Politike

Escobar kritik për nismën, Kim: Mbështes ‘Open Balkan’

Ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim ka deklaruar mbështetjen ndaj nismës ‘Ballkani i Hapur’. Për gazetarët, pas konferencës për 100-vjetorin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA-së. Ambasadorja u shpreh se do të mbështesin çdo nismë që kontribuon në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

“Ne mbështesim të drejtën e vendeve të Ballkanit Perëndimor që të jenë të integruar në Europë dhe të integruar mes vete. Ne do të vazhdojmë të mbështesim të gjithë përpjekjet, përfshirë dhe Ballkanin e Hapur, në mënyrë që të jenë konseguente dhe të kontribuojnë për procesin e integrimit që ndiqet nga BE dhe që janë të hapur për 6 vendet”, deklaroi ambasadorja Kim.

Teksa ambasadorja shpreh mbështetjen e plotë për këtë nismë, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar deklaroi më 24 nëntor 2021, se nëse në “Balkanin e Hapur” (Open Balkan) nuk përfshihen të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, atëherë ajo nuk do të funksionojë.

Mirëpo, presidentja e Komisionit Europian duke iu referuar “Ballkanit të Hapur” ka deklaruar se mirëpret çdo nismë që brenda kuadrit të Procesit të Berlinit.

“Unë mendoj që po të shikojmë ecurinë ekonomike si edhe thellimin marrëdhënieve ekonomike, edhe ky treg i përbashkët rajonal, mendoj se procesi i Berlinit është kuadri që po përdoret. Si kuadër që të gjashta vendet e rajonit do të përfitojnë. Çfarë do lloj iniciative që është brenda procesit të Berlinit që është bashkëpunuese mirëpritet prej nesh.’– deklaroi në atë kohë Von Der Leyen.

Ballkani i Hapur, është një nismë që deri më tani ka bashkuar Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, me ambicien për t’u shtrirë në të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë Malin e Zi dhe Kosovën. Kjo nismë deri më tani ka finalizuar me nënshkrimin e dy memorandumeve dhe një marrëveshje ndërshtetërore që kanë për qëllim lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe thjeshtimin e formaliteteve lidhur me importin, eksportin dhe lëvizjen mallrave, bashkëpunimin mes doganave dhe autoriteteve të tjera kompetente të tre vendeve pjesmarrëse.

TRENDING

Exit mobile version