Kosova

‘3 vite pa monarkun e Kosovës, Hashim Thaçi’

Janë bërë tri vite që kur Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit, pasi Gjykata Speciale ngriti aktakuzë ndaj tij, për vrasjen e anëtarëve te Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Sipas profesor Enver Bytyçi, Hashim Thaçi do të njihet si njeri që në Kosovë nxiti dhe inkurajoi korrupsionin dhe krimin e organizuar.

“Gabimi më i madh i Hashimit ishte imitimi i metodave përçarëse dhe autoritariste të Rilindjes se Edi Ramës në Shqipëri dhe roli i vasalit ndaj tyre. Kjo e çoi atë te prehri i Akesandër Vuçiç. Punoi në tri vitet e fundit si president për ndryshimin e kufijve dhe ndarjen e Kosovës në funksion të përfitimit të territoreve nga ana e Serbisë”. – shkruan profesori Bytyçi, sipas të cilit, edhe sot Kosova po i vuan pasojat e Hashim Thaçit.

“Nëse Thaçi do vazhdonte të ishte president ose kryeministër i Kosovës, ai do kishte fortifikuar oligarkinë financiare, politike e mediatike në Kosovë, në modelin e Edi Ramës në Shqipëri. Do ishte jo thjesht një president apo një kryeministër, por një padishah ose monark i Kosovës” – ka deklaruar Enver Bytyçi

Ai shkruan se për të gjitha këto arsye, është i lumtur që Thaçi iku nga pushteti, por nuk është dhe aq I lumtur për vuajtjet e tij në Hagë.

“Do të doja që drejtësia në Kosovë ta kishte bërë detyrën e saj si duhet dhe ndoshta në gjendje të lirë ta hetonte e gjykonte edhe Hashim Thaçin. Por dihet tashmë se Haga është produkt i dështimit të të bërit drejtësi nga gjykatat në territorin e Kosovës. Këto gjykata dhe prokuroria e Kosovës nuk mundën qoftë edhe një kriminel vrasës të aktivistëve të LDK-së ta identifikonin e ta dënonin. Nëse ndodh që në Hagë zbulohen dhe dënohen autorët e këtyre vrasjeve, atëherë unë do të them se ia ka vlejtë edhe arrestimi i Hashim Thaçit” – ka potencuar profesor, doktor Enver Bytyçi.

TRENDING

Exit mobile version