Politike

6200 familje që i rikthehen normalitetit brenda muajit janar

Në Durrës, puna për rikonstruksionin e dëmeve të lehta vijon në të 7 lotet, për 459 pallate të dëmtuara nga tërmeti deri në nivelin DS1, DS2, DS3. Ndërkohë do të nisë së shpejti puna edhe në dy lotet e fundit, duke e çuar në 647 numrin e pallateve ku procesi i riparimeve të brendshme do të mbyllet në dy muajt e parë të vitit që vjen.

Kryeministri Edi Rama ishte sot sërish në Durrës, për të ndjekur ecurinë punimeve të realizuara deri tani. “Nga 7 lote, pra, 459 objekte shtohen edhe pjesa tjetër, bëhen 647 pallate, të cilat do të mbarohen fundi i dhjetorit fillimi i janarit në riparimet e lehta. Këto përkthehen në 6200 familje që i rikthehen normalitetit brenda muajit janar. Është një shifër shumë domethënëse. Ndërkohë problemet që kanë mbetur janë me DS4,  rreth 124 pallate, të cilat kemi filluar hartimin e projekteve. Për një pjesë prej tyre kemi bërë kërkesën e parë për financim tek ministria. Janë 6 pallatet e para, të cilat kemi arritur të mbyllim projektet, pastaj themi se procesi është i prekur në të gjitha aspektet. Edhe ritmet janë shumë të mira,” – tha kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako.

Ministri për Rindërtimin Ahmetaj shtoi se me “DS4 do ecim me financim në dhjetor-janar, edhe me buxhetin e këtij viti dhe me buxhetin e vitit tjetër, që të mbarohen, le të themi, brenda prillit.”

Gjithashtu, grantet për riparimin e mjediseve të brendshme janë shpërndarë për pjesën më të madhe të familjeve. “35 milionë dollarë janë të granteve që ne i japim cash dhe 10 milionë dollarë janë për riparimin e ambienteve të përbashkëta. Kemi likujtuar 9300 familje deri tani, jemi 90% drejt fundit të procesit,” – shpjegoi kryebashkiakja Sako.

Më pas, Kryeministri vizitoi një apartament të përfunduar, në një pallat me dëmtim të nivelit DS3. Familja, me grantin e rikonstruksionit të dhënë nga bashkia ka rikonstruktur të gjitha dëmtimet e brendshme, duke i dhënë apartamentit një pamje të re. “Falenderojmë qeverinë dhe Bashkinë Durrës për ndihmën që na dhanë për të përballuar pasojat e tërmetit. U jemi mirënjohës,” – u shpreh kryefamiljari.

Gjithashtu, ka nisur puna për pallatet e reja me dy kantieret e para dhe brenda 60 ditëve të gjitha kantieret e pallateve do të jenë të hapura, përfshirë edhe kantierin e madh të infrastrukturës në lagjen e re në Spitallë “Ky është një nga pallatet e pikëzuara që do të ndërtohet aty ku ka qenë, por me një ndryshim. Në bazament do të ketë pilota, sepse gjeologjia është e butë. Ka qenë 6 kate, do jetë 8 kate. Ka qenë 36 familje, do jetë 48 familje. Ky është një nga të parët e lotit të parë dhe me Abu Dabin fillojmë në krye të 30 ditëve,” – tha Ministri Ahmetaj.

Në përfundim janë edhe projektet e zbatimit për meremetimet e thella në pallatet me dëme DS4, për të cilat nis së shpejti ngritja e skelave.​

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version