Kosova

Arrestimi i serbit në Zveçan/ Qeveria e Serbisë: Ka gisht SHBA-të dhe Bashkimi Evropian

Autoritetet e Kosovës kanë arrestuar pasditen e sotme në Zveçan një serb, i cili është ndaluar për shkelje të rendit kushtetues të Kosovës. Sreçko Sofronijeviç pasi u mor në pyetje në stacionin policor në pjesën jugore të Mitrovicës, i është caktuar masa e ndalimit policor deri në 48 orë, ndërsa nesër pritet ndalim apo lirim i mëtejshëm.

Ai u arrestua sot në vendkalimin e Bërnjakut dhe akuzohet për disa vepra penale, si vrasje e mbetur në tentativë, thirrje për rezistencë, sulm ndaj personit zyrtar, armëmbajtje pa leje, pjesëmarrje në turmë duke kryer veprën e huliganizmit, shkatërrim pasurie, tha avokati i tij mbrojtës Dejan Vasiç, sipas Euronews.rs.

Pas arrestimit, e ashtuquajtura Zyra për Kosovën në Serbi tha se pas arrestimit të Sofronijeviç janë SHBA-të dhe Bashkimi Evropian. Zyra, në krye të së cilës është Petar Petkoviç, ka thënë se kryeministri Albin Kurti “me forcat e tij speciale ka qenë ekzekutuesi i thjeshtë i arrestimit të Sofronijeviç”.

“Prishtina akuzon Sreçko Sofronijeviç se gjoja ka shkelur të ashtuquajturin rend kushtetues, të ashtuquajturën Kosovë, vetëm sepse ai po mbronte shtëpinë e tij kur ROSU (njësia speciale e policisë së Kosovës) bastisi Zveçanin më 13 tetor 2021 dhe hodhi gaz lotsjellës drejt serbëve dhe më pas ka qëlluar Sreçkon, i cili ishte në rrezik për jetën. Sreçko Sofronijeviç është një nga serbët e shumtë që në periudhën e kaluar e mbrojtën të drejtën e tyre për jetë në mënyrë paqësore dhe demokratike. Ai është një nga të shumtët që u bë viktimë e politikës së urrejtjes serbe” ,thuhet në reagimin e kësaj zyre.

Kjo zyre pretendon se protestat ishin paqësore, ndërkohë që ishte dokumentuar e kundërta e pretendimeve të tyre.

“Rezistenca serbe ndaj shtypjes së Kurtit çoi gjithashtu në protesta paqësore dhe barrikada si shprehje e thirrjes së popullit serb që komuniteti ndërkombëtar t’i dëgjojë. Për të qenë të saktë, më 28 dhjetor 2022, BE-ja dhe SHBA-ja i dhanë lidershipit shtetëror të Serbisë garanci të forta me shkrim se nuk do të ketë arrestime apo persekutime të serbëve nga veriu i Kosovës për pjesëmarrje në protesta paqësore dhe barrikada me të cilat vetëm po mbronin pragun e tyre”, thuhet në njoftim Si pasojë e rritjes së tensioneve protestuesit janë përleshur, asokohe, me zyrtarët policorë, dhe patën mbetur dhjetëra persona të plagosur nga të dyja anët, përfshirë Sofronijeviç.

TRENDING

Exit mobile version