Bota

Vdekja e Amini, protesta në Paris dhe Stokholm

Europa nuk injoron vdekjen e Amini, protesta në Paris dhe Stokholm

Në Europë, njerëzit kanë dalë në rrugë për Mahsa Amini, vajzën e re kurdo-iraniane që vdiq pasi u arrestua nga policia morale e Teheranit, për mosmbajtjen e mbulesës sipas ligjit të Republikës Islamike. Nga Parisi në Stokholm, dhjetëra njerëz u rreshtuan krahas qytetarëve iranianë që vuajnë nga grushti i fortë i regjimit në Iran.

Në Stokholm rrugët ishin të mbushura me foto të vajzës, flamuj kombëtarë iranianë dhe ato të partisë kryesore opozitare Moxhahedin.

Ndërkohë Irani është në kaos

Numri i të vdekurve pas tetë ditë protestash për vdekjen e Amini po rritet dita ditës. Televizioni shtetëror flet për 35 viktima por sipas disa OJQ-ve, numri I të vdekurve është mbi 50

Partia kryesore reformiste iraniane i ka kërkuar shtetit të revokojë ligjin për shaminë e detyrueshme, i cili që nga viti 1983 i detyron gratë iraniane dhe të huaja, pavarësisht nga feja e tyre, të dalin me kokë të mbuluar.

Mahsa Amini, 22 vjeçe, u arrestua nga policia morale më 13 shtator në Teheran për “veshje të papërshtatshme”. Ajo vdiq pas tre ditësh në koma në spital.

Ndërkohë regjimi Iranian, duke dashur të tregojë mbështetjen popullore që gëzon, ka organizuar antimitingje në favor të ajatollahëve dhe mbulesës së detyrueshme për gratë. Mbështetësit kërkuan që të “ekzekutohen” ata që dalin kundër mbulesës për gratë.

Presidenti iranian Ebrahim Raisi i ka cilësuar protestuesit e këtyre ditëve si armiq të shtetit, të cilët sipas tij, duan të krijojnë trazira.

Duke ndjekur rrugën e bashkatdhetarëve të tyre, dhjetëra iranianë protestuan duke prerë flokët dhe duke djegur hixhabin para ambasadës iraniane në Bruksel. Protesta ka patur edhe jashtë ambasadës në Norvegji.

TRENDING

Exit mobile version