Politike

615 pallate do të jenë shumë më të sigurtë e më të bukur

Në Durrës, pallatet e rikonstruktuara, jo vetëm në mjediset e brendshme, por të transformuara edhe nga jashtë, i kanë dhuruar qytetit një pamje të re. 458 pallateve në shtatë lote, shumë prej tyre të ndërtuara dekada më parë i bashkohen edhe 157 pallate në dy lotet e fundit, duke bërë kështu që plot 615 pallate do të jenë shumë më të sigurtë e më të bukur sesa në natën tragjike të 26 nëntorit të shkuar.
Disa pallate të lotit të parë, ku puna ka përfunduar, i vizitoi sot Kryeministri Edi Rama. “Këtu jemi tek loti i parë i ambienteve të përbashkëta. Është një pallat DS3 me lartësi prej 12 katesh. Ka filluar puna me riparimin e ambienteve të brendshme, pasi shkallët kanë pasur dëme të konsiderueshme në mure. Në këtë situatë kemi 458 objekte, të cilat do të bëhen me këtë ndërhyrje. Ka filluar një pjesë e tyre dhe me këte rast duam të garantojme te gjithë qytetarët që, siç po bëhen këto objekte që ne po shohim, ashtu do të bëhen të gjitha projektet. Ndërkohë kemi dhe lotet e tjera në procedurë që bashkë shkojnë në një numër total rreth 600 objekte. Ndërkohë kemi filluar analizën e detajuar për projektin e dëmtimeve DS4”, – u shpreh kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako.
Diku më larg janë disa ndërtesa, të cilat veç dëmeve të tërmetit, kanë qenë edhe të amortizuara nga koha. Ndërhyrjet rikonstruktuese do të trajtojnë edhe këtë problematikë. “Këto kanë dëme të lehta në strukturë dhe të moderuara në muraturë. Kanë qënë objekte të amortizuara nga koha. Tani me këto ndërhyrje që po bëjmë po trajtohet komplet objekti”, – vijoi Sako, e cila tha ndër të tjera se “kjo ndërhyrje po bëhet paralelisht në të gjithë qytetin, në Shkëmbin e Kavajës dhe në njësitë administrative.”
Kryeministri hyri në një prej apartamenteve, i cili duket si ri falë rikonstruksionit. “Shtëpia ishte e rrënuar në çdo cep. Mora grantin e rikonstruksionit. Faleminderit prej jush”, – u shpreh kryefamiljari.
Më pas, Kryeministri bisedoi me një grup banorësh të një pallati, të klasifikuar me dëmtime të nivelit DS5 dhe për të cilin do të bëhet një analizë e dytë.
“Më thanë që nga analiza që është bërë ka dalë me dëmtime serioze. Do bëhet dhe një analizë e fundit dhe ose do të bëhet rikonstruksion i thellë, ose do të bëhet nga e para dhe do të merrni shtëpi të re. Në rast se do të bëhet nga e para, do ta bëjmë po këtu, pa luajtur vendit. Secili aty ku e ka, të njëjtën hapësirë, ndoshta dhe pak më shumë. Do të vazhdoni të merrni bonusin deri sa të bëhet e re. Por duhet pritur dhe përgjigja e fundit nga specialistët”, – tha Kryeministri për banorët.​

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version