DOSSIER

Agjenti që mashtroi Sigurimin e Shtetit dhe Kadri Hazbiun: U mori 8 mijë dollarë, se do u sillte sekretin e bombës atomike…

Nga Ferdinand Dervishi

Dëshmia e Llambi Peçinit, ish – kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme në Vlorë, është krejt e ndryshme nga “apologjitë” e të pandehurve të mëparshëm. Që në fillim, Llambi thotë: “Kurrë nuk kam qenë agjent i zbulimeve të huaja, i ndonjë zbulimi të huaj apo, i ndonjë personi të veçantë. Kurrë nuk kam qenë armik i partisë, veçse ushtar besnik i partisë dhe i shokut Enver. Unë në disa procese të miat, kam deklaruar, kam bërë deponime”. Në fakt, disa deklarime të Llambit në hetuesi ishin bërë, siç dinte të bënte hetuesia në raste të tilla, përdorimin e torturës si mjet detyrues. Fakt interesant është ai që jepet, rreth mundësisë së një atentati ndaj Sadik Premtes në Paris. Njoftimi kishte ardhur nga rezidentura e Parisit, shef i së cilës ishte Llambi Peçini. Hetuesia, duke menduar se urdhrin e kishte dhënë ministri Mehmet Shehu, ka dashur të implikojë këta të dy, Llambin e Mehmetin, sado që viktima ishte një figurë e urryer nga regjimi komunist, si Sadik Premtja, duke përfunduar kësisoj “agjenturizmin” e dy personave të sipërthënë.

Në fakt, për këtë veprim nuk kishte qenë dakord kryekëshilltari sovjetik Gllaskov, pasi atij në bisedë me Kadri Hazbiun e Zoi Themelin, ky veprim i ishte dukur se nxitej nga zbulimi turk. Ndërsa në gjyq, jepet ideja se Enver Hoxha e kishte ndaluar veprimin, si akt terrorist. Llambi në atë kohë, më 1951, kishte qenë zëvendëskryetari degës së Zbulimit me jashtë. Atentati ishte kryer pa sukses dhe me porosi të Sigurimit e, për këtë shkak, Gllaskovi kishte reaguar. Por, në sallën e gjyqit, Kadri Hazbiu ka pranuar se ka qenë ai që ka dhënë urdhër për atentatin ndaj Sadik Premtes. Kjo, sepse ministri Mehmet Shehu, nuk ndodhej atë ditë dhe nga Partia, kërkohej ngushtësisht miratimi për ekzekutim.

Enver Hoxha më pas ka kritikuar Hazbiun, pasi Zbulimi nuk duhej të merrej me këto gjëra. Në atë kohë, kishte dalë vullnetar një person i sëmurë me tuberkuloz, që do e vriste pas disa muajsh. Ai kishte thënë ta vriste në Paris, Sadik Premten, e më pas të vdiste në Shqipëri. Llambi më pas nuk pranon ato që ka vënë hetuesia në proces-verbalin e pyetjeve të tij. Hetuesi i kishte treguar incizimet e deponimeve të Fiqret Shehut, Skënder Shehut dhe Gani Kodrës, të cilat i ishin vendosur “deponimit” të Llambit. Bëhej fjalë për një deklaratë në Paris, sikur një person, i paraqitur si mjek (“i agjenturës” amerikane), në vitin 1972, kishte ardhur për të takuar Mehmet Shehun.

Ky rrëfim i Llambit, nxori për herë të parë rolin montues dhe falsifikues të hetuesisë, nga njëra anë dhe nga ana tjetër, tregoi se Peçini nuk kishte ndërmend të pohonte ato që ishin firmosur në emër të tij, gjatë hetuesisë. Kur ishte mbajtur mbledhja e Asamblesë së Kombeve të Robëruara në Strasburg, agjenti i Sigurimit atje, kishte në plan të hidhte në erë këtë mbledhje, por kërkonte garanci. Kryekëshilltari sovjetik dhe Kadri Hazbiu, kishin qenë dakord, por Llambi nuk mbante mend pse nuk ishte kryer kjo. Llambi dëshmonte edhe për përpjekjen në vitin 1961, të agjentit të Sigurimit në Romë, “Rampa”, për blerje teknologjie, deri edhe sekretin e bombës atomike, për shuma që shkonin deri 8 mijë dollarë.

