Connect with us

Aktualitet

BE-ja fut Shqipërinë në hartën e “metaleve strategjike”

Brukseli po e sheh Shqipërinë ndryshe nga më parë.

Jo vetëm si vend kandidat për anëtarësim, por edhe si pjesë të hartës evropiane të lëndëve të para kritike, metaleve strategjike që janë thelbësore për prodhimin e baterive, turbinave me erë dhe pajisjeve digjitale.

Në “Dokumentin e Aksionit për Veprimin Shumëvjeçar në favor të Shqipërisë 2025–2027”, Komisioni Evropian përfshin një komponent të posaçëm që mbështet zhvillimin e sektorit të lëndëve të para kritike (Critical Raw Materials – CRM) në Shqipëri.

Dokumenti, të cilin Albanian Post e ka siguruar, tregon se fondet e BE-së për periudhën 2025–2027 do të përqendrohen në tre fusha kryesore: drejtësia dhe qeverisja, përgatitja për integrim në BE, dhe tranzicioni i gjelbër dhe digjital, me një fokus të veçantë te CRM-ja.

Sipas dokumentit, programi do të përgatisë kuadrin ligjor për lëndët e para kritike dhe do të krijojë një strategji minerare të harmonizuar me standardet e BE-së.

Dokumenti parashikon që ky projekt shumëvjeçar, me një buxhet të paspecifikuar por pjesë e buxhetit total prej 100 milionë eurosh, të përfshijë një sërë hapash.

Do të hartohet një kuadër ligjor i përmirësuar për sektorin minerar dhe menaxhimin e mbetjeve të përpunimit, ndërkohë që do të miratohet një strategji e re kombëtare për minierat, e shoqëruar me një Vlerësim Strategjik Mjedisor.

Faksimile e dokumentit

Për më tepër, dokumenti parashikon përditësimin e “roadmap”-it për lëndët e para kritike dhe përafrimin e tij me rregulloren e re të BE-së për CRM-në, si dhe vlerësimin e ndikimeve sociale dhe mjedisore të industrisë së nxjerrjes dhe përpunimit, duke promovuar riciklimin dhe përdorimin e mbetjeve minerare.

Komisioni Evropian thekson se këto hapa do të krijojnë kushte të qëndrueshme dhe tërheqëse për investime evropiane në sektorin minerar, duke integruar Shqipërinë në zinxhirin industrial të BE-së për metale strategjike.

Një nga elementet më ambicioze të programit është ngritja e një Qendre të Hapur Kërkimore dhe Inovacioni për Lëndët e Para Kritike, që do të funksionojë si platformë bashkëpunimi midis institucioneve publike, universiteteve dhe industrisë.

Kjo qendër do të mundësojë studime gjeologjike të avancuara për përditësimin e rezervave minerale, trajnime për kërkues dhe teknikë laboratorikë, si dhe krijimin e një databaze kombëtare të burimeve minerale, e aksesueshme për investitorët evropianë.

Dokumenti thekson gjithashtu se do të krijohet një rrjet investimesh transparent që lidh industrinë shqiptare me zinxhirët industrialë të BE-së, dhe do të ofrohet mbështetje për hartimin e planit të biznesit dhe studimeve të fizibilitetit për krijimin e qendrës kërkimore të qëndrueshme financiarisht.

Sipas dokumentit, qendra do të shërbejë si nyje bashkëpunimi midis institucioneve publike, universiteteve dhe industrisë, duke fuqizuar sektorin e lëndëve të para kritike në rajon.

Faksimile e dokumentit

Sipas Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, në vend janë identifikuar 51 zona me depozita të metaleve kritike dhe strategjike, përfshirë krom, nikel, hekur-nikel dhe titanomagnetit, ku disa prej tyre tashmë janë në shfrytëzim aktiv.

Dokumenti nënvizon se sektori i lëndëve të para kritike është prioritet kombëtar në “Strategjinë e Specializimit Smart (S3)” dhe qëllimi është që Shqipëria të bëhet një partner strategjik i besueshëm për industrinë evropiane.

Ky plan i BE-së përfshin Shqipërinë si një partner të besueshëm për furnizimin me lëndë kritike, duke e lidhur direkt me Aktin Evropian për Lëndët e Para Kritike (CRMA) të miratuar në vitin 2024.

Programi synon të zhvillojë kapacitete kërkimore, infrastrukturë laboratorike dhe rrjete investimesh, duke reduktuar varësinë e Evropës nga furnizuesit jashtë BE-së, veçanërisht Kina dhe Rusia.

Dokumenti thekson se ky sektor mund të riformësojë strukturën ekonomike të Shqipërisë në dekadën e ardhshme, duke sjellë investime strategjike dhe punësim të kualifikuar, ndërsa vendi përgatitet për të luajtur një rol të rëndësishëm në zinxhirin industrial evropian të metaleve kritike.

Advertisement