Politike

Debati Mziu-Ndreu: Papagall, o shoku polic, ti je dru fare

Ish-kryebashkiaku i Kamzës Xhelal Mziu është përplasur me kryetarin e Bashkisë së Lezhës Pjerin Ndreu.

Gjatë diskutimeve në Komisionin e Reformës Territoriale, Mziu iu drejtua Ndreut duke thënë se ai nuk merr vesh nga shifrat për numrin e punonjësve në Bashkinë Lezhë ndërsa përdori edhe termin “papagall” në drejtim të tij.

“Mos më bëj mua si papagall. Më lër të flas. O shoku Pjerin. O shoku polic. Ku merr vesh nga shifrat ti. Ti je dru fare nga kjo pjesë. Reforma territoriale nxori në pah edhe probleme që vijnë për shkak të asaj që kërkohet.

Do të kërkoja mendimin e atyre që realisht kanë informacion për funksionimin e pushtetit vendor. A nuk do ishte normale që delegimi i kompetencave të jetë për të bërë listëpagesat. A nuk mundet që pushteti vendor të funksiononte si Kosova apo vendet e tjera të rajonit. Që një bashki të kishte kompetencën e arsimit parauniversitar deri te vendosja e drejtorëve”, tha Mziu.

Komisioni i Reformës Territoriale ka nisur me debate mes dy bashkëkryetareve Anila Denaj dhe Dhurata Çupi. Ndonëse ishte njoftuar të niste në orën 09:00, mbledhja nisi 30 minuta me vonesë dhe Denaj kritikoi opozitën që nuk ishte e pranishme. Çupi duke folur në mbrojtje të tyre u shpreh se duhet të ishte prezent edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Ky i fundit u përfaqësua nga nënkryetari Arbër Mazniku, i cili propozoi që Kamza dhe Vora të bashkohen me Tiranën. Përfaqësuesit e bashkive shprehën shqetësimet e tyre dhe treguan problemet që hasin Bashkitë. Agron Kapllanaj, ish kreu i PD në Mallakastër kërkoi që qeveria dhe kryeministri të mos ndërhyjnë më në financat e Bashkive si dhe tha që numri i punonjësve të bashkisë të jetë me ligj, jo të bëhet me urdhër partie.

Ndërsa Gëzim Topçiu, i cili ka marrë 6 mandate në Bashkinë e Maliqit tha se burimet njerëzore nuk janë të mjaftueshme dhe shtoi se duhen rishikuar pagat e punonjësve në Bashki pasi nuk pranojnë arkitektët paga me vlerë 50-60 mijë lekë.

Një tjetër shqetësim që u ngrit është shpopullimi në fshatra. Sipas Vangjel Dules, është problematikë që ka nisur shumë vite para dhe nuk është bërë asnjë veprim për frenimin e këtij procesi.

Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu duket se ishte kundër pasi thotë se Bashkitë kanë ulur borxhin me 50%. Sipas tij, nuk është e vërtetë që s’ka shërbime në zonat rurale, por nëse ndodh është mungesa menaxheriale e kreut të bashkisë.

Pjesë nga debati Denaj-Çupi

Anila Denaj: Nuk kemi debat për rradhën, por është e rëndë që opozita ska prezencë sot, janë bosh karriget e anëtarëve të opozitës. Ky komision duhet të niste në 09:00 e nisi me vonesë, pasi s’ka asnjë deputet të opozitës.

Dhurata Çupi: Jemi këtu për të dëgjuar kryetarët e bashkive.

Anila Denaj: Po duhet të ishte opozita ta dëgjonte, që nuk është dhe nuk po i përfaqëson qytetarët. Edhe pse opozita e ka kërkuar këtë komision, karriget janë bosh.

Dhurata Çupi: Duhet të ishte dhe kryetari i bashkisë. Të ishte aty.

Anila Denaj: Bashkia e Tiranës është e përfaqësuar.  Respektojmë njëri-tjetrin kur marrim fjalën. Është debat i panevojshëm.

Dhurata Çupi: Është shumë i nevojshëm.

Anila Denaj: Pa emocione. Opozita duhet të ishte këtu për t’i dhënë rëndësinë.

Dhurata Çupi: Dilni në media dhe jepni deklarata fundore dhe më pas kërkoni mbushje karrigesh. Mos jepni deklarata ndërsa këtu nuk vjen kryetari i Bashkisë. Do ta vlerësonim shumë nëse do të fokusoheshit tek reforma, çfarë u synua dhe ku jemi sot. Unë jam e qartë se nuk do ta pranoni se është e dështuar, por mos thoni se është e jashtëzakonshme. Është bërë vetëm propagandë.

Anila Denaj: Ju lutem ruani qetësinë.

 

TRENDING

Exit mobile version