Aktualitet

Dosja e ‘check up’, disa qytetarë nga Elbasani thirren në SPAK të dëshmojnë

Disa qytetarë nga Elbasani janë thirrur në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të dhënë deklarime, në kuadër të hetimit për koncesionin e “check up-it”. Rreth 70 persona janë thirrur për t’u marrë në pyetje, ku do të tregojnë “eksperiencën” e tyre me procesin e check-up.

Dosja është regjistruar në SPAK më 18 shkurt të vitit 2020 nga Partia Demokratike, gati një javë pas depozitimit të kallëzimin penal. Selia blu ka kallëzuar 10 persona, mes të cilëve ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja, ministren aktuale Ogerta Manastirliu, drejtues dhe ish-drejtues të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe aksioneren e kompanisë përfituese të Check-Up, Vilma Nushin. Shtatë janë akuzat që ka ngritur ndaj tyre Partia Demokratike, si korrupsioni aktiv e pasiv, shpërdorimi i detyrës apo përfitimi i paligjshëm.

Në kallëzim thuhet se ka prova dhe fakte për shkeljen e ligjit, në dy faza, në procedurën e dhënies në koncesion dhe përzgjedhjes së fituesit, si dhe zbatimin e kontratës. Sipas selisë blu, Ministria e Shëndetësisë ka shkelur procedurat ligjore për shpalljen e fituesit dhe lidhjen e kontratës, ka shpallur fitues ofertuesin me çmimin më të lartë, duke sjellë dëm të lartë financiar për buxhetin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor dhe se procedurat koncesionare kanë qenë fikitive dhe fituesi ka qenë i paracaktuar. Po ashtu, në kallëzim thuhet se zyrtarët e kallëzuar, edhe pse janë të detyruar me ligj, nuk kanë ushtruar kontrolle ndaj koncesionarit për të parë nëse respektohet afati i realizimit të analizave prej 3 orësh, janë ndërtuar 475 pika Check-Up dhe 20 laboratorë.

TRENDING

Exit mobile version