Aktualitet

AMA dhe Min e Kulturës marrëveshje , për promovimin e trashëgimisë kulturore.

Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) dhe Ministria e Kulturës nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi, për realizimin e projekteve të përbashkëta audiovizuale, për promovimin e trashëgimisë sonë kulturore.
AMA miratoi fondin me vlerë 7.2 milionë lekë për Ministrinë e Kulturës për prodhime audiovizuale, që kanë në fokus edukimin mediatik, lidhur me artin dhe kulturën në media.
Projektet që mbështet AMA janë: Muzeu i ri i Filmit, një ndër projektet e Ministrisë së Kulturës; realizimi i videotureve për “Itinerarin Fishtian”, që rrëfen gjithë rrugëtimin jetësor dhe krijues të At Gjergj Fishtës apo Via Egnatian, një nga rrugët mijëravjeçare, që lidhte Lindjen me Perëndimin.
Konteksti i ri, i krijuar prej pandemisë Covid-19, i vendosi institucionet kulturore përpara një realiteti të ri, që kërkon një qasje të re tek publiku, sidomos ai i grup moshave të reja. Në këtë këndvështrim po shihet të gjitha format e bashkëpunimit, që i ofrojnë publikut një produkt që i afron ata me trashëgiminë kulturore dhe artin.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy institucioneve, e cila u zhvillua në ambientet e Ministrisë së Kulturës, ministrja Znj. Elva Margariti u shpreh se “gjetja e partnerëve të duhur, është një hallkë kyç në çuarjen përpara të disa projekteve, që synojnë promovimin e kulturës sonë. Dhe AMA është pikërisht një nga ata partnerë që i përgjigjet më së miri vizionit të Ministrisë së Kulturës, për realizimin e një “revolucioni” digjital, duke iu përshtatur kërkesave të kohës dhe duke shfrytëzuar edhe aftësitë e të rinjve në lëmin e teknologjisë”.
Kryetari i AMA-s, Z. Gentian Sala u shpreh se “projektet me në fokus të rinjtë dhe promovimin e trashëgimisë kulturore kanë qenë gjithnjë në vëmendjen e këtij institucioni. Pas një bashkëpunim tepër të frytshëm me Fakultetin e Histori-Filologjisë, Dega Gazetari, AMA gjen hapësira bashkëpunimi edhe me Ministrinë e Kulturës”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version