Kosova

Çfarë po fsheh mjegulla e Veriut/ Ja çfarë tha ambasadori holandez

Teksa Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve në Kosovë mori vendim që zgjedhjet në kominat me shumicë serbe të zhvillohen më 21 prill, ish-ambasadori i Holandës në Kosovë Robert Bosch, ka thënë se ishte i pashmangshëm vendimi për votimet lidhur me largimin nga detyra të kryetarëve shqiptarë atje. Por, sipas Bosch, ky vendim, nuk do t’i ulë tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, pasi ai mendon se Beogradi ka vetëm një qëllim, që veriu të futet brenda kufirit administrativ të Serbisë.

“Vetëm kjo e kënaq presidentin Aleksandër Vuçiç”-theksoi ish ambasadori i Holandës, duke shtuar se ka gjasa që “paligjshmëria” në veri të Kosovës të rikthehet sërish, me kthimin e serbëve në institucione. “Beogradi bëri një gabim të madh që i tërhoqi të gjithë njerëzit e saj nga institucionet veriore, gjë që i dha Prishtinës një shans për të vendosur përfundimisht ligjin dhe rendin në veri, duke pastruar shumë fole ilegale” – deklaroi Bosch duke shpresuar që serbët do të votojnë pa presionin e Beogradit, siç ka qënë deri tani.

Votimi për katër komunat veriore, do të realizohet bazuar në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe udhëzimin administrativ për shkarkimin e kryetarëve në veri, të cilin e ka hartuar Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Kryetarët aktualë kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit, të cilat i ka bojkotuar komuniteti serb.

Nëse 50 për qind +1 e qytetarëve në listëve e votuesve votojnë në favor të largimit të kryetarit, atëherë ai konsiderohet se është larguar nga posti. Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Por, nëse gjatë votimit nuk arrihet shifra prej 50 për qind, nisma konsiderohet se ka dështuar dhe, sipas udhëzimit administrativ, një iniciativë e njëjtë mund të ndërmerret vetëm pas 12 muajsh.

 

TRENDING

Exit mobile version