Shkrime

Çfarë mund të bëjë Rama për mos lëshuar shokët

Nga Enton Abilekaj

Në vend të shpjegonte pse nuk e lëshon drejtësinë, Kryeministri doli përpara shqiptarëve që të shpjegonte pse i lëshon shokët. Doli të shpjegonte se ai edhe mund të mos i lëshojë shokët, që do të thotë se mund ta kontrollojë drejtësinë, po “nuk ka zgjedhur asnjë për të mos e lëshuar”. E giithë kjo që po ndodh, sipas Ramës, është ajo për të cilën u votua në 2016 me konsensus, por tani që po bie mbi njerëzit e tij të afërt, nuk është e lehtë për të. Ky është këndvështrimi nga Kryeministria, ndërsa ai nga bulevardi është se, askush nuk e priste që, po ta ndizje edhe një shkrepse të ndrojtur në godinën e Kryeministrisë, do zgjoheshin kaq shumë hajdutë. Sepse SPAK, nuk e ka guximin të drejtojë projektorët në pallatin e pushtetit dhe këtë e tregoi më së miri rasti i Ahmetajt. Dosja e tij, e hetuar që nga viti 2005, u hap vetëm pasi Kryeministri ia hqqi pushtetin, vetëm para 1 viti, kur u shkarkua nga Zv/kryeministër pa arsye dhe, pak javë më vonë, u sulmua nga pronarët e Inceneratorëve, si për të sqaruar publikun se ishin ata që e vendosën shkarkimin e tij, ishin ata që kishin vendosur fundin e tij politik, deri në burgosje. Jo se burgosja e Ahmetajt nuk është vënie e Drejtësisë, por se Drejtësia ka bërë një gjueti mbi të për shkak të një pale tjetër politiko-ekonomiko- kriminale, tregon se kreu i Organizatës ka të drejtë kur u tregon të gjithëve se ai mund të mos i lëshojë, po ka zgjedhur t’i sakrifikojë, në mënyrë që përgjegjësia e tyre personale, të shërbejë për shmangien e tij nga përgjegjësia.

Kështu parimi “kokat hëngshin” filloi të zbatohet në Drejtesinë e re. Grupet brenda PS po ushtrojnë pushtetin e tyre për të goditur njëri- tjetrin, në një betejë ku nuk mungojnë as biznesmenët, madje atë të shpallurit në kërkim. Kur godet njëra palë duket sikur po bëhet Drejtësi për Inceneratorët; kur godet pala tjetër duket sikur po bëhet Drejtësi nga Inceneratorët.

Në të dyja rastet bien ministra, zyrtarë të lartë, politikanë të pasuruar shpejt në mënyrë kriminale, përtej habisë për numrin e hajdutëve që Kryeministri ka mbledhur në oborrin e pushtetit, për milionat e shpërdoruara në një projekt të vetëm, publiku ndihet më i qetë. Revolta ndaj korrupsionit galopant ndihet e shpaguar me kokat e ministrave dhe të Zv/Kryeministrit.

Në fakt ata janë viktimat e një lufte të brendshme. Grupi i parë viktima të dosjes së Inceneratorëve që dikush ia dorëzoi opozitës dhe futi në burg 1 ministër, 1 deputet, disa zyrtarë të lartë dhe disa biznesmenë dhe grupi i dytë, që kryesohet nga Arben Ahmetaj, që dyshohet si njeriu që e dorëzoi dosjen te opozita, pasi doli jashtë biznesit të mikut të tij.

E gjithë kjo luftë politiko – kriminale brenda llojit duket sikur sjell vetëm të mira. Duke përdorur SPAK për të luftuar njëri- tjetrin, anëtarët e organizatës jo vetëm që diskretitojnë veten dhe organizatën, por marrin dhe dënimin e merituar. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe.

Problemi është që, kur lufta të marrë fund, Drejtësia e re do të jetë thjesht një gijotinë e përgjakur në dorën e pushtetit, që nuk mund të mbijetojë pa prerë koka njerëzish të gjykuar politikisht. Revolucioni dhe Mbreti do jenë e njëjta gjë, Rama do të jetë edhe Luigji XVI, edhe Robespieri, sipas rastit, përsëritja e historisë, siç sugjeroi Ahmetaj, do jetë vetëm qesharake.

Në fund të luftës, publiku mund të jetë i kënaqur më viktimat, gjeneralë dhe ushtarë, fajtorë që zbatuan urdhërat, por nuk do të ketë Drejtësi, sepse orientimi i hetimit për inceneratorët, si dosja më e madhe që po këput koka politikanësh të lartë nuk është drejtësi. Asnjëri nga ata që janë nën akuzë sot, nuk e ka marrë vendimin që procedura të bëhej pa shpallje, asnjeri prej tyre nuk e ka marrrë guximin që 16 ministritë të bëjnë brenda ditës të njëjtën procedurë, asnjeri prej atyre nuk i ka dhënë 8 pikë bonus një kompanie që nuk ekzistonte akoma. Ata që e kanë bërë këtë janë të lirë, po shesin Drejtësi, viktima dhe moral në fjalime prekëse para popullit.

E vetmja gjë që mund të bëjë Rama për të mos lëshuar shokët, është të lëshojë Drejtësinë. Atëherë askush nuk do ta akuzonte atë se po e përdor si kamzhik.

TRENDING

Exit mobile version