Connect with us

DOSSIER

Enigma Taho Sejko, tragjedia e një familjeje me katër burra të …

Published

on

Pjesa e parë

I lindur më 14 shkurt 1912 në Çamëri dhe ardhur në Shqipëri në moshën 8-vjeçare. Pjesëmarrës në luftë, si zëvendëskomandant i çetës “Çamëria”. Arrestohet më 28 korrik 1960, me akuzën si agjent i zbulimit të huaj për një kohë të gjatë. Në maj 1961 i përmendet emri në gjyqin e Teme Sejkos dhe të 38 personave të tjerë, por nuk u shfaq si person në gjyq. Nga ky moment, nuk dihet më asgjë për fatin e tij

U përhapën fjalë sikur ishte gjallë, sikur ishte çmendur, që e kishin pushkatuar, që kishte përplasur kokën në murin e qelisë dhe kishte vdekur. Organet zyrtare të shtetit as e pohonin, as e mohonin vdekjen e tij, duke e lënë çështjen pezull të mbuluar me mister dhe duke krijuar idenë e rreme te familjarët se Taho Sejkoja ishte gjallë. Vetëm në vitet e demokracisë familja u njoh me një vendim të Gjykatës së Lartë, të asaj kohe për dënimin me pushkatim të Taho Sejkos, por s’kishte asnjë proces-verbal pushkatimi.
Njoftimi më i fundit rreth fatit të tij, ka qenë nga një ish-punonjës i Hetuesisë, i cili pohoi se: Taho Sejko, është torturuar për një kohë të gjatë e në fund i kanë nxjerrë edhe sytë. Midis këtyre të dhënave kaq kontradiktore e të tmerrshme, familja ende nuk e di si është e vërteta e fatit të Taho Sejkos. Dëshmon i biri, Hektor Sejko As i gjallë, as i vdekur – një jetë e mbetur në terr! Çfarë ka ndodhur me këtë burrë, me këtë njeri? Cili është faji i këtij? Gjyshja ime 80 e ca vjeçe, nga tre djem që pati, mbeti pa asnjërin. Dy i arrestuan në të njëjtën datë dhe i eliminuan. Tjetrin e bënë të mbytej në pus…!

Zoti Hektor Sejko, ju falënderojmë që keni ardhur për intervistë.

Do ta filloj me pak histori. Gjyshi im, Mehmet Sejko, ka qenë ndër patriotët e mëdhenj të asaj kohe. Në vitet 1908 e 1909, ka krijuar Klubin Shqiptar dhe ka qenë kryetari i Klubit Shqiptar për ‘Vëllazërimin për Gjuhën Shqipe’, si dhe ka hapur shkollën e parë shqipe në Filat, në shtëpinë e tij. Në vitin 1919, firmosi memorandumin e Çamërisë, drejtuar Fuqive të Mëdha, për bashkimin e trojeve të Çamërisë me trojet shqiptare. Në 1920-n, grekët e detyruan të largohet dhe kështu erdhën në Konispol.

Im atë, Taho Sejko, ka lindur më 14 shkurt 1912 dhe kur erdhën në Shqipëri, ishte 8 vjeç. Kreu shkollën e Konispolit, pastaj shkollën e mesme në Liceun francez të Korçës, e më pas shkoi në universitetin francez të Athinës, për Shkenca Ekonomike e Politike. Njihte shkëlqyeshëm frëngjishten, italishten dhe greqishten. Në vitin 1939 kthehet, i detyruar nga pushtimi i Shqipërisë. I ati i kishte vdekur, nëna me të dy vëllezërit, ishin në situatë të vështirë ekonomike.

U bashkua me Lëvizjen, si zëvendëskomandant i çetës së parë “Çamëria” dhe u plagos në betejën e Konispolit, ku një predhë ‘Shrapneli’ gjerman, i mbeti në trup dhe i’u ngjit në kockë.

Me çlirimin e Shqipërisë, ishte me detyra në Konispol, Gjirokastër, më tej në Komisionin e Planit të Shtetit, në “Zërin e popullit” si shef i redaksisë ekonomike, deri në momentin që erdhi Konferenca e Tiranës. Në Konferencën e Tiranës, atë e dënojnë. Konferenca e Tiranës u zhvillua mbas vdekjes së Stalinit dhe mbas Kongresit XX-të, të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, ku Hrushovi ndryshoi linjat. Në “Zërin e popullit”, vijnë dy persona nga Komiteti Qendror, Nexhmije Hoxha dhe Fiqrete Shehu, për të bërë analizën e problemeve të Konferencës së Tiranës. Këtu ndodhi një përplasje e Taho Sejkos me Nexhmije Hoxhën.

