Politike

Ajo që them unë, nuk është mendja ime, është një shtet i tërë që merret me këtë punë

Në zonën e Kombinatit, në Tiranë ka nisur prishja e 9 pallateve të vjetra me tulla silikat me dëmtime të nivelit DS5. Banorëve të larguar prej aty u është siguruar bonusi i qerasë, që do të vijojë deri në ditën kur do të marrin në dorëzim çelësat e apartamenteve të reja.
Në lagjen, e cila e po zbrazet gradualisht nga ngrehinat e vjetra ,ishte sot Kryeministri Edi Rama për të parë nga afër ndërhyrjet në objekt.
“Kemi filluar të prishim pallatin nr.152, kategoria DS5. Është një nga 9 pallatet e para që e ka lejen e prishjes dhe gjithë procedurat e ndërhyrjes. Të gjithë banorët kanë qënë bashkëpunues, përfshirë edhe këtë që ka bërë shtesën dhe e ka legalizuar më vonë. Shtesa është ngjitur me pallatin në mënyrë të pazgjidhshme. Atëherë do të duhet ta trajtojmë me strehim. Ka rënë gjysma e pallatit. Po të shikosh muret janë guri dhe themelet kanë qënë një sajesë. Kjo vërteton edhe atë që tha inxhinieri i Institutit të Ndërtimit, që me këto  mure, një tërmet tjetër nuk do i bënte ballë. Të gjithë banorët po trajtohen me bonusin e qerasë dhe janë sqaruar që do të vazhdojë bonusi deri ditën që do të marrin celësat e shtëpisë së re. Gjithë zona është rritur në vite. Kështu që këtu fitojmë një hapsirë për të gjithë këtë komunitet. Janë 9 pallatet e para që do të prishen, por në total janë 23. Për 9 të parat kemi emetuar lejen sipas të gjitha procedurave, me njoftimin dhe me gjithë dakordësinë. Do të vazhdojmë me nga 9 derisa të mbarojnë të gjitha”, – u shpreh Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.
Një punë sqaruese është bërë edhe me banorët e zonës, të cilët në shumë raste kanë rënë pre e dezinformimeve të ndryshme. Për ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e rëndësishme është që “të  sqarohen të gjithë, pasi shpeshherë edhe dezinformohen nga opozita edhe për problematika të tjera që kemi hasur. Bashkë me administratorin dhe të gjithë të tjerët që ndodhen në terren mundohemi që të sqarojmë të gjithë personat që janë prekur nga procesi i rindërtimit që si do të zhvillohet plani i ri, ku do të ndërtohen banesat e tyre, në cilin moment do të jenë të gatshëm për të firmosur kontratën mes Bashkisë së Tiranës dhe çdo familjeje.”
Kryeministri e vijoi inspektimin në një bllok tjetër pallatesh ku puna për prishjen do të fillojë javën e ardhshme. Ai bisedoi edhe me banorë të rastësishëm, të cilëve iu shpjegoi personalisht se si do të përfitojnë hapësirën e re.  “Ajo që them unë, nuk është mendja ime, është një shtet i tërë që merret me këtë punë. Kush ka biznes, do të marrë biznes. Nëse ke (x) metër katrorë farmaci, do marrësh (x) metër katrorë farmaci. Madje edhe ky (një banor) që ka bërë apartamentin biznes, nëse ka biznes do të marrë biznes. E ndërkohë të gjithë do të marrin me letra, me kontratë, me firmë, me vulë, edhe me penalitet. Pra, nëse unë të them si shtet ke kontratën dhe do të marrësh x metër katrorë në maj të 2022-it, për çdo muaj vonesë, shteti do të ketë penalitet. Nëse t’i je tre kurora në shtëpi, do të marrësh tre shtëpi,” – sqaroi për banorët Kryeministri.
Në zonën e  Kombinatit janë rreth 1600 familje që do të strehohen në apartamente të reja, jo vetëm më të bukura e më të sigurta se të vjetrat, po edhe në një lagje krejt të re me kushte optimale.​

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version