Kronike

Ekstradohet në Shqipëri portugezi, publikohen pamjet nga zbritja në Rinas

Autori i vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj në lokalin e tij në Shëngjin ka mbërritur sot në Shqipëri. Portugezi, Ruben Saraiva ka qëndruar që prej majit i burgosur në Marok, ndërsa raportohet se gjatë ekstradimit është shoqëruar nga një skuadër e autoriteteve shqiptare.

Lidhur me ekstradimin ka reaguar edhe policia me njoftim zyrtar ku thuhet 28-vjeçari portugez akuzohet për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

NJOFTIMI I POLICISË: 

Sillet në Shqipëri, shtetasi portugez autor i dyshuar i vrasjes me armë zjarri, të shtetasit A. N..

28-vjeçari u kap në Marok, falë informacionit të siguruar nga strukturat e Policisë së Shtetit, shkëmbimit të tij në kohë reale dhe bashkëpunimit me agjencitë ligjzbatuese, brenda dhe jashtë vendit.

Specialistët e Interpol Tiranës bënë të mundur ekstradimin në vendin tonë, të shtetasit R. S., 28 vjeç, lindur në Portugali.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Shtetasi R. S. dyshohet se më datë 19.04.2023, në ambientet e lokalit, ka vrarë me armë zjarri shtetasin A. N..

Falë bashkëpunimit mes Interpol Marokut dhe Interpol Tiranës, u bë i mundur ekstradimi i këtij shtetasi, në vendin tonë.

Më herët, si rezultat i reagimit në kohë, punës profesionale hetimore dhe gjurmuese, sigurimit të inteligjencës policore, shkëmbimit në kohë të informacionit me homologët, si dhe falë bashkëpunimit të suksesshëm me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, u bë e mundur kapja dhe arrestimi dhe i shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje kriminale.

TRENDING

Exit mobile version