Kjo përplasje e vuri në rreth përfundimisht. Por ka një dokument, që dëshmon se që më 21 gusht 1948, Taho Sejkoja ishte pushuar nga puna nga Komisioni i Planit të Shtetit, ku kishte marrë edhe një vërejtje në atë kartën e famshme, të regjistrimit të asaj kohe…! Fiqrete Shehu e pyeti: “Ti, Taho, ke dy vërejtje në kartë të regjistrimit?”, “Po”, – i thotë ky. “S’ke bërë kërkesë për t’i hequr”? “Pse duhet të bëj kërkesë unë? Ti e di shumë mirë përse i kam marrë vërejtjet.

Kur në Komisionin e Planit të Shtetit, ty nuk të fliste kurrkush me gojë dhe Mehmetin, e kishin çuar në Vlorë për shkakun tënd, sepse ti ishe shkarkuar, ishe hequr nga partia, i vetmi person në Komisionin e Shtetit, që të fliste, ishte Taho Sejkoja”. “Po, – thotë ajo – e di”. “Por, kur more teserën tënde, pse nuk hoqe edhe vërejtjet që kisha marrë unë”? – ia ktheu Tahoja. Për të gjitha këto probleme të njohura të asaj kohe, Taho Sejkoja, u fut në rreth.

Këtu kam një shkresë që Haxhi Kroi, sekretari i Enver Hoxhës, ua çonte anëtarëve të Byrosë. Në të shkruhet: “Me porosi të shokut Rita, po ju drejtojmë listën e elementëve anti-parti për të cilët propozohet të merren masa e të transferohen nga përgjegjësitë, që kanë dhe të vendosen në vende të tjera. Ju lutemi që të jepet mendimi juaj për këtë çështje!” Në listën me 19 ose 20 emra, është edhe emri i Taho Sejkos, si anëtar i kolegjiumit të “Zërit të popullit”. Kryeministria vendoste që Taho Sejkoja, të fillonte si drejtor i Parkut Automobilistik në Shkodër.

Taho Sejkoja kërkoi që mundësisht, familjen, meqë ishin të stabilizuar në Tiranë, të mos e lëviznin. Megjithatë, erdhi një makinë e madhe, hamejtë ngarkuan teshat dhe shkuam në Shkodër. Ne nuk kishim shtëpi në Shkodër dhe u strehuam te xhaxhai. Prej vitit 1956 e deri në vitin 1960, babai ka punuar si drejtor i Parkut dhe nga një ndërmarrje jo rentabël, e vuri në efiçencë të plotë.

Çfarë ndodhi që Taho Sejkoja u bë person i rrezikshëm, saqë u kurdis rrëmbimi dhe zhdukja e tij?

Thuhet se në atë takimin kur ishte prezent edhe Nexhmije Hoxha, Taho Sejkoja i paska thënë: “Njerëzit janë duke vuajtur për bukën e gojës, ndërsa ju me veturë edhe burri juaj me veturë. Pra, duhet ndryshuar diçka në këtë mes, sepse jeni duke i bërë të zezën këtij vendi. “Ia ka thënë troç, saqë të tjerët menduan se do t’i vinin hekurat që aty”.

A ka qenë babai juaj i survejuar? Dini gjë nëse ka pasur ndonjë informator?

Po! Sipas dokumenteve, ka pasur informatorë nga të gjitha kategoritë e njerëzve: në “Zërin e popullit”, në Komisionin e Planit të Shtetit, në drejtorinë e Parkut në Shkodër. Janë një sërë deponimesh, kuptohet, jo me emrin e tyre të vërtetë.

Me pseudonime?

Po, me pseudonime. Këta raportonin edhe sa herë hante mish Taho Sejkoja.

Jeni njohur me dosjen e babës suaj?

Po, i kam marrë. Babain e kanë arrestuar në Parkun e Shkodrës. Ka shkuar makina e Sigurimit të Shtetit me tre oficerë, i kanë hedhur batanijen mbi krye, e kanë arrestuar dhe e kanë çuar në Tiranë.

Babai do të shkonte në Fushë Arrëz, të çonte disa makina në dispozicion të Ministrisë së Mbrojtjes, për punë të saj. Atje e priste vetë Beqir Balluku. Mirëpo kjo ishte komplet lojë. Në momentin që e arrestuan, një grup me dy oficerë të Sigurimit të Shtetit dhe kryetari i lagjes, Mark Shllaku, erdhën në shtëpi për kontroll. Mark Shllaku erdhi me biçikletë. Unë, si fëmijë që isha, nga qejfi i madh që kishte biçikletë, i’a mora biçikletën e shkova fill te puna e babait.

Aty shoh një grumbull njerëzish. I çuditshëm ky grumbullim, se s’kishte ndonjë festë. M’u afrua njëri e më tha: “Hektor, mos rri këtu, ik në shtëpi!” Nuk më tha se çfarë kishte ndodhur. Kur shkova në shtëpi, pashë që po kontrollonin dhe regjistronin gjithçka. Aty ishte axha im, Suloja, ishte e shoqja, Nazi, ishte nëna dhe daja im. Morën letra e morën fotografi e njëkohësisht, morën edhe një pistoletë ‘Nagant’, trofe lufte, pa fishekë, pa kurrgjë. U kishte thënë vetë: E keni në filan vend, në filan raft.

