdhi informacioni zyrtar i nënshkruar nga kryetari i Degës së Shkodrës u përpilua komunikata e Ministrisë. Komunikata u cilësua nga opozita “mashtrim për opinionin publik” se, sipas saj, ajo i rendiste ngjarjet në radhë të gabuar, sikur më parë kishte ndodhur djegia e Komitetit të Partisë, pastaj kishin ndodhur vrasjet. Në të vërtetë paragrafi i komunikatës që përshkruante ngjarjet e asaj date ishte marrë i plotë nga përshkrimi që bëhej në informacionin që dërgoi Dega e Brendshme në ministri dhe, edhe pse në të nuk thuhej se më parë ndodhi djegia e Komitetit të Partisë pastaj ndodhën vrasjet, radha e përmendjes së ndodhive ishte e tillë që mund ta nënkuptonte atë që pretendohej nga opozita. Nënkuptimin e mbështeste edhe interpretimi i qëllimshëm i fillimit të sulmit të dhunshëm mbi Komitetin e Partisë dhe vënies së zjarrit. Sulmi për shkatërrim e objektit nisi vërtet para se të pikasej vrasja e personit të parë.

Mendoj të sqaroj për ta theksuar se shënimet e mia për ngjarjen e 2 prillit janë ndërprerë pak ditë pas përfundimit të gjyqit dhe kanë rifilluar në vitin 1993. Më pas kanë vazhduar me ndërprerje të gjata deri në vitin 2000. Në këto shënime gjendet përmbajtja e raportimit me gojë të oficerit që shkoi në Spitalin Ushtarak për rastin e N. Kryeziut. E pasqyrova atë informacion në një paragraf, por e mënjanova ngaqë m’u lëkund siguria. Në kushtet që oficeri, që kam shënuar se më solli informacionin ka vdekur dy vjet më parë, vendosa të pyesja Dilaverin dhe Gjekën nëse kishin shënime ose mbanin mend nga përmbajtja e kartelës mjekësore dhe raporti i përpiluar nga eksperti mjekoligjor për këqyrjen e trupit të viktimës gjatë studimit të dosjes. Dilaveri nuk kujtonte gjë, ndërsa Gjeka ishte i sigurt se në dokument plaga e të ndjerit N. Kryeziu përshkruhej tejshpuese. Kjo do të thotë se gjatë ndërhyrjes kirurgjike nuk mund të jetë gjetur plumb. Një ditë pas operacionit, në datën 3 prill, i plagosuri vdiq nga plaga që kishte marrë në pjesën e sipërme të shpinës. Dosja e këtij procesi penal është djegur në janar 1998 gjatë zjarrvënieve të frymëzuara nga Sali Berisha në Shkodër, Tropojë etj. Në këto rrethana e shmanga paragrafin që kisha shkruar.

Do të ishte spekulative të thuhet se Gjykata e Shkodrës u dogj në janar të vitit 1998, sepse duhej djegur dosja e ngjarjes së 2 prillit 1991. Por, është plotësisht e logjikshme të thuash se kush ishin të interesuar që ajo dosje të digjej.

*Ish-ministër i Brendshëm dhe drejtues i policisë shqiptare pas rënies së regjimit komunist (1991-1992) (Fragment nga libri “Përballë së keqes” i Aredin Shytit, botimet “Naimi”, Tiranë 2022. Marrë për botim në këtë gazetë me lejen e autorit dhe shtëpisë botuese)

Continue Reading

DOSSIER

Ngjarjet për të mos harruar/ Falcone dhe Borsellino, masakrat 30 vjet më parë

Published

on

By

Ekspozita fotografike mbi dy magjistratët e instaluar në aeroportin e Palermos

Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino do të kujtohen, tridhjetë vjet pas masakrave të vitit 1992, në rrjedhën e një sërë ngjarjesh të promovuara nga ANSA që do të nisin këtë javë dhe do të vazhdojnë gjatë gjithë vitit.

