Politike

Berisha: FBI të hetojë Kim dhe aferat me pronat e saj në Shqipëri

Kryedemokrati Sali Berisha i është përgjigjur ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, e cila e konsideroi të gabuar përfshirjen e tij në zgjedhjet lokale. Në një reagim në rrjetet sociale, Berisha e quan ‘guvernatore’ ambasadoren dhe shton se deklarata e saj ishte një shërbim i fundit ndaj kryeministrit Edi Rama, para përfundimit të mandatit të saj. Berisha u ka bërë thirrje inspektorit të përgjithshëm të Departamentit të Shtetit, FBI-së dhe Kongresit të SHBA-ve që të hetojnë aferat e Kim dhe pronat e saj në Shqipëri. Sipas kryedemokratit, PD nuk ka kandidatë ‘zjarri’, referuar deklaratës që ka bërë Kim, por emra të zgjedhur nga shqiptarë të lirë.

Postimi i Berishës: 

Përgjigje zj. Yuri Kim. Të dashur miq, Guvernatorja Yuri Kim në përpjekje për një shërbim të fundit Edi Ramës, foli sot njëlloj sikur të fliste McGonigal me fustan. Por me dekleratën e saj për zjarre dhe zjarrëvënës në të vërtetë ajo përpiqet të fsheh aferat e veta korruptive të denoncuara publikisht, por edhe afera të tjera. Ftoj inspektorin e përgjithshëm të Departamentit të Shtetit, FBI dhe Kongresin e SHBA të hetojë aferat korruptive të guvernatores Kim përfshirë këtu pronat e saj në Shqipëri. Partia Demokratike sikundër deri sot është e gatshme të jap kontributin e saj për këtë transparencë. Partia Demokratike shton se kandidatët e saj nuk janë as të barit as të zjarrit, por janë kandidatët e votës së lirë. Ajo fton çdo shqiptar të marrë ndryshimin në duart e veta për të shpëtuar vendin nga një e keqe që po zgjat më shumë se një dekadë! Bashkë Fitojmë! 

Reagimi i Berishës erdhi pas një interviste të ambasadores Kim. Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim kërkoi që në listat e kandidatëve për zgjedhjet lokale të 14 majit, të ketë kandidatë të pastër dhe me integritet. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Kim e konsideroi totalisht ta gabuar pjesëmarrjen e kryedemokratit Sali Berisha në këto zgjedhje. Duke theksuar faktin që ai është shpallur non-grata nga DASH, Kim e krahasoi Berishën me një zjarrvënës që premton të shuajë flakët dhe shtoi se përfshirja e tij është totalisht e gabuar.

TRENDING

Exit mobile version