Politike

Arlind Qori: Votat na dhanë shpresë, ne nuk do ndalemi këtu

Kreu i “Lëvizja Bashkë” Arlind Qori, i cili kandidoi për Bashkinë e Tiranës, foli mbrëmjen e kaluar për zgjedhjet vendore të ’14 majit’. Qori i cili u rendit i treti me 13851 vota, u shpreh në emisionin ‘Zonë e Lirë’, se ky ishte një rezultat i suksesshëm.

“Unë nuk e dija sa do të ishte përqindja, por votat që kemi marrë na kanë dhënë shumë shpresë. Pashë të nesërmen se sa shumë njerëz më përgëzonin në rrugë. Ishte një rezultat i suksesshëm. Ne do të vazhdojmë që të bëjmë këtë punë. Zgjedhjet nuk janë gjëja më e rëndësishme, për ne politika është angazhim i përditshëm. Rezultati i zgjedhjeve është rezultante e asaj që forcat politike kanë bërë para zgjedhjeve.”

Erion Veliaj i Partisë Socialiste fitoi zgjedhjet, duke marrë një mandat të tretë për kryeqytetin. Veliaj mori 158.688 vota, ose 54.69% të votave. Ai u pasua nga kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi me 100.351 vota. I treti u rendit Arlind Qori i Lëvizjes Bashkë me 13.835 vota dhe Roland Bejko i PD-së së Alibeajt me 12.388 vota. Dy të fundit ishin Marko Dajti i Frontit të Djathtë me 2.807 vota dhe Lajla Përnaska e PDIU-së me 2.104 vota.

TRENDING

Exit mobile version