Në veçanti, ekspozita fotografike “Trashëgimia e Falcone dhe Borsellino”, e inauguruar për herë të parë në vitin 2012 nga kreu i atëhershëm i shtetit Giorgio Napolitano, është përditësuar dhe rishikuar, e cila së bashku me një film dokumentar rindërton fazat themelore të jetës. të dy magjistratëve, që nga fëmijëria në lagjen Kalsa të Palermos deri në fundin e tyre tragjik në sulmet e Capaci-t dhe nëpërmjet D’Amelio, të cilat i kushtuan jetën edhe tetë oficerëve të shoqërimit.

Ekspozita tani do të instalohet gjithashtu përgjithmonë në aeroportin ndërkombëtar të Palermos që mban emrin e dy magjistratëve.

Studenti, dirigenti scolastici e carabinieri presenti nella biblioteca di Telese Terme ( Benevento) in occasione dell’inaugurazione della mostra fotografica “L’eredità di Falcone e Borsellino” realizzata dall’agenzia Ansa con la direzione generale dello studente ed il ministero dell’Istruzione, 20 aprile 2022. ANSA / CIRO FUSCO

Ekspozita dhe dokumentari vitet e fundit janë parë nga mijëra studentë, në shkolla në të gjithë Italinë, si dhe janë pritur në vende institucionale si Dhoma e Deputetëve, Parlamenti Evropian në Bruksel, selia e OSBE-së në Vjenë dhe Asambleja rajonale siciliane.

Ngjarja e parë u zhvillua më 17 maj në Caltanissetta, në ish Palazzo delle Poste sot selia e Fondacionit Sicana, në via Francesco Crispi 25 në orën 5 pasdite Pas përshëndetjeve të presidentit të Fondacionit dhe të Bankës Sicana Giuseppe Di. Forti, i prefektes Chiara Armenia dhe kryetarit të bashkisë Roberto Gambino, u shfaq filmi dokumentar i ANSA.

Roli i Falcone dhe Borsellino në luftën kundër mafies do të kujtohet gjatë një debati me prokurorin e Caltanissetta Salvatore De Luca dhe këshilltarin e Gjykatës së Apelit Giovanbattista Tona, të koordinuar nga drejtori i redaksisë siçiliane Francesco Nuccio. Në fund, ceremonia e hapjes do të bëhet për vizitat në ekspozitën fotografike të organizuar në Palazzo.

L’arrivo della nave della legalità con le foto dei giudici Falcone e Borsellino per la commemorazione della strage di Capaci al porto di Palermo, 23 maggio 2017.
ANSA / FRANCO LANNINO

Takimi i dytë, i promovuar nga gazeta La Sicilia, është caktuar për të mërkurën më 18 maj në Katania në Oratorio delle Salette në rrethin San Cristoforo në orën 10.30.

Shfaqja e dokumentarit të ANSA dhe ndërhyrjet e prefektes Maria Carmela Librizzi, prokurorit të Katanias Carmelo Zuccaro, kryetarit të Gjykatës për të Mitur Roberto Di Bella dhe drejtorit të gazetës La Sicilia Antonello Piraneo nxitën një debat mbi figurën e dy magjistratë me nxënësit e shkollës të pranishëm në këtë event.

Së fundi, të premten e datës 20 maj në orën 11:00, ceremonia e hapjes së ekspozitës dhe prezantimi i katalogut përkatës do të bëhet në sallën e para-borkimit të aeroportit ndërkombëtar të Palermos. Në veprimtarinë e organizuar së bashku me Gesap, kompaninë e menaxhimit të aeroportit, Fondacionin Federico II dhe Rajonin Siçiliane, do të marrin pjesë familjet e viktimave, autoritetet civile dhe ushtarake dhe presidenti i ANSA Giulio Anselmi.

Continue Reading
Advertisement
Advertisement

TRENDING