Rajon

“Don’t Look Up” – Debilizimi demokratik i politikës

Debilizimi demokratik i shoqërisë është fenomen i cili bëhet përmes nesh duke heshtur, votuar dhe prapë heshtur. Ky fenomen është momenti kur shtëpinë dhe vatrën e konsiderojmë të paprekshme nga fenomenet të cilat shfaqen në hapësirën publike

Nga Latif MUSTAFA

“Debil” do të thotë i trashë, i metë. Është fjalë sinonimike në gjuhën shqipe. Debilizimi demokratik i politikës është procesi përmes së cilit shoqëria në mënyrë demokratike ka votuar dhe legjitimuar kastën debile të politikës. Debilizimi është proces entropik, i pakthyeshëm. Fillon në instanca të vogla dhe mbaron në fundizmakatastrofik dhe apokaliptik për shoqërinë. Debilizimi demokratik i politikës është një proces reciprok në diagonalen shoqëri – politikë. Një herë, në një moment historik ndodh që një shoqëri të votojë një kastë të caktuar politike. Kjo kastë, pas ngjitjes në pushtet do të fillojë një proces të dekonstruktimit shoqëror. Ky dekonstruktim përbën, metodologjinë manipulative të përbrendësimit apo robërimit të vullneteve të lira, servilizimin e tyre dhe nënshtrimin e pakusht ndaj shtresës politike. Ky proces do të vazhdoj një formë shumë fine, pa kakofoni dhe i mbështjellë me një pafajësi të paparë. Por vjen një moment, kur disa individë të këndueshëm, që një kohë të gjatë kishin qenë të mbyllur në kalatë e tyre prej kristali, ta vënë re këtë moment, por tanimë gjithçka është vonë!

“Don’tlookup” është filmi më i komentuar dhe i debatuar këto ditë. Regjisor i filmit është Adma McKay, dhe në rolet kryesorë luajnë Leonardo Di Caprio, Jennifer Lawrence dhe Meryl Streep. Leonardo Di Caprio në një rol tepër atipik për të, një shkencëtar me nam, Jennifer Lawrence në rolin e një studenteje, doktorante në astronomi dhe Meryl Streep në rolin e një presidentes së SHBA-ve. Filmi, pak a shumë, ka të bëjë me rastin ku dy shkencëtarë përpiqen ta alarmojnë presidenten dhe administratën e Uashingtonit për goditjen e një meteori vrasës, i cili po i afrohet planetit Tokë, por ky fakt e gjen krejtësisht të papërgatitur shoqërinë. Ajo tashmë ishte në zgrip të historisë. Në film vërehen detaje alegorike të presidencës Trump, shpërfaqja e Elon Musk dhe prevalimi vrasës dhe i pakthyeshëm i shoqërisë konsumeriste, e cila është e manipuluar deri në palcë nga reklama dhe propaganda.
Filmi, gjersa krijon një qasje kritike për gjendjen reale, në të njëjtën kohë bën projeksionin fatalist për fundin e historisë dhe dominimin e qenies injorante. Qenies injorante në sensinplatonian, ata që janë të zhytur dhe i janë nënshtruar diktaturës lëvizëse të imazhit,i janë dorëzuar gjuetisë së egër të shpirtrave nga ato që duan shumë pushtet, para dhe famë në këtë botë jallane. Në film kemi shkencëtarët që përpiqen ta alarmojnë situatën, politikanët që përpiqen ta instrumentalizojnë për ngadhnjimin politik në zgjedhjet të cilat ndodhen në prag, kapitalistët të ndërrojnë kursin e vetëmbrojtjes drejt përfitimit të tyre ekonomik, dhe një shoqëri e cila ndodhet në një kaos shpirtëror dhe informativ rreth ngjarjes së vërtetë.