Dhe kuptohet, në shtëpi kishte rënë bomba, se ishte e paimagjinueshme, që mund të arrestohej Taho Sejko, e të çohej fill e në Tiranë. Këtu filloi drama e madhe e Taho Sejkos. Nga fillimi në mbarim, në mënyrë absolute, ai nuk pranoi asgjë. Absolutisht asgjë! Ky është proces-verbali…!

Po, mund ta lexoni.

Ja si shkruhet: Unë, hetuesi i Drejtorisë së Shtetit, nënkolonel Stavri Madhi, mora në pyetje të pandehurin Taho Mehmet Sejko, për të bërë njoftimin e akuzës, data 10 i teti.

Pra, më 28 korrik u arrestua, më 10 gusht, është ky proces-verbal i Hetuesisë. Marrja në pyetje filloi në orën 8 e 15 dhe mbaroi në orën 13 e 45. Tashti, kjo pyetja që filloi në 8 e 15 dhe mbaroi në 13 e 45, ka të shënuara vetëm kaq: “Ti akuzohesh si agjent i zbulimit të huaj, për një kohë të gjatë, së bashku me persona të tjerë, në formë të organizuar, ke zhvilluar veprimtari armiqësore, që ka synuar rrëzimin e pushtetit popullor me forcë, duke zbatuar detyrat e zbulimeve të huaja, ke dhënë informata me karakter sekret dhe ke rekrutuar persona të tjerë”. – A e dëgjuat dhe a e kuptoni aktakuzën?

– E dëgjova dhe e kuptova aktakuzën.

– A e pranoni aktakuzën që ju bëhet?

– Nuk e pranoj aktakuzën, sepse nuk kam qenë kurrë agjent i asnjë shërbimi të zbulimit të huaj, nuk i kam dhënë asnjëherë kurrkujt informata, me karakter sekret dhe nuk kam punuar kurrë për rrëzimin e pushtetit popullor në Shqipëri.

Akuza që i kanë formuluar e çonte direkt në pushkatim?

Nuk diskutohet ajo, është e padiskutueshme. Tashti, çfarë ndodhi?

Më 14.11.1960, në Hetuesi, drejtori i Sigurimit të Shtetit, nënkolonel Stavri Madhi, shkruan: “Mora në pyetje të pandehurin Taho Sejko. Pyetja filloi në orën 9.00 dhe mbaroi në orën 10.00.”

Kjo seancë pyetjesh, ka qenë më e shkurtër… Aty do të ketë ngrënë dru ai, se s’ka kuptim tjetër!

Ja dhe ky dokument ku shkruhet: “Na fol për aktivitetin tënd armiqësor”.

Përgjigjja: “Organet e Sigurimit, ashtu siç mbështeteshin në vitin 1946 në gënjeshtra, janë mbështetur sot në gënjeshtra kundër meje, për akuzën time si spiun. Mbasi janë lexuar thëniet e mia, janë shkruar drejt, i firmos.”

Lexo edhe :  Talo Çelën e kanë vrarë? Artan Hoxha: S’do kemi mundësi të shohim më imazhin e tij

A jeni njoftuar nga autoritetet shtetërore për gjithë këtë procedurë, për gjyqin, për eliminimin? Çfarë dini rreth kësaj?

Jo vetëm që s’jemi njoftuar, por ka ndodhur një ngjarje e pazakontë. Më 15 ose 16 maj të vitit 1961, filloi gjyqi në Tiranë për ‘Grupin çam’. Në këtë gjyq përmendet emri i babës, por babai nuk ishte aty. Emri përmendet sikur ky ishte personi, që e kishte ngritur këtë grup, sikur ky ishte i pari.

Atëherë, nëna ime na merr ne, tre fëmijëve, dy motrat dhe mua, e vijmë në Tiranë. Vijmë në Tiranë me qëllimin e vetëm, që të merrte vesh si ta ndihmonte burrin. Te gjyshja ime, një kat më sipër, jetonte një familje, që e kishte dhëndrin avokat, njëfarë Sasha, avokat i njohur, por ishte paksa qen – bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.

Zbret poshtë ai dhe bëhet kjo bisedë. Na thotë ai: “Kam ardhur për një arsye të veçantë. Se çfarë ka bërë Teme Sejko, e di ai vetë, jep llogari vetë, s’e di unë, nuk mund të flas për të. Por çfarë flet në adresën e të vëllait, s’ka asgjë, absolutisht asgjë të vërtetë!”

Ai na thotë se Teme Sejko, kishte folur për të tërë. Më pas, ne morëm vesh se ky gjyq është bërë me provë gjenerale, siç bëhen prova për shfaqjet teatrale. Është bërë provë gjenerale për gjyqin!

