Basha pas 8 vitesh në opozitë: Beteja sapo ka filluar! Zgjedhjet s’kishin lidhje me demokracinë

TIRANË–  8 vite në opozitë për Lulzim Bashën nuk kanë qenë të mjaftueshme për të sjellë ndryshimin që ka trumbetuar me të madhe, duke thënë se “beteja e tij sapo ka filluar”.  Në një kohë kur kryeministri Edi Rama i ka shtrirë dorën e bashkëpunimit, Basha e ka bërë fajtor për humbjen që PD-ja pësoi në këto zgjedhje, duke thënë se i janë vjedhur votat. Për kryedemokratin, këto zgjedhje nuk kishin asnjë lidhje me demokracinë e për të justifikuar humbjen e tij, ka renditur disa arsye.

“Nuk mjaftoi sepse këto zgjedhje nuk kishin të bënin me demokracinë. Ne hymë në këtë betejë jo me një kundërshtar politik, por me një regjim që bëri gjithçka për ta shkatërruar garën e ndershme elektorale. Ata ndryshuan kushtetutën dhe kodin zgjdhor duke thyer të gjithë rregullat. Dhjetëra mijëra vota të pavlefshme, numri më i madh ndonjëherë dhe dy herë më shumë sesa diferenca mes dy palëve. Miliona euro të hedhura për të realizuar blerjen më të madhe industriale të votës duke shkaktuar deformimin më të madh të vullnetit të zgjedhësve. Ata përdorën milionat e koncesioneve të korruptuara,  vodhën të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë, përdorën kriminelët dhe bandat, kërcënuan dhe shantazhuan votuesit, administratën, gazetarët dhe median  duke e bërë edhe më të madhe masakrën elektorale.  Edi Rama ka bashkëpunuar dhe vazhdon të bashkëpunojë hapur me përfaqësues të krimit si Tom Doshi që kanë gjithë botën demokratike kundër. Ai kandidoi përsëri përfaqësuesit e krimit në listat e tij. (…) Beteja sapo ka filluar dhe ne do ta cojme atë deri në fund, deri në fitore”, tha Basha.

Në fjalimin e tij, pas humbjes së tretë radhazi në zgjedhje, Basha vijoi të artikulonte të njëjtin premtim si gjatë fushatës elektorale, se do të sjellë “diellin e shpresës për Shqipërinë”.

“Nata që ka rënë sonte do të largohet dhe dielli do të ngrihet përsëri nesër mbi horizont. Dielli i shpresës për Shqipërinë. Fryma e ndryshimit është më e fortë se kurrë. Ne jemi më të fortë dhe më të vendosur se kurrë. Dhe të fortë, ne do luftojmë çdo ditë, ne do të luftojmë çdo orë, për të mbrojtur demokracinë dhe për të sjellë të gjithë bashkë një të ardhme më të mirë për vendin tone, për familjet tona për fëmijët tanë. Beteja sapo ka filluar dhe ne do ta çojmë atë deri në fund, deri në fitore”, tha Basha.

Për këtë arsye PD ka kërkuar pamjet filmike nga ana e KQZ, për të gjitha KZAZ-të. Kjo deklaratë vjen në një kohë kur kanë nisur zërat kundër Bashës, të cilët kërkojnë dorëheqjen e tij pas 3 dështimeve në zgjedhje.

Related Posts

Kategorite

BIoscalin