DEKLARATA PËR MEDIAT E KRYETARES SË LSI, MONIKA KRYEMADHI

DEKLARATA PËR MEDIAT E KRYETARES SË LSI, MONIKA KRYEMADHI

Të dashur miq,
Ju falënderoj nga zemra për gjithë suportin që u keni dhënë kandidatëve të LSI dhe LSI-së.
Së pari, dua të uroj fitoren e oligarkëve dhe bandave, sepse ata janë fituesit e vërtetë të zgjedhjeve që sapo kaluam dhe ata janë të parët që duhen uruar.
Së dyti, uroj Presidentin Vuçiç për sondazhet e sakta që dha për zgjedhjet në Shqipëri.
Sot u mbyllën rezultatet e zgjedhjeve për mandatet e partive politike. Dua të falënderoj 107 mijë votuesit e vlefshëm, që ia dhanë votën LSI-së dhe dua të falënderoj edhe 21 mijë votuesit e pavlefshëm, ku 70 për qind e tyre janë votues të LSI-së.
Ky vjen një falënderim zemre, një falënderim shpirti për të gjithë të rinjtë dhe të rejat, për gjithë burrat dhe gratë, të cilët nuk pranuan as të intimidohen, as të shiten. Nuk u trembën nga kërcënimet, por përkundrazi vazhduan betejën e tyre deri në fund.
Makineria mediatike kundër LSI-së, politike, mediatike, oligarkike, e cila nuk u tërhoq në asnjë moment prej dy vitesh, që në momentin kur ne, si LSI, fatkeqësisht zbatuam një strategji, e cila pati pasojat në këtë rezultat dhe që nuk reflektoi vullnetin e qytetarëve për ndryshim, ku patëm një strategji të gabuar, duke filluar që nga djegia e mandateve, mos marrja pjesë në zgjedhjet lokale, gjë që në mënyrë të qëllimshme, i dhamë dashje pa dashje të gjitha pushtetet në dorë Edi Ramës, bandave dhe oligarkëve për të tjetërsuar që nga Kushtetuta, për të vazhduar në rrëmbimin dhe grabitjen e pronave të shqiptarëve. Për t’ju dhënë shansin dhe mundësinë jo për të blerë katër vitet e ardhshme me 500 euro votën, por për të blerë 100 vitet e ardhshme me 500 euro votën.
Kjo gjë dhe koha, dhe ky rezultat tregoi që shqetësimi i Presidentit të Republikës ishte i drejtë, për këtë situatë në të cilën ne gjendemi sot. Prandaj, dua që edhe në emër të LSI, edhe timin personal, ti kërkoj falje për këtë çast, për këtë veprim dhe për këtë qëndrim, i cili nuk solli gjë tjetër veçse 70 për qind të ndryshimit që donin shqiptarët, 70 për qind të shqiptarëve që donin ndryshimin, nuk solli gjë tjetër, por solli vetëm rrëmbimin dhe fitoren e zgjedhjeve nga bandat kriminale dhe nga oligarkët.
LSI dhe qytetarët ishin përballë një pabesie të madhe përballë këtyre zgjedhjeve, e cila deformoi thellë vullnetin e tyre, e vuri Shqipërinë në një udhëkryq shumë të rrezikshëm. Ajo i dha hapësirë tashmë dhe frymë bandave, krimit, i dha hapësirë dhe mundësi lëvizjeje oligarkëve dhe mediave të kapura nga oligarkët, në mënyrë të tillë për të tjetërsuar dhe për të shformuar çdo qëndrim të qytetarëve shqiptarë.
Ne mbetemi të palëkundur në të gjithë këtë proces dhe jo vetëm që nuk do të tërhiqemi, por do ta vazhdojmë betejën tonë edhe më tutje.
LSI nuk do të jetë vetëm në Parlament, por do të jetë në sheshe, do të jetë në çdo qytet dhe do të jetë në shtëpitë e qytetarëve shqiptarë. LSI do të vazhdojë denoncimet e saj për çdo manipulim dhe për çdo tjetërsim vote që është bërë në këtë proces. LSI do të vazhdojë në mënyrë të pashtershme, duke filluar që sot, për ta çuar deri në fund betejën e procesit zgjedhor.
Ju bëj thirrje të gjithë numëruesve dhe anëtareve të KZAZ-së të jenë vigjilentë sepse në Durrës, ku Edi Rama merr mandatin e Elona Gurit vetëm me 139 vota, deri tani kanë dalë mbi 15 fletë të pavlefshme të numëruara për Partinë Socialiste. Prandaj në Berat, në Korçë, në Durrës, kudo, numëruesit dhe komisionerët tanë të numërojnë çdo votë të Lëvizjes Socialiste për Integrim për kandidatët, të Partisë Socialiste për kandidatët dhe të Partisë Demokratike për kandidatët. Sepse tradhtia më e madhe vjen në tre mandatet e Beratit, të Korçës dhe të Durrësit, ku mandate të cilat i janë grabitur LSI-së, për të nxjerrë Edi Ramën në Durrës, pra për 140 vota i hiqet mandati LSI-së dhe i jepet Edi Ramës, pra e kuptoni simbolikën e rëndësishme. Për 150 vota i hiqet mandati Endrit Braimllarit dhe i jepet Niko Peleshit, e kuptoni simbolikën. Dhe tjetërsohet rezultati për 30 vota, në të qindtën e sekondës, duke i hequr mandatin Ardit Çelës dhe duke ja dhënë Blendi Klosit. Prandaj kjo është tradhtia më e madhe vetëm në tre mandate, pa llogaritur të gjithë procesin zgjedhor.