Pse e pranoi Teme Sejkoja këtë farsë?

Ku ta dimë? Hajde gjeje pse e ka pranuar Temja. O e ka bërë druri, ose mashtrimi! Po se çfarë e ka detyruar, është shumë e vështirë ta gjejmë. Në radhë të parë, ka pranuar faje, që s’i ka bërë vetë.

Gjysmë ore pas kësaj bisede, vjen policia na merr e na çon te Selvia, ku ishte Drejtoria e Policisë së Tiranës. Dy orë e kanë mbajtur nënën time në zyrë, duke bërë hetuesi. Si përfundim, më ka mbetur në kujtesë diçka e veçantë. Në momentin që ka dalë prej zyrës së atij shefit të madh, ky, nën zë i thotë: “Shoqe, bën mirë t’i marrësh fëmijët e të ikësh, se këta fëmijë kanë mbetur pa baba, mos mbeten edhe pa nënë”!

Na kanë shoqëruar me policë deri te Ministria e Brendshme, na kanë hipur me policë në makinë e ka ndenjur polici me ne, duke na shoqëruar deri në Vorë, që të mos zbrisnim askund.

Ishte problemi që po të mos largoheshim në çast prej Tiranës, nënën do ta futnin brenda, në burg.

Dy fjalë donte të thoshte nëna ime në Gjykatë të Lartë dhe në Kuvendin Popullor: Çfarë flet Teme Sejkoja për veten, e di ai vetë, por çfarë flet për të tjerë, s’ka absolutisht asgjë të vërtetë!

Prej këtij momenti, për një periudhë të gjatë kohe, flasim për majin e vitit 1961, për një periudhë të gjatë kohe, 5-6 mujore, nuk kemi lëvizur prej Shkodrës. Normalisht, nuk kemi lëvizur prej frikës, se i thanë: “Po erdhe, e ke vendin në burg!”

Kërcënim i hapur…?

Pra, Taho Sejkoja u përmend, por Taho Sejkoja s’ishte në gjyq, s’ishte personalisht aty. Në këtë kohë filluan të qarkullonin fjalë, për tri versione: Taho Sejkon e kanë pushkatuar; Taho Sejkoja i ka rënë murit me krye e ka vdekur; Taho Sejkoja është çmendur. Tashti…!

Për këto tri versione, nëna ime i bëri tri telegrame Kadri Hazbiut për takim, të merrte vesh të vërtetën çfarë po ndodhte me të. Gjyqi u bë, aty u përmend, por s’ishte askund.

Gjyqi ishte i babait apo i Teme Sejkos?

Gjyqi i axhës, i Temes.

Babai juaj, a pati ndonjë proces gjyqësor?

Prit, tashti po të kallëzoj, punën e procesit gjyqësor. Historia e gjyqit ka të veçantën e saj. Meqë nëna i bëri tri telegrame Kadri Hazbiut dhe ky s’e priti, nënën e thërritën në Degën e Brendshme dhe e pyetën: “Cila ishte arsyeja që ti, shoqe, i kërkon Kadri Hazbiut, takim në tri telegrame”?! Edhe nëna i shpjegon arsyet një, dy, tre…! “Janë shumë fjalë, që qarkullojnë. Duam të dimë të vërtetën se çfarë ka ndodhur me të”.

Dhe Feçor Shehu iu përgjigj: “Po ta kishim pushkatuar, frikë s’kemi të të themi, që e kemi pushkatuar. Po të kishte vdekur, njerëzit vdesin edhe jashtë edhe brenda. Po të ishte çmendur, nuk do të ishte as për ty, as për ne. Do të të thoshim: Shko në Elbasan, atje e ke”!

Dhe fjala e fundit e tij: “Shko rrite atë fëmijë, se këto punë i di Partia!”

Këtë punë e di Partia. Kaq! Pra, jemi para kësaj dileme: një person i arrestuar, një person që përmendet në një gjyq e i del emri, po nuk del personi, një thashethemnajë e pazakontë muhabetesh, poshtë e përpjetë dhe në fund, një përgjigje e kësaj natyre. Tashti, a na pëlqeu kjo përgjigje? Realisht na pëlqeu, se ishte shpresa brenda: Është gjallë!

Nëna i tha: “Mua më kanë bllokuar. S’mund të shkoj në Tiranë, s’mund të lëviz”. Ai ia ktheu: “Je qytetare e Republikës. Qysh sot e mbrapa, ke të drejtë të shkosh ku të duash, për problemet që mund të kesh”.

Kjo hapje e rrugës e bëri nënën të vinte me vrap në Tiranë, në Prokurori të Përgjithshme, ku kërkoi takim me Prokurorin e Përgjithshëm, ta pyeste për problemin e të shoqit.