Peçini kishte konkluduar se “Rampa”, nuk ishte gjë tjetër, veçse mashtrues. Por, çështja kishte shkuar te ministri Kadri Hazbiu, e deri te kryeministri Mehmet Shehu, i cili kishte miratuar shumën. “Rampa”, kishte marrë paratë dhe kishte dërguar ca filma. Pasi këto nuk ishin hapur, ia kishin çuar kinezëve, të cilët pas 3 muajsh, kishin thënë se ishte vetëm një bllof, e asgjë tjetër. Llambi vazhdon të thotë se; ato që ka nënshkruar gjatë hetimit, janë bërë nën “diktimin e hetuesisë”, pasi ai nuk di “asgjë armiqësore”.

Këtë rast ishte shkruar fjala se Mehmet Shehu, i kishte thënë se për të rrëzuar pushtetin, do përdoreshin forcat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, të Gardës Republikës dhe Policisë. Peçini e thotë që; s’ka pasur fare dijeni, për procesin e Teme Sejkos dhe as pranonte të kishte qenë anëtar i një të ashtuquajture; “Organizatë kundërrevolucionare”!

Llambi e vë në pozitë prokurorin, kur i thotë se nuk i ishte thënë asnjë prove, që ai ishte “agjent i jugosllavëve”, e më pas “agjent i sovjetikëve”. Dhënien e informacioneve, OZN-as, në vitet e para, Peçini nuk e quan tradhti, pasi kjo ishte praktikë pune e kohës. “E kështu flisni ju sot” – i drejtohet Peçini kryetarit dhe prokurorit të gjyqit, – por nuk duhet të harroni, se atëherë bërtisnim; Enver – Tito – Stalin”. Të dy drejtuesit e gjyqit, i drejtoheshin Peçinit, sikur ky të kishte vendosur lidhjet me Jugosllavinë. Por Peçini, i kthehej me një qetësi që nuk dihej nga i buronte, kur pohonte se; deri më 1948-ën, Sigurimi kishte punuar sipas modelit jugosllav, ndërsa pas këtij viti, sipas atij sovjetik.

Llambi thotë se; hetuesia “kishte prova”, se ai ishte vënë në “shërbim të shteteve kapitalisto – revizioniste”, por ajo nuk paraqiste asnjë provë. Fjalës “strall”, të prokurorit, Llambi Peçini, i përgjigjej qetësisht: “Paskam qenë zëvendës i Mehmet Shehut unë, pse nuk thua ti”?! Në fillim të seancës tjetër, Mihallaq Ziçishti, bën një mbrojtje për akuzën, teksa thotë se; ato që ka nënshkruar Llambi Peçini në hetuesi, janë të vërteta, pasi ia ka thënë dhe atij.

Deklarimi i Llambi Peçinit në sallën e gjyqit, 23 gusht 1983.

“Tani kam po për Kadriun prapë. Lidhur me një agjent që kishim neve, kjo ka ndodhur ose në ’60-ën, ose në 61-in, nuk më kujtohet mirë viti, po duhet të jetë ose ’60-ën, ose në 61-in, unë u ktheva përsëri në Zbulim, mbasi qeshë në Sekretariat.  Edhe rezidenti jonë në Itali, përgjegjësi i Zbulimit tonë në Itali, ishte Dhimitër Gjoni dhe na informon se kishte mundësi, të merrte nëpërmjet agjentit “Rampa”, një predhë kundërtank, të mbiquajtur “Kobra”, të telekomanduar.  Por donte 2000 dollarë për këtë punë, që ta blinte atë. Gjithashtu pak kohë më vonë, përsëri na informon përgjegjësi i zbulimit, Dhimitër Gjoni nga Roma, edhe thotë se agjenti “Rampa”, ka mundësi të marrë sekretin e bombës atomike. Por kërkon 6000 dollarë, sepse ka një mik të tijin, që e ka në qendrën atomike të Francës, edhe mund ta marrë këtë, por do 6000 dollarë dhe 2000, për “Kobrën” bënin 8000 dollarë.