Prandaj numëruesit dhe komisonerët tanë të vazhdojnë betejën deri në fund, jo vetëm për të legjitimuar të gjitha grabitjet e votave të LSI-së, por edhe për të nxjerrë të gjitha ato vota të pavlefshme, që janë të numëruara për Partinë Socialiste. Ky proces i manipuluar para, gjatë dhe pas votimit, që nga ndryshimet e njëanshme kushtetuese, për të cilat ne e dimë shumë mirë sesi u luajt dhe sesi u veprua, në dhunimin e Kushtetutës në mënyrën më flagrante, në përdorimin e Policisë së Shtetit dhe të Prokurorisë për të intimiduar, kërcënuar dhe frikësuar mbështetësit e LSI-së, saqë dhe për të blerë bukën mbështetësit e LSI nuk kishin dot mundësi për të pasur para në xhep.
Mjafton të shikoni manipulimin mediatik të dy mediave kombëtare, me video që duken vetëm këmbët dhe montime zërash e bisedash, kuptohet shumë qartë se ku është i gjithë procesi.
Edhe e gjithë media oligarkike korruptive dhe e gjithë situata për të cilën kërkojnë të fajësojnë LSI. Administrata publike, mjafton të shikoni proceset e numërimit, do të shikoni drejtorët dhe të gjithë administratën publike që janë vëzhgues jo numërues. Vëzhgues dhe që mbajnë shënim leximin e votave të patronazhistëve të tyre. Mjafton për të evidentuar çdo gjë duke parasysh që i gjithë procesi ishte një manipulim industrial.
Të dashur miq,
Ne jemi si feniksi. Dua të falënderoj ata të rinj që kishin bërë atë video të mrekullueshme ku nga hiri ynë ne do të ringrihemi dhe do ta çojmë më tej betejën tonë. Beteja jonë nuk është një betejë për një karrige kryeministri apo për një karrige ministri.
Beteja jonë është për ju të rinjtë. Që të mos ikni nga Shqipëria. Por të rrini këtu. Beteja jonë është një betejë që Shqipëria të jetë shtëpia e shqiptarëve dhe jo shtëpia e bangladeshasve. Beteja jonë është që të mos ndalojmë në asnjë sekondë për të ardhmen e fëmijëve të shqiptarëve. Të jem e sinqertë zhgënjimin e kam pasur shumë të madh në numra. Por për një gjë jam shumë e kthjellët, shumë e qartë dhe shumë e vendosur.
Ky sistem për të cilin përgjërohet Edi Rama dhe kushdo tjetër, është një sistem që i doli boja. Mjafton të shikosh që LSI me 107 mijë vota të vlefshme merr 4 mandate dhe një parti tjetër që nuk dihet se çfarë është me 35 mijë vota merr 3 mandate. Ky është sistemi mafioz, kriminal, i tjetërsimit të vullnetit të qytetarëve shqiptarë. Megjithatë beteja jonë vazhdon nuk do të ndalemi. Ne jemi me qytetarët shqiptarë që duan ndryshimin dhe i themi kujtdo bujrum, në partinë tonë, në partinë e të rinjve dhe të rejave dhe jo në atë parti që mendojnë se mund të bëjnë çfarë të duan.
Sot më shumë se kurrë ne kemi nevojë për të shkuar pranë komisionerëve dhe numëruesve tanë, për tu dhënë zemër, forcë, për të çuar deri në fund procesin e numërimit, për të evidentuar çdo parregullsi dhe çdo manipulim, sepse fakte të tjera do të vijnë njëra pas tjetrës, se si ditën e shtunë, makina me xhama të errëta kanë lëvizur në të gjitha qytetet e Shqipërisë duke shpërndarë paratë e drogës, krimit, mafies e betonit, nga Londra, Berlini, Spanja, Kolumbia, Venezuela dhe gjithandej. Këto para nuk janë gjë tjetër, veç se helmi, që helmon të ardhmen e shqiptarëve dhe fëmijëve të tyre. Megjithatë të rinjtë dhe të rejat janë kundra helmit, janë ata që nuk do të lejojnë askënd që do të bëjë pazar me të ardhmen e tyre.
Zoti i bekoftë shqiptarët, Zoti ju ruajt ju dhe familjet tuaja, meqë e kanë merak shumë që e përmend Zotin. Djemtë e errësirës janë më të shpejtë se djemtë e dritës, por djemtë e dritës gjithmonë fitojnë. Prandaj për të gjithë ju që besoni, edhe Jezu Krishtin kur e çuan për ta kryqëzuar asnjë nuk e di sa herë u rrëzua me kryqin në krah, por vetëm një gjë e dimë; vajti dhe u ul në të djathtë të Zotit. Prandaj dhe ne jemi rrëzuar, do të rrëzohemi, por do të ringrihemi pasi kemi besim në zemër, kemi force, kurajë, shpirt dhe e duam këtë vend.
Faleminderit!

Related Posts

Kategorite

BIoscalin