Politike

Berisha: Rama dhe Yuri Kim, komplot ndërkombëtar kundër meje

Sali Berisha ka mbajtur këtë të hënë një takim me kryetarët e degëve lokale, kandidatët dhe kryetarët e Bashkive të fituar prej Rithemelimit.

Sipas Berishës suksesi i tyre ishte i madh, ndonëse shënuan një humbje të thellë në zgjedhjet e 14 majit, ku nuk u votua as në vendlindjen e tij.

Para kandidatëve ai është justifikuar për humbjen duke bërë përgjegjës Ramën dhe ambasadorën e SHBA-ve Yuri Kim.

“Suksesi i kandidatëve tanë në këtë betejë ishte i madh. Por beteja ishte e pabarabartë. Ju falenderoj shumë. Mirënjohje për përpjekjet në fushatë. Në këto zgjedhje, natyrisht rezultati është larg atij që ju meritonit dhe që pritej.

Sot, në mbarë vendin, në të gjitha parlamentet lokale, ka një opozitë prej qindra këshilltarësh, të cilët i përgëzoj si për punën që kanë bërë dhe për misionin e rëndësishëm që kanë. Opozitë që i jep fund në aspektin parlamentar lokal, monizmit të plotë që ekzistonte. Nëse nuk kishim asnjë zë dhe deri para 14 majit, opozitarizmi në qeverisjen vendore nuk ekzistonte, tani kjo ka marrë fund.

Përveç kësaj, në disa bashki si Mirdita, Puka, Fushë Arrëzi, Kavaja, Himara, fituan kandidatët e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe unë jam i bindur se këta kandidatë, këta kryetarë bashkie, do bëjnë gjithçka për një qeverisje ndryshe, me qytetarin, për qytetarin.

Një përpjekje mafioze shqiptare- ndërkombëtare për të asgjësuar opozitën shqiptare, dëshmoi në mënyrën më të turpshme. Kurrë ndonjëherë nuk është bërë një përpjekje kaq e hapur, kaq antikushtetuese, kaq antiligjore nga mafia shtetërore shqiptare dhe ndërkombëtare, për të shuar opozitën në Shqipëri. Kurrë nuk është bërë një përpjekje kaq e hapur për ta vendosur atë në kontroll të plotë të interesave mafioze të Edi Ramës.

Edi Rama, me ndihmën e ish-ambasadores amerikane, McGonigalit me fustan, ndërhyri në procesin gjyqësor në kundërshtim me çdo parim të drejtësisë kombëtare dhe ndërkombëtare, dhe i mori forcës politike vulën, logon, tre ditë para fillimit të fushatës, me qëllimin që kjo forcë politike të mos hynte në fushatë. Por, ne nuk mund të binim viktimë e një akti antishqiptar, antidemokratik të mafies së Edi Ramës dhe George Sorosit. Kjo nuk mund të ndodhte.

Kurrë në historinë e një vendi të lirë nuk ka ndodhur, që koalicionit opozitar, t’ia caktojë kryetarin qeveria. Dhe ky përbën një nga aktet më të shëmtuara me qëllimin e vetëm për të goditur në zemër opozitën, për ta bërë atë fiktive.”- tha Berisha.

TRENDING

Exit mobile version