Politike

Akoma flasim për ujë të pijshëm, kur bota po shkon në hënë

Sot është përditësimi javor lidhur me aspekte të ndryshme të ekonomisë.  Për ditën e sotme kemi temën e ujit të pijshëm dhe dhënien e një pasqyre të përgjithshme të të gjithë procesit të transformimit që po ndodh në sektorin e furnizimit me ujë të pijshëm, ku, për hir të së vërtetës, trashëgimia është nga më të rëndat. Aktualisht janë në punë 128 kantiere të hapura, të cilat do të mbyllen brenda vitit të ardhshëm. Në ndërkohë që brenda pranverës së ardhshme do të hapen plot 70 kantiere të tjera, për të garantuar 24 orë furnizim me ujë në vitin e ardhshëm, 55 zona të mëdha urbane të vendit dhe në vitin 2022, edhe në mbi 200 zonat më të populluara rurale të vendit.

Shumëkush që ndjek faqen time, por që sigurisht përfaqëson një kategori të caktuar të opinionit publik, ngre pyetjen herë me ironi, herë në formë habitore, që në fakt është e papërshtatshme për sa kohë të gjithë kemi jetuar në këtë vend  dhe për sa kohë kemi një sens të historisë së këtij vendi:  Si ka mundësi që akoma flasim për ujë të pijshëm, kur bota po shkon në hënë?

E vërtetë është kjo; që bota ka shkuar në hënë me kohë, por në sistemin tonë të ujësjellësve duhet të kemi parasysh që kemi një pasqyrë shumë të posaçme në raport me botën. Jo shumë të posaçme në raport me rajonin, për hir të së vërtetës, ku vihet re që rrjetet e trashëguara janë rrjete të ndërtuara në vitet ‘60-’70-të. E që të jemi të qartë, as në vitet e komunizmit nuk është garantuar furnizimi me ujë 24 orë për të gjithë popullsinë. As në vitet e komunizmit nuk është ndërtuar një sistem ujësjellësi i rrjetëzuar nga qendra në çdo pikë banimi të Shqipërisë. Për më tepër, në 25 vjet pas rënies së komunizmit kemi praktikisht filluar të prekim një sistem furnizimi me ujë, ku kemi patur dhe akoma sot, aty ku vazhdon puna, ka depo dhe tubacione të viteve ‘60-’70-të.

Është një reformë tërësore, një nga 5 kolonat e përcaktuara në objektivat tona dhe nuk ka të bëjë thjesht me investimet, ka të bëjë me konsolidimin financiar të ndërmarrjes së ujësjellësit, ka të bëjë me një transformimin tërësor të qasjes strukturore ndaj ujit të pijshëm, që vazhdon.

Kuadri ligjor dhe rregullator është përmirësuar ndjeshëm. Ka një program për agregimin e shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve në rang kombëtar, por duhet të shkojmë më tutje, duhet të shkojmë drejt një radikalizmi të procesit të reformës për sa i përket strukturimit të të gjithë sistemit të administrimit të ujit të pijshëm. Megjithatë, kjo është një temë tjetër.

Ndërkohë dua t’ju bëj me dije se investimet që janë kryer për ujin e pijshëm përgjatë periudhës 2014-2019, janë në total 514 milionë euro, nga të cilat, 202 milionë janë nga buxheti i shtetit, ndërkohë që pjesa tjetër janë financime të huaja.

Përsa i përket vitit 2020, vetëm për rrjetet e ujësjellësve janë investuar rreth 44 milionë euro nga buxheti i shtetit dhe mbi 30 milionë euro nga financimet e huaja. Në vitin 2021 do të alokohen për ujësjellës-kanalizime, 52 milionë euro dhe financime të huaja gati 46 milionë euro.

Sa i përket ujësjellësve, nga trashëgimia nuk ka vetëm se rrjete të degraduara. Po jap disa të dhëna që besoj se krijojnë një ide më të plotë për pasqyrën për ata që na ndjekin.

Në vitin 2013, kur mbaroi epoka e keqqeverisjes së kaluar kishte vetëm një qytet me furnizim 24 orë, Korca. Furnizimi 24 orë për të tjerët ishte një perspektivë shumë e largët.