I thotë: “Kam ardhur, shoku prokuror, për një arsye krejt të thjeshtë. Do të marr një vendim për fëmijët e mi, por dua ta dëgjoj me veshët e mi, se çfarë thotë Taho Sejkoja për veprimtarinë e tij armiqësore. Kam jetuar 16 vjet me të, e kam njohur në luftë, e kam pasur edhe burrë, edhe shok e s’kam as pikën më të vogël të dyshimit për këtë punë.”

Prokurori i’a kthen: “Taho Sejkoja qysh në Luftë ka pasur mendime jo të mira, andej-këtej…! E këto mendime që ka pasur, normalisht, në atë rrugë të çojnë. Por ti nuk mund të marrësh pjesë në gjyqin e Taho Sejkos, për arsyen se gjyqin e Taho Sejkos do ta bëjmë me dyer të mbyllura”.

Nëna ime i thotë: “Shoku prokuror, e beson këtë që po thua? Keni bërë me dyer të hapura gjyqin e Teme Sejkos, Drejtor i Zbulimit të Ushtrisë dhe komandant i Flotës Luftarake Detare. Doni të bëni me dyer të mbyllura gjyqin e Taho Sejkos, shefi i redaksisë Ekonomike të ‘Zërit të popullit’ dhe drejtor i Parkut Automobilistik të Shkodrës? Ku janë sekretet e Taho Sejkos? Ku? Te ‘Zëri i popullit’ që e merr dhe e lexon tërë bota”?

Përgjigja ishte nul: “Gjyqi do të bëhet me dyer të mbyllura”! Gjatë gjithë kësaj kohe që vazhdon kjo histori e që qarkullonin këto fjalë, një ditë të bukur na vjen halla prej Durrësit. Halla ime jetonte në Tiranë, por ka ardhur direkt prej Durrësit. Pse? Në spitalin e burgut në Tiranë, një infermiere çame e thërret hallën time e i thotë: “A ke dëshirë ta shohësh Tahon”? “Po si s’kam dëshirë ta shoh vëllain?!” I thotë infermierja: “Po të jap një copë letër për doktor Vokopolën, por dëgjo, do të shkosh, do t’i japësh letrën dhe aty ku të të ulin, do të rrish. Mos bën gabim as të çohesh në këmbë, as të flasësh ndonjë gjë, të komunikosh me të”. Kështu e udhëzoi dhe i dha letrën.

Unë them se kjo e tëra është e sajuar prej Sigurimit të Shtetit, se s’ka burrë e jo më infermiere në botë që mund të bënte veprime të asaj natyre. Sidomos në atë kohë!

Niset halla, shkon në Durrës e i dorëzon letrën doktor Vokopolës e ky i thotë infermieres atje: “Jepi një përparëse e të ulet aty”. S’kaloi shumë kohë, kur u ndie një zhurmë makine, thotë halla, dhe vjen Tahoja, bashkë me Ali Xhelo Harapin. Ky ishte person i dënuar, ishte prej atyre personave të dënuar në gjyq, se ai kishte dalë në gjyq. Të dy të lidhur dorë për dore, me dy oficerë Sigurimi anash. Të veshur me kostume me stof anglez, thotë ajo. Ky tjetri e kishte bërë copë-copë kostumin, e kishte shqyer. Tahoja ishte në rregull. I vizitoi doktor Vokopola dhe u thotë oficerëve që, për të parin s’kishte çfarë të bënte, sepse ai kishte kaluar…. ishte çmendur, kurse Tahoja ishte më mirë se më parë, por aty nuk kishte dhomë të veçantë që ta mbante.

Vjen halla e na e thotë këtë muhabet. Jo gëzim, por gëzim i jashtëzakonshëm!

Që babai qenkësh gjallë…?

Po. Mbas kësaj, ndodh një fenomen tjetër. Zef Bala, shofer i Parkut të Shkodrës, aksidentohet. I këputet kavoja e trupave dhe i dëmtohet shtylla kurrizore. E çojnë në Tiranë. Në atë kohë kishte ardhur një mjek nga Rumania dhe miqtë e Zef Balës, krijuan mundësinë që edhe ky të vizitohej atje. Tani, na thotë Zefi vetë, me gojën e tij: “U futa te paradhoma ku ishte mjeku dhe pashë të ulur në krahun e djathtë, Taho Sejkon mes dy burrave, dy civilë, oficerë të Sigurimit. Po, e pashë! Dhe ai më pa e mendova për momentin, po i flas, se i sëmurë jam…! Si je, shoku Taho? M’u përgjigj: Mirë, Zef, mirë”.

Ja, kaq! Tashti, gjithë këto lajme ishin haberet e para të kësaj situate të re, të kësaj gjendjeje.

