Politike

Beleri: Rama tregoi pendesë për sulmet ndaj meje por edhe gënjeu

Kandidati i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, ka komentuar intervistën e kryeministrit shqiptar Edi Rama për gazetën KATHIMERINI. Ai u shpreh se Rama tregoi pendesë për sulmin që i bëri para zgjedhjeve, mirëpo shton se po gënjen, duke shtrembëruar realitetin. Më tej, Beleri shkruan se shpreson që Rama të ketë rënë viktimë e dezinformimit dhe ta kuptojë përpara se pasojat për Shqipërinë, Bashkinë e Himarës të bëhen të pakthyeshme.

REAGIMI:

“Intervista e vetëkërkuar e kryeministrit Edi Rama për KATHIMERINI, dalja e katërt publike e tij për rastin tim në 12 ditët e fundit, kur ndërkohë ai mbajti një heshtje peshku për 90 ditë rresht që nga arrestimi im, më çon në tre përfundime kryesore:

Së pari, filloi të kuptojë, pasi Athina e detyroi të mungonte në foton e madhe të liderëve të Ballkanit Perëndimor, pasojat e veprimeve të tij në procesin e anëtarësimit por edhe pozicionin ndërkombëtar të Shqipërisë në përgjithësi. Asnjëherë nuk është vonë.

Së dyti, vendosi të tregojë pendesë për sulmin publik shpifës dhe abuziv ndaj meje para zgjedhjeve por duke e bërë këtë artificialisht dhe me kujdes për të shkëputur përndjekjen time nga sulmi i tij dhe për të treguar se është lider autocensurues. Shpresoj që në një të ardhme të afërt të gjejë staturën politike për të bërë mea culpa, por ta nënkuptojë dhe ta vërtetojë në praktikë.

Së treti, ai vazhdon të shtrembërojë realitetin dhe të gënjejë. Shpresoj që ai të ketë rënë viktimë e dezinformimit dhe ta kuptojë herët, përpara se pasojat për Shqipërinë, Bashkinë e Himarës dhe mua personalisht të bëhen të pakthyeshme.

Kërkova nga redaksia e KATHIMERINI që të dielën e ardhshme, më 3 shtator, të pranojë një shkrim timin me rastin e intervistës së Edi Ramës”.

Kujtojmë se kryeministri Edi Rama në një intervistë për median greke “Kathimerini”, tha se nuk e merr si personale mungesën e ftesës nga homologu Mitsotakis për darkën joformale të liderëve të Ballkanit para disa ditësh në Athinë, megjithëse shprehet se nuk do vepronte në të njëjtën mënyrë si kryeministri grek.

Sa i takon rastit “Beleri”, Rama shprehet se gjatë fushatës mund të ketë thënë disa gjëra për të cilat nuk ndihet krenar, duke iu referuar disa prej ofendimeve me të cilat i është drejtuar Belerit.

TRENDING

Exit mobile version