Politike

Dosja Muzin/ PD: Lulzim Bashës ia mbylli Rama…

TIRANË– Partia Demokratike kërkon rihapjen e dosjes Muzin pas publikimit të raportit amerikan që deklaronte se Rusia ka financuar Partinë Demokratike me 500 mijë dollar gjatë vitit 2017. Në një deklaratë për mediat, Floriana Garo, zëdhënëse e PD tha se pasi janë njohur me indicie që flisnin për një financim rus, e kanë denoncuar publikisht këtë gjë, që e konsiderojnë akt personal të Lulzim Bashës, i cili drejtonte PD-në në vitin 2017. Ndaj Garo thotë se Partia Demokratike do t’u kërkojë forumeve të saj ngritjen e një grupi pune për ndërmarrjen e një auditi të imtësishëm nën drejtimin e një Komisioni të Posaçëm. Raporti i auditimit do t’i prezantohet Kryesisë, Këshillit Kombëtar, Grupit Parlamentar, dhe do të publikohet. Partia Demokratike kërkon rihapjen e menjëhershme të çështjes në fjalë, e cila shton se është mbyllur me ndërhyrjen e kryeministrit Edi Rama tek gjyqtarët që sipas selisë blu, janë të korruptuar.

Çfarë ndodhi sot?

Një raport i inteligjencës amerikane ka dalë në konkluzionin se Rusia ka financuar Partinë Demokratike me 500 mijë dollarë në vitin 2017. Në atë kohë selia blu drejtohej nga Lulzim Basha, i cili është akuzuar shumë herë publikisht për dosjen ‘Muzin’. Gjithçka erdhi pasi firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ kishte dekaruar në vitin 2018 në Departamentin amerikan të Drejtësisë, se ajo kishte marrë gjithsej tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017. Dyshimet ishin se pas pagesave të bëra nga kompania “Biniatta Trade LP” me bazë në Skoci, për aktivitete lobimi në favor të PD-së para zgjedhjeve të vitit 2016 në Shqipëri, qëndronin biznesmenë rusë. Autoritet shqiptare hapën hetime, por prokuroria u tërhoq nga akuza për pastrim parash dhe Gjykata pushoi çështjen e ngritur ndaj Lulzim Bashës, Arben Ristanit dhe Ilir Dervishajt. Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është shfajësuar duke u shprehur fillimisht se 500 mijë dollarët u dhanë nga shqiptaro-amerikanët, por më pas tha se ai vetë nuk ka lidhje me burimin e parave e se kjo ishte një çështje që i përkiste lobuesit, pra, firmës Muzin.

Deklaratë e Partisë Demokratike, zëdhënësja Floriana Garo.

Pas publikimit të një lajmi të bazuar në raportin e shërbimeve inteligjente të SHBA në Zërin e Amerikës, për inflitrimin rus në politikën e disa vendeve, dhe financimin e politikanëve në këto vende, ku përfshihet financimi me 500 mijë dollarë të ish-kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha në zgjedhjet e vitit 2017, Partia Demokratike bën me dije se:  Ne jemi parti e interesit kombëtar dhe i shohim këto interesa larg aksit serbo-rus, në linjë të plotë me vendet e botës së lirë, Shtetet e Bashkuara te Amerikës dhe Bashkimin Europian. Partia Demokratike është forca e parë euro-atlantike në Shqipëri, propozuesja e parë ndër vendet ish-komuniste e planit për anëtarsim në NATO dhe Komunitetin Europian. Si e tillë, Partia Demokratike deklaron se, pasi është njohur me indicie që flisnin për një financim rus, ka denoncuar publikisht këtë akt personal të Lulzim Bashës.

Gjithashtu, Partia Demokratike ka denoncuar perdorimin e kesaj afere per marrjen peng të këtij individi me qëllim shkatërrimin e Partisë Demokratike. PD ka denoncuar ndërhyrjen direkte të Edi Ramës, nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm Engjëll Agaçi për mbylljen e çështjes në ngarkim të Lulzim Bashës për këtë aferë. Partia Demokratike do t’u kërkojë forumeve të saj ngritjen e një grupi pune për ndërmarrjen e një auditi të imtësishëm nën drejtimin e një Komisioni të Posaçëm. Raporti i auditimit do t’i prezantohet Kryesisë, Këshillit Kombëtar, Grupit Parlamentar, dhe do të publikohet. Ne e konsiderojmë ndërhyrjen financiare për interesa malinje, që bien ndesh me interesin kombëtar të Shqipërisë dhe orientimin e saj perëndimor, si një cënim flagrant të sovranitetit të vendit, nga një agresor që po lan në gjak popullin mik te Ukrainës. Gjithë përgjegjësitë për këtë bien mbi Lulzim Bashën, i cili për orekset, agjendat, hallet dhe shkeljet personale, vendosi të rrënonte sovranitetin e Partisë Demokratike dhe të merrte zvarrë vullnetin e demokratëve.

Partia Demokratike kërkon rihapjen e menjëhershme të çështjes në fjalë, të mbyllur me ndërhyrjen e Edi Ramës tek gjyqtarët e korruptuar, i cili më parë kishte denoncuar vetë financimin e Lulzim Bashës nga rusët, por tani i duhej te shpëtonte pengun e tij të dobishëm për të shkatërruar Partinë Demokratike. Rruga tipike mafioze që u gjet për këtë ishte mosdërgimi, ne kundershtim te hapur me ligjin i dosjes në Gjykatën e Lartë. Partia Demokratike kërkon transparence dhe nje proces të qartë publik. Ajo eshte e gatshme të bashkepunojë me institucionet shqiptare dhe të vendeve partnere për zbardhjen e plotë të së vërtetës së kësaj çështjeje, dhe deklaron se misioni i saj ka qenë dhe vijon të jetë vokacioni perëndimor i kombit shqiptar dhe besnikëria ndaj vlerave themelore që ndajmë me partnerët tanë.

TRENDING

Exit mobile version