Kosova

Armët po futen fshehurazi në Kosovë/ Analisti ndez alarmin

Pavarësisht sulmit terrorist që organizoi në shtatorin e vitit të kaluar në Kosovë, Serbia po vazhdon të përkëdhelet nga Bashkimi Evropian, i cili ka hezituar deri më tani që ta sanksionojë.

E gjitha kjo sipas doktori të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe hulumtuesit në institutin për studime të luftës hibride “Octopus”, Gurakuç Kuçi po ndodhë për shkak të ndryshimit të qasjes së BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor, pas fillimit të luftës në Ukrainë.

“Dinamika gjeopolitike ka ndikuar në mënyrë të dukshme në qasjen e komunitetit ndërkombëtar ndaj ngjarjeve në Ballkanin Perëndimor. Në kontekstin e sulmit të fundit terrorist në Kosovë dhe mungesën e sanksioneve ndaj Serbisë, disa faktorë mund ta shpjegojnë këtë situatë” – është shprehur Kuçi, dhe sipas tij, joshja që Bashkimi Europian i ka bërë Serbisë, ka ndikuar që kjo e fundit ta keqpërdor këtë.

“Në përpjekje për ta përfshirë Serbinë nën ombrellën e sigurisë së saj, bashkësia ndërkombëtare ka patur një politikë tolerante dhe joshje me Beogradin zyrtar. Nga ana tjetër, Serbia ka vazhduar me lidhjet e saj të ngushta me Rusinë dhe Kinën. Vendet perëndimore janë munduar që ta joshin dhe ndalojnë radikalizmin e Serbisë, mirëpo kjo ka prodhuar kundër efekt” – deklaron doktor Kuçi, duke shtuar se qëndrimet jo unike brenda bashkësisë ndërkombëtare, kanë pamundësuar sanksionimin e Serbisë.

“Serbia pas Banjskës mori disa hapa për t’iu shmangur sanksioneve sic ishte zbatimi i marrëveshjes për çështjen e targave të Kosovës dhe njohja e pasaportave. Këto veprime bënë efektin që Perëndimi t’i shmanget sanksioneve ndaj Serbisë” – tregoi Gurakuç Kuçi, duke potencuar se ka një rrezik real për një konflikt të armatosur në Ballkanin Perëndimor.

“Asnjë situatë nuk është e përhershme. Mjetet, të cilat Serbia është duke i prodhuar në kuadër të “luftës hibride”, do të prodhojnë prapë situata të cilat nuk mund ta mbajnë gjatë këtë status quo. Kemi parë që Kosova, të themi është duke u blinduar nga forcat e NATO-së, pasi rreziku i një lufte me mjete jokonvencionale është real. Gjendja mund të ndryshoj shumë shpejt dhe Kosova duhet të vazhdoj të kërkoj një përgjigje ndërkombëtare efektive ndaj Serbisë për sulmin në Banjskë dhe gjithsesi të publikohet një raport hetues real i ngjarjeve të ndodhura me 24 shtator” – Deklaroi doktori të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe hulumtues në institutin për studime të luftës hibride “Octopus”, Gurakuç Kuçi.

TRENDING

Exit mobile version