Aktualitet

Do të ulim gjysmë për gjysmë, mesatarisht, çmimin e karburantit për fermerët.

Përshëndetje dhe faleminderit që jeni të pranishëm në këtë të përjavshme për ekonominë!

 

Sot kemi një tjetër lajm besoj shumë pozitiv dhe të shumëpritur nga fermerët dhe ka të bëjë pikërisht me karburantin. Përpara sesa ta shpjegoj konkretisht, dua të përsëris se, nëse qeveria jonë në këtë fazë po hedh hapa të shumëpritur në drejtim të njerëzve të punës, këtu kam parasysh zerimin e taksës mbi fitimin dhe TVSH-së për biznesin e vogël deri në 100 milionë, zerimin e taksës për fitimin për biznesin deri në 140 milionë, rritjen e pagave 40% për mjekët dhe infermierët, rritjen e pagave 15% për arsimtarët. Ashtu sikundër kam parasysh edhe një sërë investimesh me rëndësi të madhe për ekonominë e vendit. Kjo vjen si rezultat i faktit që reformat, konsolidimi i gjithë strukturës së shtetit, konsolidimi i financave publike, rritja e konkurrencës, rritja e të ardhurave, kanë krijuar kushtet që ne ti bëjmë këto.

 

Nuk mund të bëheshin as vjet, as parvjet, 5 apo 7 vjet më parë jo e jo, pasi e gjithë lëvizja jonë drejt ë ardhmes ka qenë e bazuar mbi një plan strategjik, hapa konsekuencialë, të cilat janë hedhur me radhë, për të ardhur në kushtet kur krijojnë një mundësi të re për vendin dhe njerëzit.

 

Sot jemi në kushtet kur mund e do të ndërhyjmë për të filluar qysh nga fillimi i vitit të ardhëm me një regjim të ri mbi karburantin për prodhimin bujqësor. E faktikisht do të heqim nga karburanti për prodhimin bujqësor akcizën;

Do të heqim nga karburanti për prodhimin bujqësor taksën e qarkullimit;

Do të heqim nga karburanti për prodhimin bujqësor dhe taksën e karbonit.

 

Do të ulim gjysmë për gjysmë, mesatarisht, çmimin e karburantit për fermerët.

 

Për çdo fermer që punon tokën, llogaritet sasia e naftës që i duhet për sipërfaqe dhe kulturat e deklaruara në bazë të një normative të miratuar për punime tipike me mekanizim. Për atë sasi nafte llogaritet vlera e barrës fiskale, e cila do të përjashtohet. Kjo vlerë e përjashtuar do të konvertohet në sasinë e përcaktuar në bazë të kritereve që thashë të naftës që do të jepet falas përmes një karte të veçantë për çdo fermer.

Çdo fermer që ka tokë në pronësi apo me qera dhe që e punon atë është përfitues potencial i kësaj skeme, duke u siguruar që të ketë NIPT-in e fermerit sipas procedurave aktuale, të cilën sot e disponojnë mbi 47 mijë fermerë dhe të bëjë aplikimin online për naftën falas. Shumë e thjeshtë, pa asnjë vështirësi dhe ngarkesë.

 

Sot, ne besojmë që menjëherë, skema mund të përfshijë rreth 70 mijë fermerë të regjistruar dhe potenciali i skemës është për të shkuar më tej, 47mijë fermerë, të cilët e kanë tanimë NIPT-in prej kohësh, e kanë parë që NIPT-i nuk sjell asgjë tjetër, përveçse mundësisë për të pasur akses në të gjitha mbështetjet e ndryshme financiare që mund të merren nga shteti dhe ndryshe nga çfarë u tha kur ne kërkuam NIPT-in, nuk sjell asnjë barrë detyruese të asnjë natyre për fermerin, përveç detyrimit për të qenë i formalizuar dhe i identifikuar në rastin kur kërkon çdo lloj mbështetjeje.

 

Nga ana tjetër, ne besojmë që kjo është rruga për ta formalizuar më tutje të gjithë procesin e transaksioneve në bujqësi dhe për të mbrojtur deri në fund, çdo fermer dhe prodhimin e çdo fermeri nga ata që janë më të mëdhenj në raport me të, në sensin e grumbulluesve apo shpërndarësve të prodhimit.

 

Gjithçka do të jetë online. Të dhënat do të grumbullohen në bazë të një protokolli të programuar në një tabletë, për të cilën ka filluar puna nga Ministria e Bujqësisë. Ashtu sikundër Ministria e Bujqësisë ka disa kohe që po punon për të përfshirë teknologji të reja të monitorimit të mbjelljeve me anë të imazheve termike, apo fotografive ajrore.

 

Natyrisht që të gjithë ata që tërheqin naftën dhe nuk kryejnë punimet e deklaruara, përjashtohen nga skema për një numër vitesh, por që ky është aspekt i parëndësishëm në këtë moment.

 

Pra, duke filluar nga fillimi i vitit të ardhshëm, nafta, karburanti për prodhimet bujqësore do të jepet falas pa akcizë, pa taksën e karbonit, pa taksën e qarkullimit dhe kur them do të jepet falas, kini parasysh që sasia kompensuese e çmimit për sasinë e tokës së punuar do të jepet nga shteti. Që do të thotë që nuk do të ketë nevojë fare për merr, rimburso, ço fatura, histori që kanë krijuar problematikën e rëndë të skemës së naftës pa akcizë në të shkuarën dhe që e kanë bërë një skemë skandaloze humbjesh, korrupsioni dhe furnizimi të Benz-ave me magnetofon me zë të lartë në rrugët lidhëse mes fshatrave dhe qyteteve.

 

Me teknologjinë dhe me këtë skemë, ne t u japim fermerëve mundësinë të jenë pa asnjë ngarkesë burokratike, drejtpërdrejtë. thjesht kanë NIPT-in, futen në platformë, bëjnë deklarimin e sasisë së tokës. Mbi sasinë e tokës ka një kalkulim shumë të thjeshtë për litrat e naftës që duhet. Sasia që përndryshe do të harxhohej për barrën 50% mesatarisht mbi çmimin, do të jepet falas.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version