Mbas kësaj, normalisht, muhabetet nuk shtereshin, vazhdonin në të gjitha format, në të gjitha mënyrat. Jo pak, por shumë. Nga burime nga më të ndryshmet vinin lajme. Është këtu, është atje, ka bashkëpunuar me Sigurimin, punon me Sigurimin, nga më të ndryshmet. Të gjitha këto lloje haberesh janë stërzgjatur deri në vitin 1990. Nëna ime vdiq në dhjetor të vitit 1984. Më mbeti mua detyra të bëja kërkimin për babain tim. Memorie.al

DOSSIER

Kush janë 10 tradhtarët më të mëdhenj në histori

Published

on

By

Dhjetë tradhtarët më të urryer dhe më të famshëm të të gjitha kohërave, nga ata të historisë së lashtë e deri te spiunët e Luftës së Ftohtë.

Duke u ngjitur në titujt kryesorë për komplot kundër atdheut, për të refuzuar komunitetin apo për t’i kthyer shpinën familjes, tradhtarët kanë mbushur gjithmonë faqet e librave të historisë. Këtu keni një përzgjedhje prej dhjetë prej më të urryerve të të gjitha kohërave, emri i të cilëve është bërë sinonim i tradhtisë.

TRACHIS EFIALTE (SHEK. V p.e.s.).
Ne dimë shumë pak për Ephialtes, por besohet se ai ishte një bari me origjinë nga Trachis, Greqi. Faji i tij? Pasi i ndihmoi Persianët të anashkalonin kalimin e Termopileve në 480 para Krishtit, duke dënuar kështu 300 luftëtarët spartanë të famshëm të Leonidas I të masakrojnë gjatë betejës. Historiani Herodoti tregon se Efialti, pas tradhtisë, iku, duke u vrarë më vonë nga një bashkëqytetar i tij.

UGOLINO DELLA GHERARDESCA (1220 RRETH – 1289).
Një fisnik Pisan Ghibelline, Konti Ugolino kaloi në fraksionin kundërshtar të Guelphs dhe më vonë u akuzua për favorizimin e qyteteve rivale të Pizës. Më pas ai u burgos dhe u dënua me vdekje. Në Komedinë Hyjnore, Dante Alighieri e vendos atë në rrethin infernal të Antenorës (e rezervuar për tradhtarët e Atdheut), duke sugjeruar se gjatë burgimit ai erdhi për të ushqyer fëmijët e tij.

LA MALINCHE (SHEK. XVI).
Vajza e një shefi vendas të Meksikës së sotme, Malinche, ajo u shit si skllav pas vdekjes së babait të saj dhe më vonë u bë një përkthyese në shërbim të spanjollëve, si dhe zonja e udhëheqësit të tyre Hernán Cortés, i cili mbërriti. në Meksikë në vitin 1519. La Malinche ai ndihmoi pushtuesit për të nënshtruar qytetërimin aztec, aq sa në Amerikën Latine fjala malinchista do të thotë “i shitur” të huajit.

BRUTUSI DHE CASIUS (SHEK. I PARË para Krishtit)
Edhe pse Jul Cezari i kishte falur të dy gjatë luftërave civile, Marcus Giunio Brutus dhe Gaius Cassius Longinus ishin ndër animatorët kryesorë të komplotit që udhëhoqi në 44 pes. për vrasjen e tij. Të mposhtur më vonë nga Octavian dhe Marcus Anthony në betejën e Filipit, të dy “cezaricide” kryen vetëvrasje në 42 para Krishtit.

JUDA ISKARIOT (SHEK. I P.Kr.).
Ndoshta një vendas në Kerioth (qytet i Judesë), pasi u bashkua me dishepujt e zgjedhur nga Jezusi, ai “shiti” mësuesin e tij në Sinedrin për 30 denarë argjendi, duke sinjalizuar identitetin e tij te rojet me puthjen e famshme. I penduar, pak më vonë ai u vetëvar në një pemë (të llojit Cerci siliquastrum, Pema e Judës, që mban emrin e tij edhe sot).

MIR JAFAR (1691 – 1765).
Mir Jafar Ali Khan Bahadur, pasi arriti në oborrin e Bengalit (tani Bangladesh), kaloi në anën e anglezëve dhe gjatë betejës së Plassey-t, në 1757, mori prej tyre titullin nabob, duke lehtësuar pushtimin e tyre të Indi. Pas ulje-ngritjeve, ai vdiq nga pleqëria, i urryer nga bashkatdhetarët.

BENEDICT ARNOLD (1741-1801).
Gjenerali karizmatik gjatë Luftës Amerikane për Pavarësi (1775-1783), ai ishte një nga përgjegjësit kryesorë për fitoren e kolonëve kundër britanikëve në Saratoga (në 1777), por në vitet në vijim ai veshi “xhaketën e kuqe” duke u kthyer. shpinën kauzës së pavarësisë. I mbrojtur por i përbuzur nga zotërit e rinj, ai arriti të shpëtojë veten duke ikur në Angli.

