Sociale

Dita Nderkombetare per Eliminimin e Dhunes ndaj Grave

Ndërkohë që pandemia e shkaktuar nga COVID-19 dhe kultura mbizotëruese e mosndëshkimit kërcënojnë arritjet në kuadrin e barazisë gjinore dhe dhënies fund të dhunës ndaj grave dhe vajzave, me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, UN Women bën thirrje për veprime të fuqishme dhe vendimtare si përgjigje ndaj kësaj krize të paprecedentë.

Qeveria, Agjencitë e Kombeve të Bashkuara, shoqëria civile, rinia dhe sektori privat do të bashkohen për 16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore, një fushatë kombëtare mobilizimi kjo që do të zgjasë deri më datën 10 dhjetor me temën: Dëgjo, Beso, Mbështet.

Si asnjë vit tjetër, dhuna kundër grave është shtuar në mënyrë drastike, dhe për t’i dhënë fund kësaj pandemie të fshehur është e nevojshme mbështetja e secilit aktor dhe secilit prej nesh. Ne duhet të dëgjojmë të mbijetuarat, t’i besojmë atyre dhe t’i mbështesim me më shumë investime, drejtim dhe veprim.

Edhe përpara pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, dhuna kundër grave ishte një prej shkeljeve më të përhapura të të drejtave të njeriut, dhe thuajse gjysma e grave në Shqipëri kanë vuajtur të paktën nga një formë dhune gjatë jetës së tyre. Gjatë COVID-19, telefonatat në linjën kombëtare të këshillimit për gratë dhe vajzat (116117) u shtuan me 60% në prill, krahasuar me një vit më parë. Këtë vit, 2986 gra dhe vajza kanë denoncuar raste të dhunë në familje në polici. Rastet e dhunës seksuale të trajtuara në qendrën Lilium që nga hapja dy vjet më parë është 64.

‘Ne duhet të thyejmë heshtjen që ende rrethon dhunën me bazë gjinore në shoqërinë tonë: viktimat e abuzimit nuk duhet të ndihen asnjëherë në faj’, u shpreh Michele Ribotta, Përfaqësuesi i UN Women në Shqipëri.

16 Ditët e Aktivizmit do të përfshijnë më shumë se 250 aktivitete të organizuara në të gjithë vendin, si fizikisht ashtu edhe në internet. Qindra biznese dhe institucione shqiptare i janë bashkuar thirrjes së UN Women për të ngjyrosur në portokalli hapësirat e tyre virtuale në formë sensibilizimi dhe me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për parandalimin e dhunës. Disa prej tyre po mbështesin gratë e mbijetuara të dhunës me donacione. UN Women sapo ka përfunduar trajnimin e parë të trajnerëve për fuqizimin përmes vetëmbrojtjes me 14 punonjës socialë nga organizata të grave, të cilët e kanë përshkruar trajnimin si një përvojë që i “ndryshoi jetën”. Aktivitete të tjera përfshijnë një seminar për stereotipat gjinorë në media; trajnime me nxënës të shkollave për ngacmimet dhe abuzimet në internet; ekspozitë audio dhe video të historive të vërteta të dhunës ndaj grave dhe vajzave; forume me komunitetet fetare; seanca informuese në komunitet për shërbimet e disponueshme për të mbijetuarit.  Angazhimi i UN Women në fushatë mbështetet nga Qeveria e Suedisë dhe BE-ja.

Ashtu si në vitet e shkuara, godina si ajo e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Zyra e OKB-së në Tiranë dhe Reja do të ndriçohen me portokalli për të bërë thirrje për një të ardhme më të shndritshme ku gratë dhe vajzat mund të jetojnë pa dhunë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version