Kosova

E treta e VERTETA, zgjatet bishti i dinarit serb

“U pa që ka një dallim të madh mes propozimeve të të dyja palëve dhe pas disa bisedimeve u dakorduam se ka nevojë edhe për një takim të radhës” –  Kështu tha kyenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi para gazetarëve pas takimit me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviç dhe Emisarin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak në Bruksel ku u diskutua për çështjen e dinarit.

“Ne kemi dy propozime. E dimë se cili është fokusi i secilës palë, por në këtë pikë do të dëmtonte më shumë procesin nëse ne do paraqesim detajet e dy propozimeve” –  potencoi Bislimi, duke shtuar se takimi i radhës mes kryenegociatorëve mund të mbahet gjatë javës së ardhshme.

Takimet e kësaj të hëne ishin vazhdim i takimit të javës së kaluar, kur të dyja palët u pajtuan për të propozuar një zgjidhje për çështjen e dinarit.

Nga ana tjetër, Drejtori i Zyrës për Kosovë në qeverinë serbe, Petar Petkoviç, tha se është i shqetësuar për pozitën dhe të ardhmen e popullit serb në Kosovë, sepse është e qartë se Prishtina zyrtare, nuk ka vullnet politik për të arritur një zgjidhje.

Petkoviç theksoi se Serbia do të vazhdojë të negociojë deri në atomin e fundit të fuqisë së saj dhe se do të investojë të gjithë energjinë dhe do të vijë aq here sa duhet, vetëm për të arritur një zgjidhje.

“Ne do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të ruajtur paqen dhe popullin tonë, të cilit po i shkelen të drejtat e njeriut” – deklaroi Petkoviç, duke theksuar se “pala tjetër nuk dëshiron kompromis dhe se Albin Kurti do vazhdojë të persekutojë popullin serb.”

Ai tha se përsa i përket Bashkimit Europian, është një histori më vete, se Unioni ose nuk ka ose nuk dëshiron zgjidhje dhe se nuk ka alternativë të tretë.

“Sidoqoftë, ne jemi të përkushtuar për dialog dhe do të bëjmë gjithçka për të arritur një zgjidhje, me ekspertët tanë të mundohemi që të mundësojmë vazhdimin e punës së Bankës së Kursimeve Postare në Kosovë dhe që njerëzit të mund të marrin lirisht pagat, pensionet dhe përfitimet sociale.Ky është thelbi i propozimit tonë”, nënvizoi Petkoviç.

Ai shprehu besimin se delegacioni serb ka vepruar me përgjegjësi, shumë korrekt, duke kërkuar zgjidhje, në kërkim të kompromisit, sepse kompromisi nuk është fjalë e keqe apo e shëmtuar për Serbinë.

TRENDING

Exit mobile version