Kosova

Asociacioni, strehë për milicitë e armatosura

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kroacisë, Vesna Pusiç, teksa ka komentuar çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, ka thënë se ky mekanizëm nuk mund të jetë “strehë për milicitë e armatosura” që mund të përdoret nga Serbia për destabilizim, por vetëm një “garanci shtesë” për mbrojtjen e të drejtave të pakicave etnike në veri.

Në një intervistë për “Albanian Daily News“, ish-kryediplomatja kroate ka thënë se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe assesi “nuk mund të jetë një shtet paralel”, dhe ka shtuar se Kosovës duhet t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, sepse sipas saj, kjo do të kontribuonte në sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

Ish-shefja e diplomacisë kroate ka konsideruar se mbi tryezën e negociatave lidhur me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë janë dy zgjidhje: modeli i Këshillit të Përbashkët të Komunave Serbe në Kroaci dhe Republika Sërpska – entiteti serb në Bosnjë-Hercegovinë – teksa edhe dha arsyet pse “modeli kroat” është zgjidhja më e mirë për Kosovën.

“Modeli funksionon. Kjo i ka mundësuar Kroacisë të anëtarësohet në NATO dhe BE dhe absolutisht nuk po e prish funksionimin e shtetit kroat” – ka thënë Pusiç.

“Asociacioni i Komunave me shumicë serbe nuk mund të jetë një strehë e sigurt për milicitë e armatosura rëndë e të përdorura nga fuqitë e huaja për destabilizimin e përhershëm të shtetit, por një garanci shtesë për mbrojtjen e të drejtave të pakicave etnike për vetëqeverisjen lokale”, ka shtuar ndër të tjera ish-kryediplomatja kroate. Ajo ka folur edhe për dallimet ndërmjet kryeministrin Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç. Ish-zëvendëkryeministrja kroate ka thënë se kryeministri Kurti është një lider pro-evropian dhe pro-anëtarësimit në BE, ndërkaq, nga ana tjetër, presidenti Vuçiç është një udhëheqës pro-rus e anti-perëndimor.

Pusiç gjithashtu ka folur edhe për ndryshimin e formatit të dialogut.

“Duhet të përballemi me faktin se qasja e bashkësisë ndërkombëtare në këtë çështje deri më tani ka qenë joefektive dhe ndonjëherë edhe kundërproduktive. Nuk jam i sigurt se çfarë do të thotë dhe çfarë synon të arrijë një konferencë ndërkombëtare për Kosovën. Kosova definitivisht nuk ka nevojë për më shumë përkrahje nga askush” – potencoi Pusiç

Ndërsa terreni i kërkimit të madh për “përgjigjet” dhe “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë ditët në vijim, çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe pritet të rifutet ngadalë në agjendën e aktorëve të angazhuar në terren – një ndër prioritetet e bashkësisë së organizuar në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

TRENDING

Exit mobile version