Kosova

‘D DAY’ për Vuçiçin, serbët lëpijnë kockat që hedh Aleksandri

Diplomati Sreçko Gjukiç beson se rezoluta e Srebrenicës në OKB dhe diskutimi në Komitetin e Ministrave të KiE nuk i jep fund sfidave të politikës së jashtme për Serbinë.

“Përkundrazi, do të thosha se ato po fillojnë dhe se një fazë e re e marrëdhënieve me mjedisin dhe komunitetin ndërkombëtar është përpara nesh, si një sekuencë logjike ngjarjesh dhe diçka që duhet parë dhe përmbushur. Duhet të presim reagimin e Republika Srpska, siç është paralajmëruar, dhe qëndrimin e Beogradit për rezolutën. Me të gjitha llogaritë, mund të jetë një “D Day” pas rezolutës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, por edhe pas hyrjes së mundshme të Kosovës në KiE dhe shpresojmë që Serbia të mbetet në kete organizatë” – tha Gjukiç.

Ai vëren se pyetja është se deri në çfarë mase do të ndërmerren hapa të arsyeshëm dhe nëse do të mbizotërojnë ato irracionale dhe emocionale.

“Besoj se Kosova do të kërkojë me shpejtësi pranimin në organizata të tjera ndërkombëtare, OKB, BE dhe NATO. Sipas Marrëveshjes së Ohrit, Kosova mund të kërkojë hapjen e misionit të saj diplomatik në Beograd, qartësisht në baza reciproke” – Deklaroi Gjukiç duke shtuar se sipas tij, duhet të ketë probleme edhe me Brukselin për shkak të mos vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, mundësisë së përdorimit të fondeve zhvillimore etj, për të mos hyrë në “detaje” të tjera të politikës së brendshme dhe kriza që lidhen me “parregullsitë” zgjedhore, situatën gjithnjë e më të vështirë ekonomike dhe sociale që dikush mund ta lidh lehtësisht me ndikimin e një “faktori të jashtëm”.

Nga ana tjetër, Nebojsha Vujoviç, ish-shefi i misionit të Jugosllavisë në SHBA, arsyen e sfidave të akumuluara në politikën e jashtme të Serbisë i sheh në faktin se Beogradi zyrtar nuk ka dhe nuk ndjek një politikë të jashtme serioze.

“Me paralajmërimet e tij për ditët e kiametit, Vucic po e çon vendin në përmbytje. Rezoluta për Srebrnicën i shërben atij për politikën e brendshme sesa është realisht një rrezik i ri i madh që i afrohet Serbisë.

Vuçiç edhe një herë po hedh kocka, që ne të bluajmë e të argëtohemi si romakët në arenën e gladiatorëve. “Ai kërkon armiq nga jashtë për të ridefinuar veten si shpëtimtar i Serbisë dhe botës serbe nga brenda”, vlerësoi Vujovic.

Sipas tij, avokatë seriozë nuk shohin rrezik në tekstin e Rezolutës, rrezikun e vetëm e shohin në lëvizjet e paparashikueshme të Vuçiçit. Nuk ka asnjë akuzë në rezolutën për Srebrnicën se serbët janë një komb gjenocidal dhe se ishte një projekt gjenocidal shtetëror. Individët janë me emër dhe mbiemër, gjë që është përcaktuar nga gjykata.

Por Vuçiç ringjall demonë inekzistent që të gjithë ne serbët të gjunjëzohemi dhe t’i themi: “O i paprekshëm, na ndihmo” – ironizoi Nebojsha Vujoviç.

Ai po ashtu vlerësoi se Kosova është në derë dhe së shpejti do të hyjë në KiE, por se nuk është faji i raportueses Dora Bakojani, ndaj së cilës Vuçiç dhe Daçiç kanë hedhur lumenjë sharjesh. Kjo dyshe e meriton këtë kthesë të ngjarjeve. “Por Vuçiç nuk është i vetmi fajtor. Fajin e kemi edhe ne sepse e lejojmë Vuçiçin ta kthejë Serbinë në Vuçiçland” – theksoi ish-shefi i misionit të Jugosllavisë në SHBA.

TRENDING

Exit mobile version