Politike

75 vjet NATO/ Begaj: Pa aleancën, siguria e paimagjinueshme

Politika shqiptare ka përshëndetur 15-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, si edhe 75-vjetorin e themelimit të NATOS, të cilat përkojnë me një vit. Kreu i Shtetit, Bajram Begaj në një postim të ndarë në rrjetet sociale vlerëson rolin e NATO-s, duke thënë se siguria globale do ishte e paimagjinueshme pa aleancën.

“Sot, në 75-vjetorin e NATO-s, na bashkon mirënjohja me aleatët tanë. Uniteti dhe vendosmëria janë shtyllat që e kanë formuar botën tonë të sigurt. Pa NATO-n, siguria globale është e paimagjinueshme”.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi thotë se anëtarësimi ynë në NATO ishte një moment historik për vendin tonë. Ai thekson se Shqipëria ka treguar përkushtim të palëkundur për sigurinë dhe stabilitetin rajonal, si edhe kemi kontribuuar në misionet e paqes dhe sigurisë në botë.

“15 vjet në familjen e NATO-s, një moment historik për Shqipërinë, dëshmi e dedikimit tonë për sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Në këto vite, vendi ynë ka treguar përkushtim të palëkundur ndaj vlerave të Aleancës dhe ka kontribuar në misionet e paqes dhe sigurisë nëpër botë. Mirënjohje të gjithë efektivëve të Forcave të Armatosura për kontributin dhe angazhimin tuaj për të bërë këtë rrugë të mundur. Vazhdojmë të punojmë për një të ardhme më të sigurt dhe të qëndrueshme për të gjithë”, shkruan Peleshi.

Edhe ministri i jashtëm teksa vlerëson rolin e NATO në 75-vjetorin themelimit, thekson se Shqipëria la luajtur rol në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Për Shqipërinë, data 1 Prill 2009, shënon një moment kyç në historinë tonë dhe një afirmim të aspiratave tona për të krijuar një shtet modern demokratik. Anëtarësimi në NATO për ne nuk ishte thjesht për të përfituar siguri; ishte gjithashtu për rrënjosjen e vendit tonë mes familjes demokratike, perëndimore të kombeve.

Në vitet që pasuan, ne kemi bërë maksimumin për të kontribuar në Aleancë, duke luajtur një rol të rëndësishëm, proaktiv në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit të rajonit tonë dhe duke kontribuar në misione dhe operacione në të gjithë globin”, shkruan Hasani.

NATO feston këtë vit 75 vjetorin e themelimit. E krijuar më 4 prill 1949 Aleanca më e madhe politike dhe ushtarake e vendeve nga Evropa dhe Amerika e Veriut shënon kështu 75 vite mbrojtje kolektive. Ndërkohë, më 1 prill Shqipëria shënoi 15-vjetorin e anëtarësimit në aleancë.

TRENDING

Exit mobile version