Kosova

Babai shqiptarisë/ ‘Është e papranueshme që Kurti të marrë pjesë në zgjedhjet në Maqedoni’

Analistja politike Alma Lama tha se kryeministri i Kosovës Albin Kurti do dëmtojë marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut duke marrë pjesë në zgjedhjet atje dhe kjo kjo eshte e papranueshme, ndërsa kolegu i saj nga Shkupi, Arben Ratkoceri, ka shprehur dyshimin se faktori ndërkombëtar do ta shikojë pozitivisht një lëvizje të tillë

“Eshtë shkelje e rëndë e fqinjësisë së mire dhe ndërhyrje në punët e brendshme nga pikëpamja politike. Kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës, është problematike dhe do të dëmtojë marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut”, tha Lama.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Hulumtim dhe Zhvillim, Lulzim Peci, theksoi se kjo nuk është lëvizja e parë e tillë e kryeministrit të Kosovës.

“Kjo është Bota e Kurtit, sepse nuk është hera e parë që ai e bën. E ka bërë edhe në zgjedhjet në Shqipëri dhe Preshevë” –  tha Peci.

Analisti politik nga Shkupi, Arben Ratkoceri, është i mendimit se nëse Kosova nuk mund t’i ofrojë ndihmë Maqedonisë së Veriut, është mirë të heshtë dhe të hiqet mënjanë.

“Nëse Kosova nuk mund ta ndihmojë Maqedoninë në proceset nëpër të cilat ajo po kalon, është mirë të hesht. Çdo veprim i Prishtinës zyrtare në Shkup ka ndikim të paparë në shoqërinë maqedonase” –  tha Ratkoceri, duke theksuar se nuk beson që ndërhyrja e Kosovës të shihet pozitivisht.

“Për krizën që po kalon Maqedonia e Veriut, për shkak të konflikteve të mëdha që ka me fqinjët e saj, Bullgarinë dhe Greqinë, nuk besoj se faktori ndërkombëtar e sheh favorizues ndërhyrjen e Kosovës” –  tha Ratkoceri duke shtuar se Vetëvendosje ka muaj që po përpiqet të krijojë degën e saj në Maqedoninë e Veriut.

 

TRENDING

Exit mobile version