Aktualitet

Anulim i projektit të portit të Durrësit, Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e PD

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e opozitës për të anuluar marrëveshjen e shtetit shqiptar me Emiratet e Bashkuara Arabe për portin e Durrësit.

Gjykata Kushtetuese, në njoftim thotë se kërkesa e opozitës për “Shfuqizimi i ligjit nr. 145/2020, datë 03.12.2020 “Për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe”, rrëzohet.

Në nëntor të vitit të kaluar, nën argumentin e kundërshtimit të projektit të Portit të Durrësit, Partia Demokratike ankimoi në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen që shteti shqiptar ka nënshkruar me Emiratet e Bashkuara Arabe për bashkëpunim ekonomik.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, pasi mori në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve çështjen me nr. 7 (Nj) 2022 të Regjistrit Themeltar, me kërkues jo më pak se një e pesta e deputetëve (36 deputetë) të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, me objekt: “Shfuqizimi i ligjit nr. 145/2020, datë 03.12.2020 “Për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe”, si i papajtueshëm me Kushtetutën dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Pezullimi i zbatimit të ligjit nr. 145/2020, datë 02.12.2020, derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi”, në mbështetje të neneve 131, pika 1, shkronjat “a” dhe “b” dhe 134, pika 1, shkronja “c”, të Kushtetutës, si dhe neneve 52, 52/a dhe 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash,

VENDOSI:

1. Rrëzimin e kërkesës.

Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese./tch

TRENDING

Exit mobile version