Tani ne e morëm këtë të dhënë dhe unë i bisedoj me Zoin (Themeli – Drejtori i Zbulimit). Mbasi studioj dosjen e agjentit “Rampa”, kërkoi të dhëna nga përgjegjësi i Zbulimit tonë në Romë. Si, qysh, nga e njeh këtë person.  Ai na dërgoi, d.m.th., sikur ky agjenti “Rampa”, i kish dhënë numrin e telefonit në Paris të këtij shkencëtarit atomik, i kish dhënë adresën, se ku jetonte ai dhe e treta, kish lënë dhe takim me këtë për një datë, nuk e di pas një muaji, mbas një kohe të caktuar, kish lënë takim agjenti jonë me këtë shkencëtarin, mikun e tij, d.m.th. Në këtë kohë, unë i bëj një kërkesë rezidenturës sonë në Francë dhe i them që të verifikohet kush banon në këtë adrese, d.m.th., atje ku na thoshte ai se banon ky atomisti.

Të verifikohet ky numër telefoni, kush është abonues i këtij numri telefoni dhe na njoftoni sa më parë, për këtë punë – i them unë. Na bie përgjigje rezidentura e Parisit, që në filan adresë, d.m.th. ekzakt, se i dhamë numrin ekzakt, banon filani, d.m.th. tjetër për tjetër, jo ky që thoshte agjenti “Rampa” dhe numri i telefonit, që na dhatë, nuk ka të abonuar.  Francezet kishin një ashtu metode, d.m.th., që kur një numër nuk kishte të abonuar, kishte një bllok regjistrimi, që thoshte ky numër nuk ka të abonuar, ky numër nuk ka të abonuar dhe gjithnjë këtë përsëriste, me qëllim që ai të mos priste shumë, edhe e mbylli d.m.th., ky numër nuk kishte të abonuar d.m.th., na gënjeu. Ishte gënjeshtër.

I dërguam dhe fotografinë të atij agjentit “Rampa”, përgjegjësit të Zbulimit të rezidenturës tonë në Francë, që do takohej në kafe “De la pen”, (Café de la paix, red.) “Kafen e paqes”, është një kafe e madhe në Paris, në filan orë. Nuk vajti ai. Na përgjigjet. në filan orë. në filan ditë. nuk erdhi filani, nuk erdhi një person i tillë. Ne fotografinë. ja dërguam të re. ashtu siç ishte në momentin e atëhershëm ai. D.m.th., tre momente që ishin shumë të dyshimta që ky na gënjente.  Atëherë unë bëra shënim në dosje dhe them ky agjent është provokator, ose kërkon të na zhvasë, sa më shumë, prandaj nuk jam dakord, që t’i jepen 8000 dollarë. Edhe i them Zoi Themelit, i them që ky Dhimitër Gjoni, nuk e ka drejtë.

Atëherë ishte drejtori i Zbulimit, zëvendësdrejtor ishte Rasim Dedja, prandaj ose të shkojë Rasimi atje, ose të shkoj unë i thashë, ose më mirë ta thërresim Dhimitër Gjonin këtu, për arsye se atje nuk mund të bisedosh gjatë e gjerë, me rezidentin, do ruhesh. Ta thërresim. E thërresim Dhimitër Gjonin. Tashti ky ishte problemi më i rëndësishëm, për Drejtorinë e Zbulimit, Zoi Themeli, kur erdhi Dhimitër Gjoni, më tha mua bisedoje, tha, me Dhimitrin.

Po thashë unë, ta bisedosh ti, se ti je Drejtor i Zbulimit, unë jam kryetari i degës thashë. Unë ndiqja rezidenturat jashtë. Jo, jo tha, se unë kam punë. S’ka punë më të madhe se sa këtë, Drejtoria e Zbulimit Politik, i thashë unë. Jo, jo tha, shko takoje ti dhe nesër hajde me raporto. Vetëm kam ndenjur me Dhimitër Gjonin, për t’i mbushur mendjen se e kisha shok dhe për t’i mbushur mendjen, që nuk e ka mirë.

Edhe më në fund dhe si kryetar dege, e kisha në linje atë. U bind Dhimitri dhe më në fund dhe tha; po është ashtu, ky është provokator, ky është agjent. Vemi të nesërmen i raportojmë Zoit. Zoit duhet t’i raportoja unë dhe unë po bëhesha gati të raportoja, tha; thuaj si është puna; i tha Dhimitrit. Dhimitri filloi të flasë. Çfarë do fliste Dhimitri, foli po ato që na kish dërguar neve. Hajde shkojmë te ministri, për në Kadriu.  Mor, po dale të ashtu…! Hajde – hajde të shkojmë. Vajtëm te Kadri Hazbiu dhe i raportoi Zoi tashti Kadriut, për atë që na kish informuar neve, rezidentura e Italisë që përpara. Kadriu merr Mehmet Shehun në telefon edhe i thotë që; kemi një problem edhe i kërkoi 8000 dollarë, se nuk mund të jepte Zoi 8000 dollarë edhe Kadriu nuk mund të jepte 8000 dollarë, edhe mori Mehmet Shehun në telefon.

