Aktualitet

Çështja “Gërdeci”/ SHBA letërporosi në GJKKO: Pesë dëshmitarët mund të merren në pyetje nga agjentët e FBI-së

Në seancën e sotme në procesin e ish-ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu, për çështjen “Gërdeci”, gjykata raportoi se nga ministria e drejtësisë kishte ardhur përgjigja në lidhje me pyetjen e dëshmitarëve të kerkuara nga SPAK, që janë përfaqësues të kompanisë SAC në Amerikë.

Në përgjigjen nga SHBA, thuhej që ata nuk kanë mundesi që pyetja e tyre të behet në nje seancë gjyqësore, pasi shteti amerikan nuk e ka një praktikë të tillë, por mund të pyeten nëse bie dakord pala shqiptare, nga agjentët e FBI.

Avokati Ardian Visha theksoi se dëshmitarët amerikanë do të ishte mirë që të vijnë në Shqipëri, ndërsa shtoi se akt ekspertimi i amerikanëve ka shumë të meta dhe paqartësi.

“Të gjithë ata që pretendohet të jenë dëshmitarë, e mira do të ishin mirë të ishin në Shqipëri. Ne kemi këmbëngulur që amerikanët të pyeten me video-konferencë. I gjithë procesi për ne duhet të ishte mbyllur në një seancë. E vërteta determinohet mbi të gjitha për atë që ndodhi në Gërdec. Akt ekspertimi i amerikanëve ka shumë të meta. Akt ekspertiza thotë se mund të ketë ndodhur kjo, por edhe ajo, nuk është e qartë. Ne kërkojmë përballje me ekspertët, që dijet e tyre të jenë më të thelluara”, u shpreh avokati Visha. Edhe Mediu tha se parapëlqen marrjen me pyetje në një diskutim interaktiv.

“Do të konsultohemi me avokatët për qëndrimin e SHBA. Ne kërkuam diskutim interaktiv jo të ecet me letërporosi”, tha ai.

Në lidhje me përgjigjen e SHBA-së edhe prokurorët por edhe avokatët e Mediut thanë se do të shprehen në seancen e radhës, e cila u caktua më datë 2 maj ora 10.00. Mediu është nën hetim për rastin e tragjedisë së Gërdecit që ndodhi më 15 mars të vitit 2008, ndërsa ish-ministri akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre.

TRENDING

Exit mobile version