Aktualitet

Dy vite punë e 32 mln euro kosto: Tenderi për zgjerimin e rrugës Tiranë-Durrës brenda këtij viti

Zgjerimi me dy korsi të tjera të autostradës Tiranë Durrës, me gjatësi rreth 31 kilometër do të kushtojë mbi 3.3 miliardë lekë apo më shumë se 32 milionë euro.

Në procedurën tenderuese të planifikuar për t’u shpallur brenda këtij viti nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, punimet do të kryhen në dy faza.

Faza e parë e cila parashikon zgjerimin në 35.1 metër nga 18.6 metër që aktualisht autostrada është do të kushtojë mbi 1.6 miliardë lekë. Po aq para’ planifikohen të dalin nga buxheti i shtetit edhe për punimet në fazën e dytë që përfshin segmentin Kthesa e Rinasit-Durrës.

Paralelisht, Autoriteti Rrugor Shqiptar parashikon të hapë edhe një tjetër tender për rikonstruksionin e rrugës së vjetër Kombinat-Ndroq-Plepa. Fondi në dispozicion për ndërtimin e lotit të parë të kësaj rruge është pak më shumë se 1 miliardë lekë.

Brenda këtij viti pritet të nisë puna edhe për ndërtimin e rrugës Berat–Ballaban. Aksi rrugor me gjatësi prej 58 kilometrash që lidh qarkun e Beratit me atë të Gjirokastrës pritet të kushtojë mbi 4.1 miliardë lekë. Për lotin e parë të punimeve janë venë në dispozicion pak më shumë se 1.9 miliardë lekë, ndërsa për atë të dytë gati 2.3 miliardë lekë.

Akset rrugore, punimet për ndërtimin e së cilave planifikohet të zgjasin mbi dy vite i shërbejnë si qytetarëve shqiptarë, ashtu edhe turistëve të huaj.

TRENDING

Exit mobile version