Unë i thashë në këtë kohë.  Mehmeti i thotë që hajdeni, se Mehmet Shehut i tha; të vijmë një çikë, pa i folur për këtë apo atë arsye. Unë i thashë Kadri Hazbiut, more shoku ministër, ka disa momente shumë të dyshimta këtu, i thashë. Po mirë, tha, sqarojini këto.  Unë jam i mendimit, të mos i jepen këto. Mirëpo meqenëse priste Mehmet Shehu, ikën dhe më lanë mua. Unë u ngjita në zyrën time, kur më vonë më vjen në zyrë Dhimitër Gjoni dhe me thotë se; ato u aprovuan, 8000 dollarët.  I thashë unë, tashti po të them si shok i thashë, se si kryetar dege e bëra punën, po e bërë këtë, i thashë, do fëlliqesh do turpërohesh, mos i jep paratë. Mua me vinte inat dhe për 8000 dollarët, se ishte një shumë e madhe, po më vinte me shumë inat, që po na i hidhte një maskara, po tallej me autoritetin e Zbulimit tonë. Në fakt kështu doli.

Ja dha paratë Dhimitër Gjoni, na dërgoi neve filma, të filmuar sekretin e bombës atomike, në thonjëza dhe të kësaj, për predhën “Kobra”, na dërgoi një reviste të bukur, kështu që e kishte në shtyp ajo dhe atë na dërgoi si material, për 2000 dollarë. Në këto filma, nuk kishim mundësi t’i lanim e t’i zhvillonim, por nuk kishim mundësi dhe t’i kuptonim edhe u vendos nga ministri, (atëherë nga Kadri Hazbiu), u vendos që të dërgoheshin në Kinë, këto. Edhe ju dërguan Kinës. Kinezet e zgjatën, e zgjatën, vajti nja 3 muaj kjo. Mbas nja 3–4 muajsh, kinezët u përgjigjen që; ky është një blof. Është një blof, po i kushtoi shtetit tonë 8000 dollarë”.

Debatet e Llambi Peçinit në gjyq, me Aranit Çelën

ARANIT ÇELA: I pandehuri Llambi Peçini, akuzohesh se ke bërë pjesë në një organizatë, që ka pasur si objektiv likuidimin fizik të sekretarit të parë të Komitetit Qendror….!

LLAMBI PEÇINI: Unë, nuk kam bërë pjesë në asnjë organizatë kundërrevolucionare edhe nuk di fare për ekzistencën e një organizate kundërrevolucionare, të kryesuar nga poliagjenti Mehmet Shehu. Këtu thuhet Llambi Peçini, ka pranuar platformën e saj, unë nuk di fare për platformën, as nuk kam marrë vesh. Këtu në hetuesi, e lexova për herë të parë atë platformën, as nuk kam marrë vesh të famshmin program, të poliagjentit Mehmet Shehu. Ka punuar për ruajtjen e anëtarëve dhe të krejt organizatës nga dekonspirimi.

Nuk kam njohur asnjë njeri, që të ketë qenë kundra partisë, nuk kam ditur gjë për veprimtarinë armiqësore të tradhtarit Mehmet Shehu, se do t’ia kisha denoncuar partisë. Thuhet që kam pasur detyra konkrete, për realizimin e puçit ushtarak për eliminimin e sekretarit të parë të Komitetit Qendror të Partisë. Nuk kam pasur asnjë detyrë konkrete, nuk di asgjë për këtë punë edhe unë dua të jap shpjegime për këtë, sepse mua më akuzon Fiqrete Shehu. Fiqrete Shehu në ballafaqim, tha se i kish thënë Mehmeti, se Llambi Peçini, i kish propozuar dy variante atij, aksident automobilistik dhe me armë zjarri edhe gjoja sikur i paska telefonuar Feçor Shehut, që nga vila nr.6, që thuaji Llambi Peçinit, që rrëzohen ato propozimet e tij…!

