Politike

Aksioni i “Foltores” nuk zgjat as 10 ditë, deputetët kthehen në Komisione të marrin dietat. Berisha i justifikon

Aksioni parlamentar i nisur nga opozita më 6 nëntor, për të mos lejuar normalitetin duke bllokuar komisionet dhe seancat plenare, duket se është harruar nga jo pak deputetë demokratë.  Kalimi i mbledhjeve të Komisioneve online u cilësua e paligjshme nga demokratët, që shpjeguan se kjo procedurë mund të aplikohej vetëm në raste emergjencash apo situatash të jashtëzakonshme. Opozita akuzoi mazhorancën se po futej në klandestinitet, por tashmë edhe disa nga ligjvënësit opozitarë të grupimit Berisha-Bardhi po legjitimojnë atë që anatemuan, duke marrë pjesë në këto mbledhje virtuale. Bujar Leskaj, Lindita Metaliaj, Isuf Çela, Ina Zhupa e të tjerë kanë qenë të pranishëm në komisionet online. Rasti i fundit ishte Edmond Spaho, i cili nuk tha asnjë fjalë, por mori pjesë në votim duke u shprehur kundër projektbuxhetit 2024. Para tij, shumë deputë të të tjerë kanë qenë të pranishëm në komisionet online, disa duke kundërshtuar mbledhjet online, të tjerë kanë heshtur. A2 CNN pyeti Sali Berishën për këto zhvillime, i cili u mundua të justifikonte deputetët e tij, por nuk dha detaje shpjeguese. “Këta kanë shkuar të programuar, nuk kanë shkuar për kuorumin, kanë shkuar me qëllim tjetër”, tha Sali Berisha. Edhe pse kreu i Rithemelimit flet për një koordinim dhe veprim në emër të grupit, Edmon Spaho tregon të kundërtën, kur u kontaktua nga A2CNN. “Ka pasur edhe të tjerë, unë nuk e dija këtë. Nuk e dija që duhej ikur”, tha ai. Të martën e kësaj jave, kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, ngulte këmbë se pjesëmarrja në komisione ishte e panevojshme, duke i qëndruar aksionit opozitar. “Nuk ka nevojë që ne të marrim pjesë në komisione për të thënë mendimet tona për buxhetin, aq më tepër që buxheti  është transparentë dhe qytetarët e dinë që nuk kanë asnjë përfitim”, tha Gazment Bardhi. Me zhvillimet e fundit, opozita po bëhet pjesë e strategjisë së mazhorancës, që tentoi të minimizonte efektet e aksionit opozitar në Parlament. Duke u bërë pjesë e komisioneve online, demokratët po legjitimojnë atë që deri pak më parë e quanin të paligjshme.

TRENDING

Exit mobile version