Filmi, nga një dimension tjetër kritik, shpërfaq edhe një situatë identike në lidhje me pandeminë, e cila në film simbolizohet përmes meteorit planet-vrasës, shoqërisë konsumeriste, e cila është e varur dhe e dirigjuar nga dritat dhe show-spektaklet mediatike, spektakle këto që e pamundësojnë çfarëdo mobilizimi shoqëror për ndryshime politike. Ajo shoqëri është e prirur t’i besojë konspiracionit, ngjashëm siç është sot rasti me vaksinimin midis domosdoshmërisë dhe përzgjedhjes së lirë për t’u vaksinuar. Paraqitja e presidentes në stilin alla Trump, fushata diskursive përmes një retorike të ulët dhe të thjeshtë janë ngjyrime dhe reflektime kritike ndaj entropisë dhe devijimit të shoqërisë amerikane në përgjithësi, por edhe shoqërive të ndryshme në botë. Akoma i kemi të freskëta imazhet televizive kur presidenti Trump e përgënjeshtronte virusin COVID-19, dhe imazhet akoma më prezente të grupeve të ndryshme shoqërore të cilët akoma, sot e kësaj dite, përgënjeshtrojnë ekzistencën faktike të virusit dhe modaliteteve të tij.

Filmi, po ashtu tërheq vëmendje ndaj një fenomeni tepër të rëndësishëm, dhe ai është indiferenca dhe apatia. Rezultat i indiferencës është mesazhi se vullnetet tona nuk vendosin veç për vetët tona, por janë të lidhura krejt në mënyrë kolektive. Indiferentët në shoqëri, intelektualët dhe akademikët të cilët janë të njoftuar mirëfilli për ndodhitë politike e shoqërore, kanë krijuar një situatë apatike duke qenë se ata janë mbyllur në rehatinë e tyre të zyrave akademike, dhe vazhdojnë të jenë të heshtur ndaj fenomeneve devijante, duke u vënë në shërbim të atyre që vënë në gjumë dhe mpijnë vullnetet e lira, dhe nuk flasin lirshëm përmes kanaleve alternative mediatike rreth zhvatjes dhe eskploatimit shpirtëror që ata i bëjnë njerëzimit dhe natyrës mëmë, si dhuratën e vetme hyjnore.

Apatia shoqërore është kaq e thellë saqë atyre edhe kur u kërkohet të shkojnë lartë – Look Up – ata priren të besojnë se nuk duhet të shikojnë lart – Don’t Look Up. Thjesht, mbajini sytë tuaj të ngjitur në ekranet televizive dhe të telefonave të mençur. “Marramendja metafizike” apo ndjesia për t’u lidhur me gjëra përtej fizikes dhe planetit, besimi në një Zot transcendentshihet si një ideal i shteruar inekzistent në shoqëri. Në apokalipsin total, pas dështimit edhe të kapitalistëve – të cilët meteorin e shohin si mundësi të pasurimit me elemente kimike që atyre do i leverdisë në biznese – dhuna dhe kaosi në shoqëri shfaqen vrullshëm. Disa të tjerë gjendjen melankolike dhe momentin e përballjes me makthin e madh të asgjësisë e shohin pranë familjes, si prehja më tradicionale dhe e pavdekshme e shoqërisë, ngjashëm, sikur njeriu bën një mijë aventura, dhe krejt në fund të ditës e pret një vatër e ngrohtë ku ai e lë botën pas.

Debilizimi demokratik i shoqërisë është fenomen i cili bëhet përmes nesh duke heshtur, votuar dhe prapë heshtur. Ky fenomen është momenti kur shtëpinë dhe vatrën e konsiderojmë të paprekshme nga fenomenet të cilat shfaqen në hapësirën publike. Por në fakt, njëjtësimi dhe barasvleftësimi i politikës me dijen po e shtyjnë shoqërinë tonë drejt gjendjes ku pushteti vendos se çfarë është e drejtë dhe çfarë është e padrejtë, çfarë është e mirë dhe çfarë e keqe, çfarë është e vërtetë dhe çfarë është e gënjeshtërt. Kaosi tashmë ka përfshirë dhe shpërndarë të gjithë hierarkinë e vlerave dhe gjendja postmoderne ka goditur në palcë çdo autoritet mendimi. Gjërat bëhen hëpërhë, epoka e opsionaleve po troket në derë. Të bësh sehir është gjëja më e lehtë, por veprimtari i lirë, si edhe mendimtar që është, do të vazhdojë të trokasë në ndërgjegjet e lira e të pastra, në qoftë se e gjitha bota do të përmbyset mbi të!

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version