ARANIT ÇELA: Kam këtu proces-verbalin, ja ç’thua ti këtu: “Unë pranoj që kam kryer veprimtari armiqësore kundër Partisë së Punës. Pozicioni armiqësor është i hershëm dhe i zhvilluar prej vitesh, si lidhje direkte e Mehmet Shehut. Për shkak të hershmërisë time në pozicion armiqësor kundër partisë dhe për arsye të qenies time si bashkëpunëtor i grupit të kryesuar nga Mehmet Shehu, unë, e kam pasur të vështirë të vendosja për të pranuar veprimtarinë kryesore që kam kryer”. Kjo është thënia jote. Këtë ti e pranon?…

LLAMBI PEÇINI: Unë nuk e pranoj. Unë thashë, mua më janë marrë ato me detyrim…!

ARANIT ÇELA: Lidhur me qëllimin e organizatës, po prapë në këtë dosje nr.6, thuhet: “Siç kam pohuar dhe më parë, unë nga Mehmet Shehu kam mësuar, se bashkëpunëtor kryesor i hershëm në komplotin që kryesonte ai, ishte dhe Kadri Hazbiu. Siç më ka thënë Mehmet Shehu, Kadri Hazbiut i është ngarkuar detyra që në momentin e përshtatshëm, me urdhër të tij (të Mehmetit), të përdorte forcën goditëse të Gardës, Policisë e Sigurimit, për të eliminuar pengesat”, siç i quante ai, udhëheqësit e partisë e të shtetit.

LLAMBI PEÇINI: Jo, unë thashë nuk e pranoj, se i kam bërë këto nën ndikim…!

ARANIT ÇELA: Mirë. Fiqret Shehu, të implikon pikërisht si anëtar të organizatës edhe si njeri që ke pasur dijeni, për çështjen e puçit e të likuidimit fizik.

LLAMBI PEÇINI: Jo, nuk e pranoj.

Ndihmësgjyqtari: Tani, si e shpjegon ti i pandehur, që deponimet e tua të datës…?!

LLAMBI PEÇINI: Unë pothuaj 4 muaj e gjysëm, u ngjira duke thënë jam i pafajshëm. Ish-drejtori i Hetuesisë, Piro Dautaj, me gjithë hetuesin Mark Nikaj, më incizuan, ja çfarë thotë Fiqret Shehu për ty, ja çfarë thotë Llambi Ziçishti…!

PROKURORI: Kur të është komunikuar në përgjithësi, pastaj të gjitha akuzat, të kam ardhur unë në hetuesi ty…?

LLAMBI PEÇINI: Më ke ardhur…?!

PROKURORI: Ja ta kujtoj unë. Mbasi t’u komunikua akuza, të gjitha edhe për terror edhe për të gjitha, ti na the, sikur të t’i vazhdonim ndonjë ditë tjetër me hetuesit, sepse nuk kam qenë dhe mirë. Të pyeta çfarë ke…?

LLAMBI PEÇINI: Kam një dobësi të përgjithshme, të thashë…!

PROKURORI RRAPI MINO: Shoku kryetar, ne nuk habitemi fare, që spiunë të tillë, si i pandehuri Llambi Peçini, për shpifje të kësaj natyre ndaj organeve të hetuesisë, ne kemi dëgjuar edhe nga të tjerë, vetëm një gjë duhet të sqaroj, në këtë proces gjyqësor. Në gjykimin e kësaj organizate kundërrevolucionare, marrin pjesë 11 vetë, 7 këta këtu dhe 4 të tjerë. Këto shpifje monstruoze ndaj organit të hetuesisë, ne i dëgjojmë vetëm nga tre, nga i pandehuri Llambi Peçini, nga i pandehuri Kadri Hazbiu dhe nga i pandehuri Feçor Shehu.

Kjo është arsyeja se, siç e shikoni, të tre këta të pandehur, të tre këta shpifës, janë fare mirë me shëndet si i pandehuri Llambi Peçini, i pandehuri Feçor Shehu edhe i pandehuri Kadri Hazbiu, që na pretendoi pa pikën e turpit këtu, se i ishin thyer brinjët. Këta janë shpifës të paturpshëm…! I pandehuri Llambi Peçini, është pjesëtar aktiv i organizatës kundërrevolucionare. Ky, është një nga anëtarët aktivë të kësaj organizate dhe këtë e provon edhe veprimtaria e tij armiqësore, e viteve 1972–1973, kur shoqëronte poliagjentin Mehmet Shehu. Ky ka krijuar detyrat e ndërlidhësit, me agjentin amerikan, të poliagjentit Mehmet Shehu.

