Kosova

Ekzekutimi i Marigona Osmanit, dënohet me burgim të përjetshëm vrasësi

Gjykata Themelore në Ferizaj ka dënuar sot Dardan Krivaqën me burgim të përjetshëm për vrasjen e 18-vjeçares, Marigona Osmani, ndërsa për bashkëpunëtorin Arbër Sejdiu u dha dënimi prej 15 vitesh burgim.

Marigona Osmani ishte 18 vjeç kur u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.

Dardan Krivaqa  më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e së ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale me të.

Një ditë më pas, më 22 gusht 2021, Krivaqa dhe Sejdiu akuzohen se e kanë vrarë Marigona Osmanin, në përpjekje për të fshehur dhunën.

Krivaqa dhe Sejdiu akuzohen për një serë veprash penale përfshirë atë të dhunimit, ndihmës në kryerjen e dhunimit si dhe vrasjes së rëndë në bashkëpunim.

Aktakuza thotë se Sejdiu kishte ndihmuar Krivaqën në kryerjen e veprës penale të dhunimit. Ai akuzohet se edhe pse ishte në dijeni se Krivaqa po kryente aktin e dhunimit, me dashje kishte marrë veprime në lehtësimin e kryerjes së kësaj vepre penale si dhe vazhdimisht kishte vëzhguar nëse ndonjë banor ishte duke lëvizur aty.

Që të dy akuzohen po ashtu se kanë tentuar të fshehin gjurmët e krimit, duke tentuar të fshehin pamjet e kamerave të sigurisë.

Krivaqa më parë shprehu keqardhje për atë që ka ndodhur. Paraprakisht Krivaqës, me kërkesë të avokatit mbrojtës, iu bë një ekzaminim psikiatrik, ku u konstatua se Krivaqa nuk ka ndonjë çrregullim apo sëmundje mendore të karakterit psikotik.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka paralajmëruar një aktivitet para Gjykatës Themelore në Ferizaj.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist tha po ashtu se nuk mund të harrohet “dhuna mizore”, që sipas organizatës, Krivaqa më ndihmën e Sejdiut, i shkaktuan Marigona Osmanit derisa ajo vdiq.

Avokatët mbrojtës të Krivaqës dhe Sejdiut, kishin kërkuar hedhjen poshtë të aktakuzës, por, gjyqtari i çështjes, Sahit Krasniqi, më 2 shtator të vitit 2022, refuzoi kërkesën dhe kundërshtimin e provave që u paraqitën nga ekipet mbrojtëse të të akuzuarve.

Sipas të dhënave, nga viti 2010 e deri më 2023, në Kosovë janë vrarë 50 gra. Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna.

Vrasja e fundit ka ndodhur më 30 nëntor të vitit të kaluar, kur një grua shtatzënë është qëlluar për vdekje në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, në Prishtinë. Vrasjen e kreu bashkëshorti i saj, i cili më pas vrau veten.

TRENDING

Exit mobile version