Kronike

5 të arrestuar në Lezhë, ja për çfarë akuzohen

Policia e Lezhës ka vënë në pranga 5 shtetas dhe ka proceduar në gjendje të lirë 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mirditë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin A. B., 54 vjeç, banues në Mirditë, pasi u konstatua në aksin rrugor “Rrëshen-Rrubik”, duke transportuar me kamion, 15 m3 dru zjarri pa dokumentacionin përkatës. Kamioni dhe sasia e druve u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Po nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mirditë u referuan materialet në Prokurori dhe ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. P., 47 vjeç, banues në Mirditë, pasi është konstatuar duke djegur qymyr. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 kamionë me qymyr pa dokumentacion përkatës.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin kanë ndaluar me iniciativë shtetasin S. A., 27 vjeç, banues në Kurbin, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetueses së tij.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë kanë kapur dhe ndaluar shtetasin e shpallur në kërkim E. C., 19 vjeç, banues në Lezhë, të cilin Gjykata e Lezhës, në muajin gusht 2022, e ka dënuar me 1 muaj burgim, për veprën penale “Vjedhja”.

Specialistët e Seksionit të Qarkullimit Rrugor kanë arrestuar në flagrancë shtetasit:

A. N., 36 vjeç, banues Lezhë, pasi është kapur duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur;

B. K., 21 vjeç, banues në Kurbin, pasi është kapur në Laç, duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

TRENDING

Exit mobile version