Shkrime

CNBC: Një luftë e dytë mund të shpërthejë në Evropë

Ndërsa lufta në Ukrainë po vazhdon, tensionet janë përshkallëzuar në një pjesë tjetër të Evropës, shkruan CNBC, duke shtuar se analistët kanë shprehur shqetësimin se marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës mund të kthehen në një konflikt të armatosur.

Kanë kaluar njëzet muaj që kur Rusia filloi pushtimin e saj në Ukrainë dhe ajo mbetet fokusi kryesor i fuqive perëndimore që duan të ndihmojnë Kievin të rivendosë integritetin e saj territorial.

Megjithatë, në të njëjtën kohë, tensionet janë përshkallëzuar në një pjesë tjetër të Evropës që mbetet shumë e paqëndrueshme pas konfliktit brutal dhe kompleks që shpërtheu në vitet 1990.

Tani ka shqetësime se paqëndrueshmëria në këtë rajon të Evropës Juglindore mund të përshkallëzohet në konflikt të armatosur pasi bota është shpërqendruar nga lufta në Ukrainë.

Duke marrë parasysh kontekstin aktual politik dhe të sigurisë, analistët thonë se shpërthimi i dhunës në veri të Kosovës “duhet të shkaktojë alarm”.

“Zgjidhja e mosmarrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk është më vetëm një çështje politike, por një çështje serioze e sigurisë për rajonin dhe Evropën”, shkruan Majda Ruge, studiuese e lartë në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, duke theksuar: “Për SHBA-në dhe BE-në, zgjedhja nuk është më vetëm ndërmjet dështimit dhe suksesit të dialogut, por ndërmjet stabilitetit dhe përshkallëzimit të mëtejshëm të dhunës, veçanërisht nëse më në fund nuk e njohin rolin e Beogradit në destabilizimin e Kosovës dhe marrin një qëndrim më të fortë dhe qasje për t’u përballur me të”

Andrius Tursa, këshilltar për Evropën Qendrore dhe Lindore në Teneo, beson se “një ofensivë e drejtpërdrejtë ushtarake nga ushtria serbe në veri të Kosovës nuk ka gjasa për shkak të pranisë së forcave paqeruajtëse të NATO-s dhe rrezikut të sanksioneve ndëshkuese nga perëndimi

Nga një këndvështrim politik, shtoi ai, “Mprehja e shpatave në një kohë kur Beogradi po përballet me pyetje të pakëndshme lidhur me sulmin në Banjskës, ka rritur perceptimin perëndimor për Serbinë si një aktor destabilizues.”

Ai shtoi se marrëveshja në fillim të këtij viti që synon normalizimin e marrëdhënieve deri më tani ka rezultuar e paefektshme dhe se asnjëra palë nuk duket e gatshme të bëjë kompromis për “çështjet themelore siç janë sovraniteti i Kosovës dhe të drejtat e pakicave etnike në veri të Kosovës”.

TRENDING

Exit mobile version