CHARLES MAURICE DE TALLEYRAND (1754-1838).
Aristokrat francez, ai mori poste drejtuese politike gjatë Revolucionit dhe regjimit Napoleonik, duke tradhtuar vazhdimisht edhe vetë Napoleonin. Mbeti në shalë edhe pas rënies së kësaj të fundit, ai u bë protagonist i kongresit të mëpasshëm të Vjenës (1815), duke përfaqësuar monarkinë Burbone.

VIDKUN QUISLING (1887-1945).
Pasi u bë emblema e bashkëpunëtorit nazist, Vidkun Quisling, ish-udhëheqës i një formacioni të ekstremit të djathtë norvegjez, në vitin 1940 ai mbështeti pushtimin gjerman të vendit të tij dhe u bë kreu i regjimit kukull të instaluar nga Hitleri në Norvegji. I ndjekur penalisht për tradhti të lartë, ai u dënua me vdekje në vitin 1945.

TË PESTËT E KEMBRIXHIT (SHEK. XX).
Akademikë të shkëlqyer të Universitetit anglez të Kembrixhit, por tradhtarë të Atdheut, duke filluar nga vitet 1930 dhe për pjesën më të madhe të Luftës së Ftohtë, Anthony Blunt, Donald Maclean, Kim Philby, Guy Burgess dhe John Cairncross ishin spiunë dhe u dhanë informacione sekrete sovjetikëve. , dhe të gjithë arritën të shpëtonin edhe veten. “Bashkët” e tyre ishin ndër operacionet më të suksesshme të spiunazhit rus.

Continue Reading

DOSSIER

Amon Göth, tmerri nazist i hebrenjve

Published

on

By

Ky në foto është Amon Göth. Imazh i njohur për ata që kanë parë filmin Schindler’s List. Është ai tipi që u qëllonte hebrenjve nga veranda e shtepisë. Filmi Schindler’s List tregon historinë e biznesmenit gjerman Oskar Schindler i cili, gjatë Luftës së Dytë Botërore, shpëtoi qindra hebrenj nga vdekja e sigurt. Por, për të arritur qëllimin, i duhej të mashtronte dhe në disa raste të “blinte” dhjetëra nazistë. Në veçanti, kur hebrenjtë që punonin në fabrikën e tij u transferuan në kampin e përqëndrimit në Plaszow, ishte Amon Göth, njeriu me të cilin ai duhej të gjente gjuhën e përbashkët.
Austriaku Amon Göth ishte bashkuar me SS që në moshë të vogël dhe pas shpërthimit të luftës kishte bërë karrierë shumë shpejt.
Ish-oficer në Bełżec, Sobibór dhe Treblinka, kishte “shansin e tij të madh” në vitin 1943 kur e vendosën të menaxhonte kampin e përqëndrimit Plaszow afër Krakovës në Poloni.
I shtrirë në një hapësirë prej 80 hektarësh, kampi i përqendrimit arriti të strehonte deri në 24.000 të burgosur. Jetëgjatësia mesatare e të burgosurve në Plaszow ishte 4 javë.
Në momentin kur getoja u likuidua në 1945, rojet ukrainase dhe 600 SS që e kontrollonin, kishin varrosur rreth 9000 të burgosur, ndërsa pjesa tjetër u dërgua në Auschwitz. Sipas disa dëshmive, Göth personalisht vrau nga 30 deri në 90 individë.
Në disa raste kishte përdorur dy qentë e tij, Rolf dhe Ralf, të trajnuar posaçërisht për të bërë copa-copa trupat e të burgosurve.
Göth u bë gjithashtu famëkeq për pushkatimin e të burgosurve nga veranda e shtëpisë së tij, e cila dominonte të gjithë kampin. Të qënit i ngadaltë, i shëmtuar, i gjatë ose i shkurtër, ishin arsye të mjaftueshme për të ​​përfunduar nën shënjestrën e “kapitenit”. Ky ishte Amon Göth. I arrestuar në fund të luftës, u gjykua dhe u dënua me vdekje. E varën më 13 shtator 1946. Nuk u pendua kurrë. Fjalët e tij të fundit ishin “Heil Hitler”.

P.s Te filmi interpretohet nga aktori Ralph Fiennes.
Kur një nga të mbijetuarit e Holokaustit e takoi aktorin gjatë xhirimeve, filloi të dridhej dhe të qante, sepse ky i kujtonte aq shumë Amon Göth-in e vërtetë.