Sot që flasim ka 23 zona urbane me 24 orë furnizim me ujë, nga Bilishti në Tropojë, nga Pogradeci në Lezhë, nga Fushë Arrëzi në Fier, nga Vau i Dejës e Kopliku në Poliçan, Tepelenë dhe Memaliaj.

Deri në vitin 2021, furnizimi do të jetë një realitet për të gjitha zonat urbane të Shqipërisë, duke përfshirë që nga Laçi në Kavajë, nga Fushë Kruja në Shijak, nga Kruja në Berat, në Lushnje, Gjirokastër e me radhë.

Tirana është një histori më vete, ku ka një rritje të furnizimit me ujë të pijshëm, në tërësi flas, sepse ka edhe zona me 24 orë. Në tërësi, nga 7 orë në ditë furnizim mesatarisht, sot, vetëm Bovilla furnizon 16 orë në ditë banorët e kryeqytetit dhe në nivelin kombëtar, furnizimi mesatar me ujë të pijshëm i Shqipërisë ishte rreth 10 orë në ditë. Sot që flasim, jemi në 15 dhe do të arrijmë në 18 orë për të gjithë territorin e Shqipërisë.

Për më shumë dëgjojeni këtë shifër.

7 vite më pare, vetëm 59,1% e popullsisë kishin akses burimi uji të pijshëm përmes rrjetit. Nuk flasim këtu për 24 orë, flasim për akses të ujit të pijshëm përmes rrjetit, pra, në shtëpi. Sot jemi në 78,5%. Me përfundimin e punimeve të planifikuara, ato që janë në proces dhe ato që do të hapen, do të kemi në 2021-in, 85,6 % të popullsisë me akses në ujë të pijshëm.

Ndryshimi është absolutisht i ndjeshëm kudo, por është tërësisht, patjetër, i pamjaftueshëm në raport me objetivin dhe në raport me kërkesën krejt legjitime të të gjithë popullatës. Për këtë arsye mendoj që është themelore që ne të vazhdojmë punën dhe ne do ta vazhdojmë punën për të jo vetëm plotësuar të gjitha kornizat e prioriteteve të vendosura qysh në krye të herës, por edhe për të garantuar një qëndrueshmëri të atillë që të mos ketë më asnjë kthim mbrapa.

Ajo që dua t’u garantoj të gjithë qytetarëve, në të gjitha zonat ku ende ka problematikë me ujin e pijshëm, është se jo vetëm nuk janë lënë pas dore, por, e përsëris, 128 kantiere janë në punë tani që flasim, pavarësisht të gjitha vështirësive ekstra që na është dashur të përballojmë me tërmetin dhe me flamën globale të pandemisë.

Atyre që pretendojnë, pyesin, apo sugjerojnë që këto nuk janë prioritete, se investimet që ne i kemi vazhduar dhe vazhdojmë nuk janë prioritete, qoftë për infrastrukturën kombëtare rrugore, qoftë për të tjera, përfshirë këto investime për të cilat flasim sot, ju them shumë thjeshtë; që ekonomia shqiptare të rritet, duhet të vazhdojmë të investojmë fuqishëm dhe këto investime nuk janë aspak qëllim në vetvete. Këto investime nuk janë thjesht mijëra mundësi punësimi dhe të ardhurash për dhjetëra mijëra njerëz që punojnë në këto kantiere, duke filluar nga rrugët tek shtëpitë që rindërtohen, por janë burime të reja ekonomie për të ardhmen e familjeve dhe për të ardhmen e vendit, për ekonominë familjare dhe për ekonominë kombëtare.

Eshtë njësoj si një familje, e cila në kushtet e përballjes me masa shtrënguese ka nevojë të mbyllet, por ka nevojë dhe të punojë. Çdo shtëpi duhet të vazhdojë të punojë në mënyrë që të garantojë të ardhurat. Dhe shtëpia jonë e përbashkët duhet të vazhdojë dhe do të vazhdojë të punojë. Vetëm kështu, ne do të vazhdojmë të kapërcejmë në një nivel tjetër në aspektin ekonomik dhe në aspektin social. Vetëm kështu, ne do të kemi më shumë të ardhura për të bërë një rishpërndarje më të madhe të të ardhurave, për të rritur më tutje rrogat, për të rritur më tutje pagën minimale që tanimë e kemi vendosur në 30 mijë lekë të reja, për të rritur mundësitë për punë dhe për më shumë fitime për të gjithë përmes punës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version