Vlerat dhe mesazhet e forta, apo shikueshmëria maksimale dhe kapja e “masës”? Kjo është një pyetje e rëndësishme për televizionet në ditët e sotme. Iva Tico i ka dhënë një përgjigje të ftohtë kësaj pyetjeje me shkrimin e saj në “Instagram”.
Ajo përshkruan me qetësi se televizionet kapitaliste duhet të ushqejnë shijet e “masës” në mënyrë që të sigurojnë ekzistencën e tyre në treg nëpërmjet reklamave dhe të ardhurave.
“Masat” janë ata që orientojnë dhe programet televizive, pasi lufta për audiencë bën televizonet të prodhojnë ato emisione që të kapin masën. Nëse krijohen emisione libri, muzike apo edukimi, a do të kenë shikueshmëri të lartë dhe të bëjnë masën për vete?
Kjo temë u diskutua gjatë në emisionin “Shqipëria Live”, ku i ftuar ishte edhe gazetari i njohur Mentor Kikia. Ky i fundit u shpreh se mendon se media duhet të edukojë publikun.
“Duhet të kuptojmë një gjë, media komerciale është një lloj biznesi. Do të shesë produktin që shkon më shumë në treg. Media bën një përjashtim, sepse nuk është një biznes që varet sa shet. Misionet e medias janë shumë dimensionale.
A ka media për detyrë të edukojë apo jo? Unë them po, por nuk do ta ngarkoja median me përgjegjësinë që ne nuk kemi një shoqëri shumë qytetare dhe edukuese. Por ka programe ç’edukuese. Nëse ne nuk e detyrojmë një media për të bërë një program për fëmijë, nëse nuk prodhon dot një emision të tillë, atëherë nuk duhet as të promovosh një emision ç’edukues”, tha Kikia.
Gazetari i njohur u shpreh se ka një ligj që “është më i fortë se çdo ligj, kodi i etikës”.
“Nuk mendoj që ka një program televiziv që ka si qëllim për të ç’edukuar. Për mediat ka vetëm një tregues, audiencë, me etikë apo pa, me edukim apo ç’edukim. E duke qenë se jemi në një konkurrencë të fortë, nuk marrim parasysh asgjë. E marrim atë prezantuese, e zhveshim e degradojmë, vetëm që të marrim audiencë. Këtu kemi të bëjmë me disa show kabaresh që për fat të keq shfaqen në televizion. E këto duhet të shfaqen diku tjetër. E nxjerr për faqe të zezë. Lufta për audiencë ka shkatërruar çdo lloj etike në programet televizive”, tha Kikia.
Sipas gazetarit të njohur, në televizione nuk ka emisione për fëmijët. “Çfarë do të ndjekë në televizion fëmija? Do shohë atë që ndjek mami dhe babi, lajme, telenovela e kështu emisionesh”, përfundoi Kikia.
gsh/