Continue Reading

DOSSIER

Konferenca shkencore më e famshme në histori

Published

on

By

Një foto e vetme, që të ketë gjithë dijen e botës në të, si kjo, nuk ka mundur të vijë deri sot. Privilegje të tilla janë me vlerën e një hajmalie të shenjtë, për secilin nga ne, gjithsekënd që beson te shkenca dhe përpjekjet e atyre vullneteve të dritshme për ta nxjerrë njeriun nga errësia e mosdijes.
Nga data 24 deri më 29 tetor 1927, në Bruksel u zhvillua Konferenca e pestë “Solvay”. Ndoshta konferenca më e famshme shkencore në histori. Shtatëmbëdhjetë nga 29 pjesëmarrësit, ishin ose u bënë fitues të Çmimit Nobel.
Ky aktivitet që është jetësuar në këtë foto zyrtare është historike sepse pikërisht në këtë konferencë, fizikanti i madh, Albert Ajnshtajni tha frazën e famshme: “Perëndia nuk luan zare”. Bohri i’u përgjigj: “Ajnshtajni, mos i thuaj Perëndisë çfarë të bëjë”.
Kjo foto ka një rëndësi tjetër të madhe, ngase në mes gjithë kokave më të pushtetshme të shkencës të shekullit XIX është edhe një grua, Mari Kyri, e para që kishte arritur të rrëmbente çmimin Nobel, mes sundimit maskilist.
Këtu në këtë foto është asambleja e konferencës e përbërë:
Rreshti i parë: Irving Langmuir, Max Planck, Marie Curie, Hendrik Lorentz, Albert Einstein, Paul Langevin, Charles-Eugene Guye, CTR Wilson, Owen Richardson.
Rradha e mesme: Peter Debye, Martin Knudsen, William Laërence Bragg, Hendrik Anthony Kramers, Paul Dirac, Arthur Compton, Louis de Broglie, Max Born, Niels Bohr.
Mbrapsht rresht: Auguste Piccard, Émile HENRIOT, Pali Ehrenfestit, Shtigjet zemrën, Théophile de Donder, Erwin Shrodingerit, JE Athena ndjehet, Wolfgang Pauli, Werner Heisenberg, Ralph Fowler, Léon Brillouin.

Continue Reading

DOSSIER

‘Poll Tax’ dhe fundi i qeverisë së Margaret Thatcher

Published

on

By

Kjo foto është marrë në Londër më 31 mars 1990. Dolën në rrugë dyqind mijë njerëz për të protestuar kundër “poll tax”.
Një taksë e vendosur nga qeveria Thatcher, që prekte çdo shtetas britanik, pavarësisht nga të ardhurat ose burimet e tyre. Një taksë që në të vertet prekte shtresen e mesme / të ulët, në favor të shtresesh së pasur.
Kur policia sulmoi marshimin, duke përdorur në menyrë të paskrupullt edhe mjete të blinduara, reagimi i demonstruesve, deri ne ate moment paqësor, u be jashtëzakonisht i ashpër.
Për t’u mbrojtur nga dhuna nisën te hidhnin sende nga me te ndryshmet dhe u kerkua përplasja trup me trup. Iniciativës së demonstruesve iu nënshtrua policia, e cila nuk e kishte parashikuar kunder-përgjigjen.
Protesta u ndez; disa vende simbolike u sulmuan dhe plaçkitën, mes tyre një seli diplomatike e ambasadës së Afrikës së Jugut.
Pavarësisht represionit të ashpër që pasoi atë ditë, mbi 450 persona u arrestuan dhe megjithëse forcat institucionale dënuan protestuesit, “poll tax” përfundimisht nuk u aplikua.
Kjo histori kontribuoi në fundin e qeverisë së Margaret Thatcher.
Continue Reading

DOSSIER

Me vëllain e vdekur në shpinë…Historia e tmerrshme

Published

on

By

Koka e anuar dhe sytë e qetë, të bëjnë të mendosh se fëmija që është në shpinën e të vëllait, është në gjumë.

Vëllai ka vdekur ndërsa tjetri, vetëm 10 vjeç, po pret që ta varrosë!

Është një histori e tmerrshme e vitit 1945 nga aparati fotografik i Joe O’Donnell, fotoreporterit amerikan që punoi për Agjensinë e Lajmeve të Shteteve të Bashkuara dhe që kur ka shkrepur këtë fotografi, ishte dërguar në Japoni për të dokumentuar efektet e dy bombave atomike, në Hiroshima dhe Nagasaki.

Nuk ke çfarë fjalësh t’i shtosh kësaj fotografie! Ashtu, në heshtje, i thotë të gjitha vetë, ashtu siç nuk mund të bënin qindra rrëfime nga lufta.

Imazhi e pat prekur pafund fotografin, sado që, sipas intervistave të tij pas rikthimit, pati thënë se ishte një skenë e zakonshme për Japoninë e atyre viteve.

“Vëllai vazhdoi të qëndronte i palëvizur për të parë gjithë skenën e diegies së trupit, pasi ja hoqën të voglin nga shpina. Nuk i lëvizi asnjë qerpik, i rridhte vetëm pak gjak nga buzët. Asnjë lot!. Në fund të procesit, u kthye të ikte njësoj siç erdhi”- kujton fotografi.

Continue Reading
Advertisement
Advertisement

TRENDING