Kosova

Diplomati gjerman ngre në qiell Albin Kurtin, ‘dërmon’ Vuçiçin

Nils Schmid, zëdhënësi për politikë të jashtme i Partisë Sociademokrate dhe deputeti i Parlamentit të Gjermanisë, në një intervistë për rrjetin gjerman të lajmeve “Deutsche Welle (DW)” në gjuhën serbe, ka thënë se teksa Qeveria e Kosovës ndjek qartë kursin pro-evropian, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, udhëheq politikën e mashtrimit.

“Në Kosovë kemi një qeveri që ndjek me vendosmëri kursin pro-evropian, në Serbi, për fat të keq, kemi një kryetar shteti që ka vite që udhëheq politikën e mashtrimit. Do të shohim se si do të duken rezultatet e zgjedhjeve parlamentare, pra nëse do të fitojnë forcat pro-evropiane në Serbi” – ka thënë deputeti gjerman, ndërsa ka folur për perspektivën evropiane të rajonit.

Duke komentuar situatën e sigurisë në Kosovë, posaçërisht pas paralamërimeve të fundit se Rusia është duke planifikuar të përshkallëzojë tensionet në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, ai ka theksuar se kjo është arsyeja pse është shumë e rëndësishme që Kosovës, Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës t’i ofrohet një perspektivë e qartë evropiane.

“Kjo është oferta jonë: prosperitet përmes bashkëpunimit dhe jo tensione përmes nacionalizmit. Shpresoj, në fakt jam i bindur, që qytetarët e Ballkanit Perëndimor duan të ecin pikërisht në këtë rrugë. Me disa krerë shtetesh, ne jemi skeptikë, sidomos me Vuçiçin” –  ka nënvizuar ai.

Ndryshe nga Kosova, perspektiva e Serbisë drejt Bashkimit Evropian është ende e pasigurt. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse Serbia do të ndjekë politika të favorshme ndaj stabilitetit rajonal, duke marrë parasysh se Serbia, gjatë gjithë historisë saj, ka marshuar sipas një daulleje krejt të ndryshme nga pjesa tjetër e botës perëndimore.

Në vitet e fundit, sondazhet e opinioneve të kryera në rajon dhe Serbi, tregojnë polarizimin e shoqërisë serbe persa i përket besueshmërisë dhe anëtarësimit në BE. Krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, qytetarët e Serbisë tregojnë skepticizmin më të lartë dhe qëndrimin më negativ ndaj BE-së, duke favorizuar Rusinë dhe Kinën.

TRENDING

Exit mobile version