Këtë e provoi Gani Kodra, e provoi Llambi Ziçishti. Këtë e ka pranuar dhe vetë në hetuesi, po i lemë ato fare…! Gjithashtu, i pandehuri Llambi Peçini, duke qenë shoqërues, që shoqëronte në një udhëtim poliagjentin Mehmet Shehu, në vitin 1960, ka qenë ndërmjetësi i tij, ose shoqëruesi i tij, për të marrë takim me agjenturën jugosllave, me krye agjentin, me Titon vetë edhe me djalin e Çurçillit, ish–kryeministrit anglez, edhe me Fultzin. Por, nuk vazhdon vetëm me kaq, i pandehuri Llambi Peçini, është pjesëmarrës edhe për organizimin e terrorit dhe të puçit ushtarak, që do të ishte një ndër detyrat e organizatës, për marrjen e pushtetit nga armiku Mehmet Shehu.

Roli i të pandehurit Llambi Peçini në këtë mes, ishte rol i një ndërmjetësi, që në kohën kur do të bëhej puçi, ky bashkë me shokë të tjerë, do të merreshin me arrestimin dhe me izolimin e personave, që do të bëheshin pengesë tradhtarit Mehmet Shehu, për realizimin e objektivit të tij final, për marrjen e drejtimit të partisë dhe për eliminimin e sekretarit të parë.

Del pyetja, pse e mohon një gjë të tillë? E mohon sepse, do ta largojë veten nga kryeagjenti, nga poliagjenti, nga krye-tradhtari dhe nga kryetari Mehmet Shehu, sepse e ka pasur njeriun e tij, më të afërt, prandaj them shokë gjyqtarë, si përfundim, si konkluzion, se Llambi Peçini, është pjesëtar aktiv i organizatës kundërrevolucionare. Por, këta agjentë komplotistë, puçistë dhe terroristë, partia ua preu duart, i ndali në mes të rrugës, i mbërtheu, i solli në bangon e të akuzuarit, që të japin llogari, para drejtësisë së popullit…!

LLAMBI PEÇINI: Unë nuk kam bërë veprime edhe tortura, në kohën kur ishte Koçi Xoxe ministër i Punëve të Brendshme, unë kam bërë, por më pak, shumë më pak se sa shumë të tjerë, po ishte vija e Koçit. E dyta, ka ndonjë fakt prokurori?

ARANIT ÇELA: Prokurorit nuk i kërkohen fakte, as vihet në polemikë me ty.

LLAMBI PEÇINI: S’është e vërtetë ajo.

Torturat në qeli ndaj Llambi Peçinit

Në akt-akuzën për Llambi Peçinin, thuhej se i kishin dhënë Mehmet Shehut, tre variante për Enver Hoxhën: aksident, atentati në Vlorë, helm me veprim të vonuar. Këtë, i akuzuari e quante të gënjeshtërt. Për deklarimet e bëra në hetuesi, Llambi thotë se i ka bërë “nën ndikim” dhe nuk ishin të vërteta, sado që kishte 4 muaj që u “ngjir” se ishte i pafajshëm. Por prokurori nxehet, duke thënë se: “nuk habitej nga spiunë si Llambi Peçini”, apo nga deklarata e Kadri Hazbiut, se; “pa pikën e turpit”, “i ishin thyer brinjët”.

Prokurori kalon në sulm, duke thënë se; “këta janë shpifës të paturpshëm”, prandaj nuk i vinte rëndësi faktit, se nga njerëz të tillë; “do dëgjosh edhe fëlliqësira të tilla”. Llambi i kërkon fakte prokurorit, duke i thënë se; ku ishin faktet si ai kishte torturuar të tjerë?! I menjëhershëm reagimi i Aranit Çelës, i cili pohonte se; prokurorit nuk i kërkoheshin fakte.

Pas debateve të tjera, Llambi i drejtohet Mihallaqit, se ai; “i preferuari i Mehmet Shehut”, nuk u bë as ministër, zëvendësministër e, anëtar i Komitetit Qendror! Ndërsa Llambi, deklaron se është torturuar, prokurori tallet dhe thotë; pse kishte pranuar se ishte spiun, e nuk pranonte akuzën e terrorit?! Llambi përgjigjej se; edhe sikur mishin, copa–copa t’ia bënin, ai nuk do pranonte, se kishte dashur të bënte terror ndaj Enver Hoxhës.

TRENDING

Exit mobile version