Aktualitet

Çdo luftë ka tradhtaret e saj,Nder e respekt për Heronjtë e këtij kombi

SOT, QEMAL STAFA DO TË ISHTE NË GJYKATËN E TIRANËS DUKE U GJYKUAR SI KOMUNIST!

SOT, ADEM JASHARI DO ISHTE NË GJYKATËN E TIRANËS NË FILLIM E MË PAS NË HAGË DUKE U GJYKUAR SI TERRORIST!

PËR LUFTËN, PËR ÇLIRIMIN, PREJ TRADHËTISË!

 

Një vit më parë, ishte e vështirë të flisje për luftën, histeria thuajse e vrau Çlirimin,

75-vjetorin e Çlirimit përmes luftës së popullit dhe gjithë këtij vendi.

Ka dy arsye pse ishte kaq e vështirë një vit më parë:

E para, lidhet me atë që ndodhi në 30 vite;

Një operacion i madh, politik e shtetëror, propagandistik e ekzekutiv,

kundër luftës antifashiste nacionalçlirimtare;

Nisur me shpifje, fyerje, me falsifikim të fakteve, ngjarjeve, betejave, relativizim, tallje, poshtërim, zëvendësim të datave, luftëtarëve, heronjve, vijuar me sulme, akte, gjyqe prej revanshi fashist, tipik fashist;

për të zhbërë bashkimin më të madh historik të shqiptarëve pa dallim feje – myslimanë apo të krishterë; krahine – veri apo jug, fshat e në qytet; ideje – patriote, idealistë e komunistë; pa dallim gjinie, për herë të parë në këtë vend- burra e gra, moshe- të rinj e të reja, për LIRI e kundër fashizmit, nazizmit.

Çdo luftë ka tradhtaret e saj;

Por kjo që ndodhi këtu tek ne nuk ka ndodhur kurrkund tjetër, Evropën e Amerikën antifashiste, ne çdo vend te koalicionit të madh antifashist.

Këtu ndodhi;

lufta e tradhtia, luftëtarët e tradhtarët, janë dy anë të një lufte kudo, nuk zhbëhen as si histori, as si alternativë, as si pushtet.

Por kurrë, me pushtet e në pushtet, nuk mund të bëhen tradhtarët heronj, nuk do i imponohen kurrë si heronj një populli edhe pas 75, 76, 100, 150, 200 vitesh.

E dyta, lidhet me përdorimin e luftës, luftëtarëve, heronjve;

Ne socialistët, progresistët e kemi thelb lirinë, antifashizmin, është kombëtare kjo, është edhe evropiane, vlerë e këtij kombi, vlerë në themelet e projektit më të madh përbashkues që nuk vdes kurrë,

Evropës së Bashkuar.

Por pavarësisht kësaj, kurrë nuk kemi njësuar veten me më të mirët e Altarit të Kombit, heronjtë e tij.

Askush në këtë vend, pas lufte apo mbi të gjitha pas vitit 1990, nuk ju afrua idealizmit, nderit, dinjitetit, dijes, sakrificës, rezistencës, betejave të Qemal Stafës, Vasil Shantos, Mujo Ulqinakut, Margarita Tutulanit, Myslym Pezës, Baba Faja Martaneshit, Liri Geros, Manush Alimanit, Ramiz Aranitasit, Perlat Rexhepit, Kozma Nushit, Abaz Shehut, Asim Zenelit, Vojo Kushit e mijëra luftëtarëve për liri të këtij vendi.

Heroi nuk është materialist, Heroi është idealist!

Heroi nuk vjedh, Heroi dhuron, jetën mbi të gjitha!

Heroi nuk merr, Heroi jep, gjithçka ka nga vetja e familja e tij;

Ndaj cilido abuzues, me e në pushtet,

hajdut nga Palasa deri në Hamallaj e Lalëz,

nuk mund të jetë kurrë hero;

nuk mund të jetë si heronjtë!

Nuk bën alkooli heronj, por nderi, dinjiteti, sakrifica, puna, veprat në shërbim të njerëzve të zakonshëm, Atdheut!

As lufta nuk është lavatriçe,

e as heronjtë nuk janë detergjentë,

që lajnë fajet e çdo keqbërësi, çdo abuzuesi, çdo hajduti.

Lufta e luftëtarët, heronjtë janë të shenjtë,

të paprekshëm, te papërdorshëm;

nderi për ta nuk janë kapaçkat e qëllimta politike të pushteteve, por kujtesa, respekti i një populli mirënjohës.

Ndaj heronjtë nuk janë të pushtetit.

Heronjtë janë të popullit!

Kështu sot, kështu do të jetë edhe mot;

Kështu këtu, kështu në Kosovë, në çdo kohë;

Dua ta them sot,

Në ndryshojmë, heronjtë jo,

atdhetarët po ashtu nuk mund të ndryshojnë kurrë.

Në një kohë tjetër, Qemal Stafa i gjallë,

sot do të ishte në Gjykatën e Tiranës,

duke u gjykuar si komunist gjatë luftës.

Në një kohë tjetër, Adem Jashari gjallë,

sot do të ishte në fillim në Gjykatën e Tiranës ku edhe ka qenë para disa vitesh, e më pas në Hagë.

Prej tradhtisë, natyrisht!

Nder e respekt për Heronjtë e këtij kombi.

Nder e respekt për popullin e Tiranës që u bë njësh në këto barrikada për të çliruar vendin,

për të çliruar Tiranën e pushtuar si çdo kryeqytet tjetër në Evropë, çliruar me lufte nga luftëtarët e vet, pa ndihmë, por duke u bashkuar për interesat madhore të kombit.

Nder e respekt kujtdo që

nuk harron heronjtë e tij!

Nder e respekt kujto që trashëgon frymën e heronjve të këtij kombi!

Nder e respekt gjithkujt që dha jetën për lirinë e këtij KOMBI!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version