Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi publikisht homologun e tij rus Vladimir Putin para disa ditësh se nëse ky i fundit nuk do të përmbushte kërkesën e tij për t’u dhënë fund luftimeve në Ukrainë, Rusia do të përballej me sanksione edhe më të rënda.

Megjithatë, teksa afati i kërcënimit të Trump skadon pas dy ditësh, pra në 8 gusht, ende nuk ka asnjë sinjal lëshimi nga Kremlini.

Trump ka kërcënuar se do ta godasë Rusinë me sanksione të reja dhe do të vendosë tarifa 100% për vendet që blejnë naftën e saj, çka besohet se do të dobësojë tejmase aftësinë e Moskës për të mbajtur gjallë makinerinë e luftës në Ukrainë si një prej vendeve kryesore të eksportit të naftës në botë.

Vetë Trump u shpreh para pak ditësh se ndikimi në çmimin e naftës do ta bënte Putinin që të ndalonte vrasjet.

Nga ana tjetër kanalet diplomatike kanë vijuar punën, teksa ditën e sotme i dërguari i posaçëm i presidentit Trump, Steve Witkoff mbërriti në Moskë dhe zhvilloi një takim me presidentin rus Putin që raportohet se zgjati rreth 3 orë.

Në përfundim të tij, ndihmësi i Putin, Yuri Ushakov u shpreh se palët kanë patur një diskutim konstruktiv dhe të dobishëm dhe se janë shkëmbyer sinjale në lidhje me konfliktin në Ukrainë, pa zbuluar më shumë detaje.

Sakaq, edhe Kievi nuk ka mbetur në qetësi, teksa agjencia e lajmeve Reuters raportoi se presidenti ukrainas Volodymyyr Zelensky ka zhvilluar një telefonatë me Trump gjatë kohës së Witkoff ishte duke biseduar me Putin në Moskë.

Megjithatë ende nuk janë zbuluar detaje nga ky komunikim mes liderëve, ndërsa në muajt e fundit Trump ka arritur të bindë Zelenskyn që të ndryshojë qëndrim drejt një zgjidhjeje diplomatike me Rusinë.

Pavarësisht zhvillimeve të fundit, ka qenë vetë Shtëpia e Bardhë që ka sqaruar përmes një zëdhënësi të saj ditën e sotme se edhe pse takimi i Witkoff me Putin ka shkuar mirë, Uashingtoni planifikon të vijojë me sanksionet dytësore ndaj Rusisë të premten.

“Rusët janë të etur të vazhdojnë të angazhohen me Shtetet e Bashkuara. Sanksionet dytësore pritet të zbatohen të premten”, tha zyrtari i Shtëpisë së Bardhë duke konfirmuar qëndrimin e Trump ndaj ultimatumit të dhënë më parë.