Rajon

Analisti serb Janjiç: Serbia ta respektojë marrëveshjen

Analistët në Beograd thonë se marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe ajo e Ohrit nënkuptojnë se Serbia e ka njohur Kosovën si shtet, por që këtë duhet ta pranojnë edhe institucionet e Serbisë. Ata përmendin njohjen e dokumenteve dhe një sërë çështjesh tjera, por thonë se presidenti serb, Aleksandër Vuçic, po nguron ta pranojë. Nga Serbia kërkohet dhënia e rezultateve në raport me Kosovën, që është njohja de facto. Sipas njohëseve të zhvillimeve, raporti vjetor i Komisionit Evropian ku kërkohet nga Serbia që t`i përmbushë obligimet në dialog, është në njëfarë mënyre thirrje për të njohur sovranitetin e Kosovës.

“Ofrimi i njohjes de fakto është në kuadër të marrëveshjes së Ohrit. Në thelb, kjo do të thotë se Serbia e pranon se në realitet ekziston Republika e Kosovës dhe jo e ashtuquajtura Kosovë, madje as ajo me fusnotë. Në kuptimin juridik dhe diplomatik, kjo nënkupton, siç shkruhet në marrëveshjen e shkurtit, pezullimi i veprimeve për pengimin e njohjes së Kosovës dhe krijimin e pengesave për Kosovën në organizatat ndërkombëtare” –  tha Dushan Janjiç nga Forumi për Marrëdhënie Etnike.

Edhe pse Beogradi zyrtar refuzon ta pranojë që me marrëveshjet e arritura e ka njohur de fakto Kosovën, për analistët kjo nënkupton një gjendje faktike dhe të qartë, por që në Serbi po manipulohet.

“Presidenti i Serbisë tha se i pranoi marrëveshjet pa nënshkrim. A do të thotë kjo se një fjalë e dhënë në komunikimin zyrtar të një lideri dhe një politikani nuk do të thotë asgjë? Marrëveshjet nënkuptojnë që Serbia nuk do ta pengojë hyrjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë OKB-në. Me marrëveshjet e Brukselit, të gjitha institucionet realisht e kanë njohur Kosovën. Hyrja e përfaqësuesve serbë në institucione, pastaj njohja e dokumenteve, çfarë është kjo nëse nuk është njohje?”, tha gazetari Rade Radovanoviç.

Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është një nga kërkesat kryesore për Serbinë në rrugën e saj evropiane. Në Beograd vlerësohet se nga Serbia kërkohet që t`i zbatojë marrëveshjet edhe nëse nuk janë  nënshkruar dhe se Perëndimi nuk do të pranojë vonesa për shkak të zgjedhjeve apo kushteve të tjera.

TRENDING

Exit mobile version