Politike

Berisha: Gonxhja, hajdut i papërmbajtur, Balla fshiu gjurmët e Ramës

Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur lidhur me emërimin që kryeministri Edi Rama i bëri ditën e djeshme Blendi Gonxhes. Gjatë fjalës së tij nga ballkoni i banesës së tij, Berisha u shpreh kundër emërimit të Gonxhes si ministër të ministrisë për Kulturën, Ekonominë dhe Inovacionin. Ai nuk kurseu as akuzat ndaj ish-drejtorit të DPSHTRR, të cilin e quajti si një nga hajdutët më të papërmbajtur, teksa më tej tha se Rama sapo e bëri “super-ministër me tre portofole”. “Një nga hajdutët më të papërmbajtur të vendit, Blendi Gonxhe shpallet super ministër me 3 portofole. Cilido që njeh bashkinë e Tiranës, ju kujtohen çifti i 20 përqindëshit Rama-Gonxhe. Askujt nuk i harrohen vjedhjet e mëdha të Gonxhes së bashkisë që përmbyti Tiranën”, tha Berisha. Kreu i qeverisë, Edi Rama, njoftoi pasditen e së hënës formimin e ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Drejtimi i këtij institucioni i është besuar ish-drejtorit tashmë të DPSHTRR, Blendi Gonxhja, emri i të cilit i është dërguar për dekretim presidentin Bajram Begaj. Në nëntor 2018 Blendi Gonxhja u emërua drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, duke zëvendësuar Arben Isaraj, i cili dha dorëheqjen. Deri në atë kohë Blendi Gonxhja mbante postin e Drejtorit të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit në Bashkinë e Tiranës. Ndërsa tani do të mbajë postin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Tashmë është bërë një rutinë, që qytetarë të shumtë, mbështetës të Sali Berishës mblidhen poshtë banesës së ish-kryeministrit. Protestuesit kërkojnë heqjen e masës së sigurisë ndaj liderit demokrat. Berisha duke folur nga ballkoni hodhi akuza ndaj Edi Ramës, i cili sipas tij ka vendosur pushtet absolut, ku nuk ka interesa kombëtare, shoqërore, por ka vetëm interesa personale të pushtetit të korruptuar. Ndër të tjerash ai tha se Taulant Balla shkatërroi sistemin TIMS dhe prishi gjurmët e vëllait të Edi Ramës, Olsi Rama që përcillte kreun e Xibrakës për në Kubë.

Pjesë nga fjala e Berishës

Të dashur, qytetare e qytetarë, demokrate e demokratë. Mirënjohjen më të thellë, për këtë protestë tuaj e cila shpreh vendosmërinë tuaj për një përballje me ketë regjim, i cili në të vërtetë po shfaros në mënyrë paqësore shqiptarët. Me këtë regjim që arriti të vendosë në Shqipëri, pushtetin absolut të një njeriu që nuk ka interes kombëtar, shoqëror, por ka vetëm interesa personale të pushtetit të tij dhe sojit të tij të korruptuar. Pas rrëmbimit të zgjedhjeve, Edi Rama në mënyrën më të vendosur vazhdoi në rrugën e tij të luftës së egër kundër opozitës, vazhdoi krijimin me çdo kusht të një Shqipërie pa opozitë. Miqtë e mi, në rast se ju ndaleni për një moment dhe rikujtoni fjalorin e këtyre ditëve, të këtyre muajve dhe rikujtoni fjalorin e përditshëm të këtyre viteve të fundit, do të gjeni se dy fjalë janë më kryesoret në mediat dhe fjalorin e çdo dite. Fjala krim dhe fjala vjedhje. Vjedhje e qeveritarëve, krimi që vret në rrugë, krimi që godet në çdo skaj të vendit, krimi që vendos në parlament, që vendos në qeveri, që vendos kudo në Shqipëri. Pra sot ne jemi në një aleancë të pushtetit me krimin dhe krimit me pushtetit. Kjo aleancë ka bërë që Shqipëria të rrënohet gjithnjë e më shumë. Kjo aleancë ka bërë që 6 muaj më parë në krye të rendit dhe sigurisë, të emërohej politikani më i lidhur me krimin, se çdo politikan tjetër përveç Edi Ramës. Emërimi i Taulant Ballës nga aleanca e krimit me pushtetin në krye të rendit, shënonte dorëzimin përfundimtar të rendit, sigurisë, në duart e krimit. Ka 6 muaj në detyrë, ka arrestuar me operacione false, me dhjetëra fëmijë e adoleshentë. Asnjë ngarkesë droge, asnjë trafikant nuk është vënë pas hekurave, përkundrazi vijnë ngarkesat me kontejner, shkojnë te trafikatët dhe kthehen te policët e Ballës për ti pirë lëngun. Kjo ndodh se krimi ka vendosur në ministri, përfaqësuesin më të shëmtuar, Taulant Ballën. A nuk ishte ky njeri që me dokumente u gjet se kishte shoqëruar 54 herë, Taulant Begon, Edmond Begon me siguri me çanta kokaine. Të shoqërosh një njeri 54 herë jashtë vendit nuk mund të ndodhë përveç se ne lidhje me krimin. Taulant Balla që ka sot rendin, në një nga aktet e tij më të para prishi sistemin TIMS sepse këtu janë të stamposura gjurmët e tij me krimin, gjurmët e krimeve të Edi Ramës. Janë të stamposura qindra udhëtime të tij me avion personal, në destinacione pa asnjë mision tjetër, përveç misioneve të zeza. Në sistemin TIMS që prishi Balla janë gjurmët e vëllait të Edi Ramës, Olsi Rama që përcillte kreun e Xibrakës për në Kubë. Në sistemin TIMS janë të gjitha aktet në gjurmë të krimeve të pushtetit dhe bandave të tyre.

TRENDING

Exit mobile version