Politike

26 nëntori i vitit 2019 ishte dhe do mbetet në kujtesë si momenti më i vështirë për gjeneratën tonë

Të nderuar kolegë deputetë,

26 nëntori i vitit 2019 ishte dhe do mbetet në kujtesë si momenti më i vështirë për gjeneratën tonë.

Shumë prej familjeve shqiptare iu desh të përballen direkt me pasojat e një tërmeti apokaliptik. Vetëm tre muaj pas tërmetit filluam të merremi me humbjen dhe vuajtjet e të afërmve të shumë prej nesh në luftën me virusin e rrezikshëm.

26 nëntori i vitit 2019 la pas 51 të vdekur, pothuajse 1000 të plagosur! Më shumë se 14 000 familje në më pak se një minutë humbën gjithçka kishin, çatinë mbi krye.

Bashkë me forcat e para të strukturave të shtetit, i pari që mbërriti në Durrës ishte kryeministri Edi Rama. Menjëherë filloi misioni i kërkim – shpëtimit nën rrënoja.

Mirënjohje të thellë për solidaritetin e fqinjëve e kujtdo tjetër miku që na u gjend pranë qoftë në orët e para të pas tërmetit e qoftë për mbështetjen e paimagjinueshme të bërë shembull në Konferencën e Donatorëve. Më shumë se 100 vende e organizma financiarë ofruan rreth 1.15 miliard euro në dispozicion të rindërtimit të Shqipërisë.

Tashmë që kemi të gjithë mundësinë të hedhim sytë pas, e të shohim me qetësi, duket ende e pamundur sesi u arrit tu jepet strehë, ushqim, perspektivë e qartë në një kohë rekord atyre mijëra familjeve.

Duket pothuajse e paimagjinueshme sesi u sistemuan me mijëra njerëz në hotele në kushte optimale, me kujdes të posaçëm shëndetësor për të sëmurët  e shërbim të dedikuar arsimor për fëmijët e tyre. Duket e paimagjinueshme po ashtu sesi mijëra të tjerë u sistemuan në kohë rekord në shtëpi me qera dhe sesi mijëra të tjerëve Shtabi i Emergjencës u siguroi çadra dimërore brenda oborreve të shtëpive të tyre të pabanueshme në fshat.

Ne i thamë çdo familje e çdo shqiptari e shqiptareje të prekur nga tërmeti: ti nuk do të jesh kurrë vetëm!

Përballuam me dinjitet e shumë përgjegjësi situatën e krijuar edhe pse, na duhet ta themi, kurrë më parë Shqipëria nuk ishte gjendur e përballur me një situat të tillë qoftë nga tërmeti e qoftë nga pandemia botërore.

Do ti mbajmë mend gjatë ato ditë ku si rrallëherë shqiptarët u bënë bashkë me njëri-tjetrin. Do i mbajmë mend gjatë sepse ishte një moment i veçantë solidariteti edhe pse ndonjë hienë në krahun tjetër të politikës nuk e zgjati shumë solidaritetin. Shumë shpejt na u desh të përballemi edhe me kujën e paskrupullt të hienave që tentuan të ngjallin mosbesim, që tentuan të flasin për zi dhe për humbje shprese që kulmoi me një shpërthim si ky i ditëve të fundit të klithmave fill pas suksesit të Konferencës së Donatorëve teksa në botë dhe në Shqipëri po mbërrinte një fatkeqësi tjetër.

Politikanë të pashpresë, ushtarë të dëshpëruar të së keqes, njerëz të trembur deri në palcë  nga efektet, që sapo kanë filluar, e reformës në drejtësi. Të gatshëm të përdorin një fatkeqësi natyrore apo një pandemi botërore si koronavirusi për të shpërndarë panik, nxitur ankth dhe kërkuar rrëmujë.

Përgjatë këtij një viti në Shqipëri përveç luftës me armikun e padukshëm si edhe procesin e rindërtimit, është zhvilluar dhe po zhvillohet edhe një betejë me panikun që tentuan dhe po tentojnë të përhapin kasandrat e opozitës rrugore.

Ndërsa Lulzim Basha, i vetmi shqiptar që u zgjua pas tërmetit me dy vila, sa herë u gjend dhe gjendet në çadrat pas tërmetit, flet me lot krokodili se gjoja qeveria i ka lënë në harresë.

Me pandeminë kasandrat kanë shkuar deri në makabritet duke folur qoftë për çështje numrash në morgje, qoftë duke abuzuar në televizione apo nga divanet ku bëjnë postimet në “Facebook”.

Në fillim, përsa i përket pandemisë, kasandrat kundërshtonin thirrjet dhe përdorimin e çdo mjeti komunikimi për të qëndruar në shtëpi e për të larë duart në çdo moment. Përmes konferencave për shtyp nga divani i bënin thirrje shqiptarëve të mos dëgjonin Edi Ramën për të larë duart. Më pas filloi histeria për testet masive, një histeri që e rrëzoi vetë Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Vetëasgjesimi i çdo norme morale e njërzore brenda opozitës rrugore degradoi në akuzat për fshehjen e vdekjeve dhe pasojat që po sjell pandemia.

Lulzim Basha nuk paska pasur as pikë turpi, as nder, as respekt e as kufinj moralë qoftë për mënyrën e trajtimit të pasojave të tërmetit, qoftë në mënyrën e trajtimit e të solidaritetit njerëzor që do të kemi në përballjen me këtë pandemi.

Të bësh politikë me vdekjen dhe të sulmosh sot mjekët, infermierët dhe stafet mjekësore është një turp që Lulit dhe sojit të tij nuk do ti harrohet kurrë.

Do doja të merrja një për një të gjitha shifrat e realizimit të deritanishëm të procesit të rindërtimit! Është një proces shembullor. Gjej rastin ta falenderoj Kuvendin e Shqipërisë që në buxhetin e vitit 2021 ka miratuar plot 280 milion dollarë në funksion të rindërtimit.

Procesi po ecën në mënyrë shembullore. Ne kemi arritur të jemi në përmbyllje të një pjese të parë të projekteve, ku ndër to nënvizoj shkollat e përfunduara deri tani.

Dua të them se nga sot deri në 31 dhjetor përmbyllen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit edhe 16 shkolla të tjera.

Ne i qëndrojmë angazhimit tonë që të gjitha banesat në fshat do përfundojnë brenda afatit që kemi vendosur.

Kryeministri Edi Rama përmbyll sot një prej marrëveshjeve më të mëdha përgjatë procesit të rindërtimit. Ky është shembulli më i qartë i një angazhimi efikas.

Gjej rastin të them se në kohë të vështira duhen njerëz të fortë që dinë të drejtojnë vendin.

Shqipëria e ka ekipin, Shqipëria e ka lidershipin! Me kryeministrin Edi Rama ne i qëndrojmë angazhimit tonë për çdo familje shqiptare.

U kemi thënë që nuk do jeni kurrë vetëm dhe do i qëndrojmë angazhimit tonë!

Ju faleminderit!

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version