Sport

Dita e ndeshjes, Shqipëria sfidon sot Bullgarinë në miqësore

Këtë të martë, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Sylvinho do të zbresin sërish në fushë ku do të përballen me Kombëtaren e Bullgarisë në një ndeshje miqësore. Takimi mes Kombëtares së Shqipërisë dhe miqëve nga Bullgaria do të luhet në stadiumin “Air Albania”, Tiranë, duke filluar nga ora 18:00. Shqipëria dhe Bullgaria janë përballur 11 herë më parë mes Kupës Ballkanike, kualifikueseve të Kupës së Botës, Evropianit dhe miqësoreve. Bullgaria numëron pesë fitore përballë kuqezinjëve, kundrejt dy të Shqipërisë. Katër takimet e tjera kanë përfunduar në barazim. Përballja e fundit mes Shqipërisë dhe Bullgarisë ka përfunduar në barazim 1-1 dhe ishte për llogari të kualifikueseve të Euro 2008. Ndeshja u luajt në “Qemal Stafa” dhe kuqezinjtë drejtoheshin nga Otto Baric. Trajneri Sylvinho foli të hënën në konferencën para ndeshjes, duke thënë se “mund të ketë disa ndryshime në formacion”. Përsa i përketë ndeshjes miqësore, e cila do të jetë e para e brazilianit nën drejtimin e Shqipërisë, ai thekson se “Kam pesë apo gjashtë vjet që e kam humbur sensin e miqësores. Mendoj se miqësore mund të konsiderohet vetëm ndeshja që bëhet në stërvitje mes dy skuadrave”. Gjithashtu, trajneri ka folur edhe për objektivat madhore të Kombëtares kuqezi. “Nuk mendoj për objektivat në Evropian, as për rinovimin. Po mendoj vetëm për ndeshjet e nëntorit. Duhet të theksojmë se asgjë nuk ka mbaruar dhe nuk ka asnjë nxitim nga ana jonë apo e Federatës për të ardhmen”, tha ai.

TRENDING

Exit mobile version