Politike

E duam Shkodrën po aq shumë sa Vlorën, e duam Shqipërinë në çdo cep të territorit të saj

Diskutimi në parim i buxhetit është një ndër momentet më të rëndësishme të jetës parlamentare të dy sesioneve që përbëjnë vitin kalendarik.
Në fillim të fjalës sime, dua të them dy fjalë lidhur me dorëheqjen e sotme të Presidentit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi.
Mendoj që ne si Kuvend duhet të shprehim të gjjithë solidaritetin për këtë akt prej shtetari të Presidentit Thaçi për t’u vënë në dispozicion të Gjykatës së Hagës, duke theksuar se lufta për çlirimin e Kosovës nga pushtuesi serb, nga genocidi serb, ka qenë një luftë e pastër, e drejtë dhe ka qenë e mbetet një luftë çlirimtare.
Në këtë kontekst dua të nënvizoj se historia në asnjë vend të globit nuk do të shkruhet me akt-akuza dhe vendime gjykate. I them çdo bashkëatdhetari se Kosova sot nuk është në një ditë të vështirë, përkundrazi, Serbia duhet të ndihet si e tillë. Kosova po vendos një standard në marrëdhënie me drejtësinë ndërkombëtare. Çdo prirje e politikanëve serbë apo mediave për të etiketuar pavarësinë e Kosovës dhe këto akte prej shtetari të lidershipit të politikës së Kosovës, nuk mund të bëjnë aspak pis luftën e UÇK-së.
Qoftë Thaçi apo burra e gra që kanë kontribuar, do të dalin ballëlartë e faqebardhë në fund të këtij procesi. Nuk ka asnjë dyshim të bazuar në prova të mirëqena.
Besojmë që drejtësia do të bëjë punën e saj në kohë. Ashtu siç e tha dhe Thaçi, nuk është koha për lamtumirë, por për një transparencë përfundimtare pas 20 vitesh. I uroj të gjithë luftëtarëve të UÇK të përballen me ccdo akt-akuzë dhe me të gjitha gjykatat e mundshme, me dinjitet kombëtar , ashtu sicc i ka hije shqiptarëve, sepse janë i vetmi komb që kanë luftuar për çlirim dhe jo për pushim. Shqiptarët gjithmonë janë mbrojtur, nuk kanë sulmuar. Janë model dhe ky është mesazhi që duhet të çojmë në solidaritet të plotë me lidershipin politik të Kosovës duke i uruar të përballen me dinjitet.
E dyta, jemi në një situatë të vështirë prej Pandemisë. Njëri prej kolegëve që ka kaluar Covid-19 u shpreh me të drejtë se duhen respektuar të gjitha masat. Media publikon shpesh herë raste të politikanëve të papërgjegjshëm, sikurse është një zonjë që i bën bisht ligjit. Ligji vepron dhe duhet të veprojë njësoj për të gjithë. Kur gjobiten 700 qytetarë në ditë, edhe Monika Kryemadhi duhet të gjobitet dhe të paguajë gjobën.
Dua të kujtoj se ky Kuvend ka miratuar edhe penalitete më të rënda, sikurse janë ndryshimet në Kodin Penal. Nëse këta qytetarë nuk vënë mend dhe me dëshirë e vetëdije bëhen përhapës të këtij virusi vrasës, do të ndëshkohen sipas ligjeve në fuqi.
Ky virus është një armik i padukshëm dhe mund të sjellë dëme të parikuperueshme. Megjithëse rastet në Shqipëri, krahasuar me rajonin, janë të ulëta, nuk duhet ulur gadishmëria.
Lidhur me buxhetin, nxis Komisionet të vazhdojnë bëjnë punën e tyre me diskutimet. Kemi dy javë punë intensive për të ardhur në seancën e fundit.
Unë jam shumë krenar si Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, që ky Kuvend bën rritjen më të madhe të pagës minimale në ekonominë shqiptare në 10 vitet e fundit. Çdo familje shqiptare ku njëri prej prindërve është në punë, i garantohet të dërgojë në shtëpi minimalisht 300 mijë lekë të vjetra.
Për vitin 2021 dua të them gjithashtu se falë mirëadministrimit financiar, pavarësisht goditjes që i dha ekonomisë pandemia dhe buxhetit për infrastrukturën e rindërtimit, 260 miliardë lekë, ne përsëri jemi në kushtet që të garantojmë një rritje të pagave të planifikuar në shumën e 80 milionë dollarëve. Këtu përfshihet edhe rritja e pagës me 40% për punonjësit e sistemit shëndetësor dhe 15 % për punonjësit në sistemin arsimor. Në numra nominalë janë 4650 mjekë në kujdesin parësor dhe dytësor, të cilëve u rritet paga në vitin 2021. Janë 13765 infermierë e laborantë, të cilëve u rritet paga në vitin 2021. Janë 35883 mësues të arsimit parauniversitar, të cilëve u rritet paga. Këto janë shifra konkrete.               .
Sot mirëadministrimi i financave publike na bën të kemi mundësitë të përfundojmë procesin e rindërtimit brenda vitit 2021, të mos prekim pjesën më të rëndësishme të investimeve publike që janë të detajuara në tabelat e buxhetit.
Puna parlamentare e çdo deputeti është që të shohë me vëmendje të gjithë detajimin e buxhetit, përsa i përket çështjeve të investimit dhe alokimit të resurseve buxhetore.
Në këtë buxhet ne vazhdojmë të mbështesim reformën në drejtësi dhe çdo bashki në vend.
Tek Reforma në Drejtësi japim 53 milionë dollarë të tjera për 668 personel shtesë të punonjësve.
Këtu gjej rastin të vazhdoj të shpreh mbështetjen e plotë për procesin historik të pastrimit të drejtësisë nga gjyqtarë e prokurorë të korruptuar, duke nxitur ecjen më tej të procesit të Vetting-ut dhe goditjen e çdo gjyqtari apo prokurori që vazhdon të bëjë Pazar me drejtësinë. Të tilla janë rastet e fundit të zbuluara nga media në vend, ku gjyqtarë apo prokurorë në vetëdije të plotë të moskalimit të procesit të Vetting-ut, vazhdojnë të bëjnë tregti me drejtësinë. Këto akte të rënda nuk do të shpëtojnë pa ndëshkim.
Pas procesit të Vetting-ut ata gjyqtarë e prokurorë me problematika të rënda në pasurinë e tyre do të ndiqen penalisht.
Në fund gjej rastin të falenderoj ministrat e kabinetit qeveritar që kanë arritur të planifikojnë në secilin prej sektorëve të tyre investime të rëndësishme në të gjithë territorin.
Nuk është aspak e vërtetë ajo që ngriti një prej kolegëve. Nuk ka dhe nuk ka për të pasur kurrë një qeveri të Partisë Socialiste, që do të bëjë diferenca mes Veriut dhe Jugut.
Nëse i merrni shifrat një për një, do të shikoni se e kundërta mund të jetë e vërtetë. Politika jonë i trajton komunitetet të gjitha njëlloj.
Për mua si Taulant Balla apo Kryeministrin Edi Rama, e duam Shkodrën po aq shumë sa Vlorën, e duam Shqipërinë në çdo cep të territorit të saj.
Faleminderit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version